Një ndërmarrje në varësi të kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, i ka dhënë me urgjencë filialit të Shefqet Kastratit kontratën 1.7 miliardë lekë për furnizimin me karburant. Megjithëse furnizimi me naftë i bashkisë dhe i institucioneve në varësi të saj bëhet çdo vit nga Kastrati, zhvillohet formalisht një tender.
Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Blerje Karburant Nafte për Bashkinë Durrës dhe subjektet nën varësi të saj” i ndarë në dy lote. Sipas dokumenteve të tenderit, financimi do bëhet me paratë e buxhetit të tre viteve të ardhshme deri në vitin 2027. Ndërsa subjektet që furnizohen janë Bashkia Durrës, M.Z.SH., Klubi i Futbollit Teuta, Klubi i Shume Sporteve Teuta, Ndërmarrja Rruga Durrës. Qendra Kulturore Aleksandër Moisiu Durrës. Qendra Ditore e të Moshuarve Durrës, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës. Ndërmarrja Komunale Plazh, Qendra Ekonomike e Arsimit Durrës dhe Agjencia e Parqeve Urbane.
Për blerjen e karburantit dizel është caktuar fondi limit 164 622 183,00 lekë dhe tenderi është zhvilluar si lot më vete.
Urgjenca e Kastratit për të marrë kontratën
Tenderi është hapur më 24 shkurt 2025 ndërsa data e fundit për dorëzimin e ofertave u vendos 13 mars 2025. Megjithëse është e sigurtë që konkurrentët nuk aplikojnë se e dinë qysh më parë që tenderin e merr Kastrati, komisioni i tenderit ka vendosur edhe një pengesë tjetër si “valvul sigurie”. Është kërkuar që dokumentet e tenderit të dorëzohen me shpejtësi.
Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, Leonard Haka, ka sajuar një “urgjencë”. Ai ka aplikuar shkurtimin e afatit për pranimin e ofertave. “Kërkohet aplikimi i nenit 42 pika 6 të LLP, për arsyet si me poshtë: Dukë marrë shkas nga situata shumë e vështirë në të cilën ndodhet aktualisht Bashkia Durrës dhe institucionet në varësi të saj, si dhe shpenzimit të karburantit të paparashikuara për vitin e kaluar të disa ndërmarrjeve (një prej tyre Ndërmarrja Rruga e cila ka pasur shumë shpenzime karburanti si pasojë e pastrimit të kanaleve nga situata e krijuar nga kushtet metorologjike të motit të cilat kanë sjelle reshje të shumta te shiut, si dhe në mbështetje të investimeve të Bashkisë Durrës), kërkojmë shkurtimin e afatit të dorëzimit të ofertave në 15 ditë”, shkruan drejtori në dokumentet e dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Sipas shpjegimeve të tij, “Institucione në varësi të Bashkisë Durrës siç janë, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrja Komunale Plazh të cilat kryejnë pastrimin e mbetjeve urbane, si dhe pastrimin e disa akseve rrugore të cilat janë bllokuar si pasojë e reshjeve të shumta, kanë nevojë urgjente për karburant, Qendra Ekonomike e Arsimit, e cila përdor karburantin
për ngrohje në shkolla publike e ka urgjente nevojën për karburant, MZSH (Zjarrfikëset) dhe Ndërmarrja Rruga Ura gjithashtu kanë nevoje urgjente për naftë. Institucionet e lartpërmendura kryejnë një shërbim jetik dhe të domosdoshëm, prandaj kërkojmë shkurtimin e afatit në 15 ditë”, këmbëngul Haka.
Në fakt, këtu nuk ka asnjë urgjencë, por vetëm justifikim për vonesat e krijuara nga vetë bashkia në furnizimin me karburant. Ligji ka parasysh pengesat objektive, jo ato për të cilat mbajnë përgjegjësi zyrtarët. Konkretisht, kontrata e Kastratit e vitit të kaluar është firmosur me 6 prill 2024 dhe zgjat 12 muaj. Pra, detyrimi vazhdonte deri ditën e djeshme dhe bashkia mund të merrte karburant sepse ishte brenda afatit. Edhe nëse i kishte mbaruar karburanti drejtorit të Emiriana Sakos, Kastrati vazhdon furnizimin sepse kontrata përveç fondit limit ka edhe klauzolën “sipas nevojave të subjekteve”.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Kështu, pasi “Inteligjenca Artificiale” e Agjencisë së Prokurimit Publik i dha të drejtë drejtorit të Sakos të mbajë tenderi me urgjencë ky i bëri letrat shpejt e shpejt më 13 mars 2025, ndërsa fituesi është shpallur zyrtarisht më 1 prill 2025. Këtë e ka bërë për të dy lotet, për naftë dhe benzinë.
Për shkeljet e kryera, Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Një shënim me RedFlag është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.
Dokumenti i mësipërm është për lotin e furnizimit me Diezel. Sasia e pritshme e mallit që kërkohet për 12 muaj në Lotin nr. 1 Naftë, Euro Diesel D1 (Gazoil 10 ppm) është 1135325.40 litra, deri më 31.03.2026, me fond limit të marrëveshjes kuadër: 167.272.683,3 lekë pa TVSH. Çmimi i një litri diezel është 178 lekë lekë, ashtu siç është sot në çdo pike karburanti të Kastratit. Po të kemi parasysh se kjo është shitje me pakicë, atëherë tenderi del se është pa logjikë ekonomike. E si do të ndodhte ndryshe kur tenderi zhvillohet pa konkurrencë, vetëm një pjesëmarrës, që ofron sa 100% e fondit limit?!
Ndërsa “Loti nr. 2 Benzinë pa plumb (95 oktan) është afërsisht 18932.14 litra, që gjithashtu funksionon me kartë elektronike. Edhe në kontratë përshkruhet se furnizimi bëhet sipas nevojave dhe kërkesës së Autoritetit Kontraktor për 12 muaj nga data e lidhjes së marrëveshjes kuadër. Vlera e marzhit të fitimit që Kastrati i ka vendosur vetes është 17.8 lekë pa tvsh.
Për këtë lot fondi limit i caktuar është 2 650 500,00 lekë pa TVSH. Edhe ky tenderi është fituar nga “KASTRATI Energy” shpk dhe ka merituar “Flamur të kuq”.
Llogaria e kompanisë pa licencë që mbushet me miliarda lekë
Kompania fituese “Kastrati Energy” shpk nuk ekziston në QKB pasi Kastrati ia shiti formalisht aksionet njërit prej drejtorëve të tij. Kjo kompani zyrtarisht quhet EZ-5 ENERGY dhe ka për pronar me letra Edmond Ademajn.
Këtë e morëm vesh pasi investiguam para një muaji tenderin e OSHEE që i dha kësaj firme kontratën 2.5 miliardë lekë për furnizim me karburant
Tenderi formal është hapur më 18 dhjetor 2024 me botimin në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe është nënshkruar kontrata më 3 mars 2025. Sipas dokumenteve të hartuara nga komisioni i ngritur nga drejtori Enea Karakaçi, fondi limit për furnizimin me karburant këtë vit është 200,997,479 lekë pa TVSH. (nëse llogaritet TVSH kontrata pritet të arrijë në afro 2.5 miliard lekë.
Me arrogancën e operatorit të vetëm ekonomik që merr pjesë në tender, “KASTRATI ENERGY” ka dhënë ofertën e barabartë me fondin limit.
Norma e fitimit e shprehur në vlerë absolute është caktuar nga vetë Kastrati dhe është 20 lekë/litër. Dhe në mungesë totale të konkurrencës, Karakaçi e ka vlerësuar me 100 pikë dhe e ka identifikuar si “oferta fituese”.
Nuk diskutohet se Karakaçi e ka porosi nga ministrja Belinda Balluku, që Kastrati t’i marrë të gjitha tenderat e karburantit, por të paktën të marrë mundimin t’i bëjë letrat siç duhet, që kur ta kontrollojnë apo ta hetojnë, t’i ketë “të pastra’ dokumentet që mbeten.
Fillimisht duhet të sqarojmë se “KASTRATI ENERGY” shpk, me Numer NIPT-it J61813529P nuk ekziston më si subjekt. Ose Administratori ka aplikuar me të dhëna të rreme, ose dikush nga komisioni i tenderit e ka vendosur këtë identitet për ta pasur të lehtë për ta favorizuar, sepse subjekti ka qenë dikur kompani e Shefqet Kastratit.
“Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë Operatorin Ekonomik “KASTRATI
ENERGY” shpk, me Numër NIPT-it J61813529P dhe me adresë Lagja 14, Rruga Tirana, Pranë Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës, se oferta e paraqitur me vlerë totale prej 200,997,479 lekë pa TVSH është identifikuar si oferta fituese”, thuhet në njoftimin e OSHEE në përfundim të tenderit.
Në fakt, “Kastrati energy”, e krijuar nga Kastrati më 2012 ka pësuar shumë ndryshime emrash.
Sipas të dhënave të marra nga QKB, depozitimi i vendimit të asamblesë së përgjithshme, datë 20.01.2020, tregon se është vendosur: Shitja e 80% të kapitalit të shoqërisë, nga ortaku Kastrati Construction (shitësi) tek Edmond Ademaj (blerësi).
Ky i fundit ka qenë në atë kohë, i punësuar si administrator dhe e gjeti veten pronar, pasi ortaku Kastrati Construction i shet 80% të kapitalit që zotëron në shoqëri. Në të njëjtën kohë, ortaku Altin Kodra i ka shitur pjesën tjetër 20% të aksioneve.
U morën masat që ky subjekt të mos kishte asnjë ngjashmëri me të parin, madje edhe adresa e e-mailit nga eltion.lako@kastrati-group.com u bë edmond.ademaj1@gmail.com.
Kompania qysh nga ky vit është drejtuar herë nga Edmond Ademaj dhe herë nga Eltion Lako.
Më e rëndësishmja, u ndryshua emri dhe nipti. Më 17 janar 2020 është vendosur që emri i subjektit nga KASTRATI ENERGY” të bëhej “EZ-5 ENERGY”, që vazhdon ta mbajë edhe sot.
Qëllimi ishte që kjo kompani të futej në tregun e energjisë elektrike. Kështu në 2022 u licencua nga ERE për prodhim dhe shitje energjie elektrike fotovoltaike. Kjo pasi kompania kishte përfituar nga ministrja Balluku të drejtën e ngritjes së parkut Fotovoltaik në Povelçë të Fierit.
Mbi këtë bazë, është marrë një kredi e madhe që duhet shlyer, sepse aksionet e kompanisë i kanë kaluar Raiffeisen Bank. Me datë 24.08.2022, u lidh marrëveshja siguruese, midis shoqërisë “EZ-5 ENERGY” sh.p.k (barrëdhënësi) dhe shoqërisë “RAIFFEISEN BANK” sh.a, (barrëmarrësi), me objekt: Krijimi i një barre siguruese mbi pasuritë e luajtshme të barrëdhënësit, mbi 100% të kuotave që z. Edmond Ademaj zotëron në shoqërinë “EZ-5 ENERGY” sh.p.k. Dhe tani, për shlyer kredinë, Shefqet Kastrati dërgon në emër të kësaj firme tenderat e karburantit që ia japin institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore.
Ndërsa në QKB, kompania e mësipërme nuk ka asnjë licencë aktive, sidomos mungon ajo për shitblerjen e karburanteve.
Pavarësisht se ky tender është firmosur nga drejtori Leonard Hako, dokumentet janë prova edhe për dosjen e kryetares së Bashkisë në SPAK, por sidomos për transaksionet e oligarkut Kastrati. Kujtojmë se në 17 maj 2024, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako u paraqit në SPAK. Deri tani kryetarja është pyetur për inceneratorin e Tiranës dhe marrëveshjen e nënshkruar me bashkinë e Durrësit për trajtimin e mbetjeve atje.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post