Një 40-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike në Maltë, pasi dyshohet se gëlltiti një sasi lënde narkotike në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit nga policia.
Ngjarja ndodhi këtë të dielë rreth orës 11:00, në zonën e Gjirit të Shën Palit, në rrugën Triq il-Halel.
Mësohet se, policia ndaloi automjetin pasi konstatoi se drejtuesi dhe pasagjeri nuk kishin vendosur rripat e sigurimit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë kontrollit, efektivët gjetën te pasagjeri një dorezë metalike për grusht dhe një substancë të dyshuar si drogë.
Kur policia tentoi ta arrestonte, 40-vjeçari bëri rezistencë dhe u përpoq të largohej, duke gëlltitur edhe lëndën e dyshuar narkotike. Ai u transportua me urgjencë në spitalin Mater Dei, ku u konstatua në rrezik për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, një 42-vjeçar shqiptar, tentoi gjithashtu të largohej, por u kap dhe ndodhet në paraburgim. Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu një sasi e konsiderueshme e një substance të dyshuar si kokainë dhe dy thika. Një efektive policie pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.









Discussion about this post