Drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli, nis tenderin e madh prej 73 milionë eurosh për mirëmbajtje rrugësh, ku pritet të ndahet fondi mes oligarkëve që zakonisht marrin paratë pa bërë asnjë lloj shërbimi. Sot në mëngjes në orën 8.00, sapo është ulur në zyrë, Gjyli ka firmosur lejen për shpalljen e prokurimit për çdo kontratë. Në fakt, siç ndodh zakonisht, negociatat kanë përfunduar në prapaskenë përpara se të shpallet tenderi.
Këto tip kontratash u futën si stil pune i ARRSH me një projekt të Bankës Botërore në vitin 2017, kur qeveria shqiptare mori një kredi të madhe për këtë qëllim. Banka Botërore ishte edhe financuesja e projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate” me një vlerë prej 65.9 milionë eurosh. Projekti me kontrata pesëvjeçare rezultoi një dështim i plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërkohë që paratë e marra me kredi përfunduan në xhepat e oligarkëve si Salillari me shokë.
Këtë herë janë në lojë më shumë lekë për këtë projekt gjigant i cili mbetet në letër sepse rrugët vazhdimisht bllokohen nga bora në dimër ose degradojnë me gropa dhe plasaritje.
Këto kontrata shpërndahen pa ndonjë garë të mirëfilltë siç është fryma e ligjit mbi prokurimet. Kompanitë e favorizuara nuk bëjnë mirëmbajtje dhe kjo reflektohet sidomos në dimër. Marrim si shembull kontratën e parë. Loti i parë ka si objekt “Mirëmbajtje me performancë rruga “Han i Hotit – Tamarë, D/Grabom – Doganë, Tamarë Vermosh (Doganë)” (gjatësia totale 64.3 km)” për të cilin janë vënë në dispozicion 3.1 miliardë lekë. Afati për dokumentet e këtij tender do të jetë deri më 29 korrik 2024. Kjo kontratë në 24 maj 2022 iu firmos për 30 muaj nga ish drejtori Berberi kompanive NDERTUESI 2014 shpk – JUBICA shpk. Tenderi u dha pa garë në atë kohë dhe Open Data Albania e shënoi me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit.
Për këtë rrugë ka ankesa nga përdoruesit sepse ka pasur vazhdimisht bllokime. Megjithatë dy firmat arkëtuan jo pak, por 4.1 miliardë lekë pa TVSH.
Fill pas kësaj kontrate, më radhë është lotin 2 me objekt “Mirëmbajtje me performancë rruga “Koplik – Bogë, Bogë – Theth, Dedaj – Razëm” (gjatësia totale 67.3 km)”, për të cilin do të shpenzohen 3.2 miliardë lekë. Tenderin e ka fituar me “Flamur të kuq” Jubica SHPK, e njëjta kompani që ka marrë edhe segmentin e mësipërm “Hani Hotit-Tamare…”, Më poshtë ju paraqesim një video që tregon gjendjen e rrugës vitin e kaluar kur bllokohej nga bora.
Kjo lloj “mirëmbajtje” nuk shërben për përdoruesit e rrugës që paguajnë me taksat e tyre kreditë që merr qeveria për këtë qëllim.
Ndërkohë diçka tjetër që vëmë re është se çdo kontratë ka të dhënat të njëjta në preventiv ku përshkruhen punët që do bëhen.
Kryesisht janë pastrim i anësorëve të rrugës, të barishteve dhe kanaleve në atë të rrugë, sigurisht edhe për ato rrugë ku ekzistojnë kanalet kulluese.
Me të njëjtin afat me të njëjtin përshkrim vazhdon edhe loti 3 me objekt “Mirëmbajtje me performancë rruga “Harku i Bërdicës – Velipojë (Vilun), Ura (Ere) e Bunës – Shirokë (fillim pedonalja), Baks – Rrjoll, K.Bushat – Bisht Jugë” (gjatësia totale 49.4 km)”. Për këtë kontratë do të shpenzohen 1.4 miliardë lekë. Këto janë rrugë kryesisht të reja. Për shembull rruga e Velipojës mori një buxhet me lekë që kaloi në llogarinë e kompanisë “Gener 2” në vitin 2019. Pse duhet të paguhet një shumë e tillë, kur për dëmtime që mund të ndodhin, brenda 10 vjetëve duhet të përgjigjet vetë kompania që ka bërë ndërtimin apo rikonstruksionin?
Ndërkohë po të shohim lotin 4, kuptojmë që bëhet fjalë për akse rrugore të cilat nuk kanë ndriçime, kanalizime, trotuare, pra nevoja për mirëmbajtje është vetëm pastrimi i shkurreve. Loti 4 ka si objekt Mirëmbajtje me performancë rruga “D/Qafë Laç – Koman (Trageti), K/Vau i Dejës Nënshat (kufi me Lezhën)” (gjatësia totale 45.3 km). Ky aks tani është në gjendje të mirë, dhe të patën për një periudhë të gjatë nuk do bëhet asnjë investim mirëmbajtje aty. Por, nga ARRSH janë vënë në dispozicion 1.6 miliardë lekë.
Sapo të hidhemi te loti 5 shohim se në grafiku i punëve është edhe mbushja e gropave të krijuara në rrugë. Përmes këtij loti parashikohet mirëmbajtja e aksit Mirëmbajtje me performancë rruga “Qafë Mali – Fierzë” (gjatësia totale 57.3 km) dhe i është vënë në dispozicion fondi 1.9 miliardë lekë, Ku në fakt puna që do ketë mirëmbajtësi atje është vetëm pastrimi anësorëve të rrugës që shpesh mbushen me gurë.
Afro 1.1 miliardë lekë janë vënë në dispozicion për lotin 6 që ka si objekt Mirëmbajtje me performancë rruga “Lezhë – Hoteli i Gjuetisë, K/Balldre – Bisht Jugë, Lezhë – Nënshat (Kufi me Shkodrën)” (gjatësia totale 43.4 km). Një tjetër aks rrugor që një pjesë është në gjendje të mirë dhe pjesa tjetër duhet rikonstruktim dhe jo thjeshtë mirëmbajtje. Këtë gjë e tregojnë edhe fotot të publikuara në dokumentet e tenderit.
Loti 7 ka si objekt : Mirëmbajtje me performancë rruga “Lezhë (D/Grykë Manati) – Ura e Matit (e trenit), Ura e vjetër Milot – Ura e re Milot (e Trenit), Rrëshen (Ura e Fanit) – Ura e Matit (e vjetra), K/Milot – Ura e Matit (e Trenit)” (gjatësia totale 36.6 km). Për këtë kontratë janë vënë në dispozicioni 1.3 miliardë lekë. Ky fond të do shpenzohet vetëm për të pastruar barishtet në ankesën e rrugës, te paktën kështu shihet nga fotot dhe të dhënat e preventivit. Deri në vitin 2021 lekët e mirëmbajtjes tek Ura e Milotit i merrte Salillari shpk, më pas Udha Shpk mori segmentin nga Ura deri tek “Kthesa e lapidarit”.
Tek loti i 8 shohim se është rritur fondi. Sipas të dhënave në dokumente për tenderin me objekt “Mirëmbajtje me performancë rruga “Rrëshen (U.Fanit) – Shpal, Shpal – Q.Bene – K.Hadroj, Shpal-Ura e Repsit” (gjatësia totale 58.7 km)”, do të shpenzohen 2.3 miliardë lekë.
Ish-drejtori që ndodhet në burg për korrupsion, Evis Berberi i ka dhënë 1.9 miliardë lekë për këtë segment biznesmenëve Zek Kaza dhe Pëllumbesha Martini për kontratën 4 vjeçare deri në janar 2025. Gjyli me padurim e firmos tenderin 6 muaj para mbarimit të kontratës. Shikojeni në foto sesi është katandisur ky aks rrugor.
Pra, siç duket nga fotot sipër kuptohet se paratë nuk janë përdorur për mirëmbajtje por për të ushqyer korrupsionin e Evis Berberit. Kujtojmë se ky tender përfundoi në KPP për shkak të ankesave të bizneseve, por pas heqjes së pezullimit në atë kohë, fituan dy kompanitë që e kanë aktualisht nën përgjegjësi rrugën.
Ndërkohë me lotin 9 është rritur edhe më shumë fondi. Ky lot ka si objekt Loti 9: Mirëmbajtje me performancë rruga “Kukës – Krumë, Kukës – Ura e Zapodit, Ura e Zapodit – Shishtavec (Doganë)” (gjatësia totale 54 km) dhje i janë vënë në dispozicion 2.6 miliardë lekë.
Një pjesë e kësaj rruge në vitin 2022 i ishte dhënë për mirëmbajtje biznesmenëve Mehdi Lala dhe Ylber Elezi.
Kjo është situata e rrugës së Shishtavecit që jepet vazhdimisht për mirëmbajtje, në një foto të vitit 2022. Zoti Gjyli duhej ta dijë se me kaq para ky aks rrugor mund të rikonstruktohej nga e para.
Epo ARRSH nuk ka këtë synim, por vetëm të qarkullojë këtë super fond në xhepat e biznesmenëve të favorizuar. Përmendim këtu lotin 10 që ka si objekt Loti 10: Mirëmbajtje me performancë rruga “Kukës – Bushtricë (Vasije)” (gjatësia totale 34 km), ku gjithashtu tek punimet janë të përfshira pastrim gurësh dhe shkurres, me fond 1.3 miliardë lekë.
Në vazhdim vjen tenderi me objekt Loti 11: Mirëmbajtje me performancë rruga “Krumë – Qafë Prushi, Golaj (K/Plepa) – Kam”, (gjatësia totale 40.4 km). Për këtë segment qytetarët shqiptarë do paguajnë 1.4 miliardë lekë.
Loti i 12 ka si objekt Loti 12: Mirëmbajtje me performancë rruga “Bajram Curri – Valbonë, U.Bujanit – Q.Morinë (doganë), Sopot – Kërnajë, Q.Mejdan – Tropojë – Bucaj” (gjatësia totale 57.8 km). Ky aks rrugor është në gjendje të mirë dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje të shumta, por do të gllabërojë nga buxheti i shtetit 2.3 miliardë lekë.
Në të njëjtin nivel është akorduar edhe fondit për lotin e 13 me objekt Loti 13: Mirëmbajtje me performancë rruga “Fierzë – B.Curri (Varrezat e Dëshmorëve), B.Curri – Cërrnicë, D/Sopot – Kam, Dushaj – Sheshi i trageteve – Lekbibaj” (gjatësia totale 59.8 km).
Edhe aksi Loti 14: Mirëmbajtje me performancë rruga “Peshkopi (K/Rr.Tomin) – D/Kuben – Vasije, U. Cerenecit Sebisht (Borovë)” (gjatësia totale 57.3 km) do të marrë 1.6 miliardë lekë, por me sa tregohet në preventiv ka nevojë vetëm për prerjen e degëve të pemëve që kalojnë nga ana e rrugës.
Kontratat e 15 ka si objekt “Mirëmbajtje me performancë rruga “Ura e Matit – Kthesa e Lapidarit – Rrëshen, K/Rrugën Kombëtare – Ulëz, Qafë Bualli – Krastë” (gjatësia totale 48.8 km)”, për të cilën gjithashtu do të shpenzohen 1.6 miliardë lekë.
Duke i marrë në konsideratë të gjitha kontratat, katër rajone të Shqipërisë në total do të prokurohen 73 miliardë lekë me kohëzgjatje 4 vjet. Nga këto veçojmë Rajonin Qendër Perëndim Tiranë, me 10 lote, me një vlerë totale rreth 16 miliardë lekë dhe kontrata e tretë e mirëmbajtjes përfshin rajonin Jugor Gjirokastër me fond limit prej rreth 15 miliardë lekë për 11 akse të ndryshme që synohet të mirëmbahen, ndërsa i fundit është Rajoni Qendër Lindje Korçë, me rreth 12 miliardë lekë. Rrjeti Rrugor Kombëtar përbëhet nga rreth 3600 km rrugë, teksa mirëmbajtja përfshin detyrat e mirëmbajtjes rutinë dhe ato periodike. Mirëmbajtja rutinë konsiston në detyra që janë të nevojshme për të mirëmbajtur funksionimin e rrugës, siç janë riparimet e gropave, pastrimi i drenazhimeve, vulosja e plasaritjeve, prerja e vegjetacionit, etj. Ndërkohë që, mirëmbajtja periodike konsiston në masa më të kushtueshme, në mënyrë që të parandalohet degradimi i rrugëve, siç është nivelimi, drenazhimet, rimbushjet, mbishtresat me asfalto – beton, etj.
Opozita do të duhej të mbikëqyrte se si do të shpërndahen këto lekë dhe të kërkojë llogari si u zbatuan kontratat 24 dhe 30 mujore që akoma nuk kanë përfunduar. Ndërkohë, SPAK, do të ishte mirë të t’i marrë këto kontrata një nga një dhe t’i shqyrtojë në kuadër të dosjes së të pandehurit Evis Berberi.
Kujtojmë se pak kohë më parë, Kompania ‘Geci.shpk’ u kallëzua penalisht nga policia për shkak të mos mirëmbajtjes së rrugës Ura e Ulzës në Shkopet. Ndërsa vetëm pak javë më parë u shemb segmenti i rrugës së sapondërtuar në Rrugën e Ersekës, në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post