Një nga biznesmenët e përjashtuar nga torta e kontratave të mirëmbajtjes së rrugëve u ka nxjerrë të palarat 8 tenderave të firmosura nga drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli. Vlera totale e prokurimeve të ankimuara nga “Rej” shpk është afro 12 miliardë lekë. Në një raportim të mëparshëm, Gijotina.com tregoi me fakte se kriteret e tenderave të mirëmbajtjes bëhen për kompani të paracaktuara të cilat marrin paratë dhe shpesh nuk kryejnë punën.
Faktet na ka dhënë menjëherë të drejtë dhe tashmë kriteret e vendosura për dhënien e kontratave janë denoncuar në KPP nga kompania e Luan Rejit.
Sipas ankimimeve të paraqitura në Komisionin e Prokurimit Publik, për 8 prokurime është kërkuar modifikimi i kritereve pasi janë bërë për të favorizuar një operator ekonomik.
Kështu, ankimuar Loti 1: Mirëmbajtje me performancë: Librazhd – Fushë Studë – Borovë – Sebisht (35.5) + Urakë – Golik, (8.6). L= 44.1 km
Sipas ankimuesit, procedura e quajtur “mirëmbajtje rutinë dhe dimërore” është krejt evazive dhe e paqartë duke e lënë hapësirë për vlerësime dhe interpretime subjektive të anëtarëve të komisionit.
Një tjetër rrugë e prokuruar është “Loti 2: Mirëmbajtje me performancë Gramsh – Molle Grabovë (kufi Korçë) (23.7) + Gramsh – K/Drizë (6.9) + K/Drizë – Banje (8.7) + K/Drizë – Kaçivel (Elbasan) (6.6) + Drize – Poroçan (Kanioni i Holtes) (8.7). L = 54.6 km”. Mirëmbajtja e kësaj rruge ka fondin limit 175842112 lekë.
Sipas dokumentit që citojmë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur “kritere kufizuese që janë bërë me qëllim favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomik”.
Ndërsa tenderi i tretë është një skandal më vete. Fjala është për Loti 3: Mirëmbajtje me performancë: Korçë – Ersekë (Rruga e re) (34.2), dhe Deg. Q. e Qarit – Ersekë (Rruga e vjetër) (25.1), L = 55.9 km. Kjo është një rrugë e re e sapo mbaruar dhe u bë e njohur për publikun pas shembjes së një pjese të rrugës kur sapo ishte inauguruar. Më 16 shkurt 2024 u shemb një pjesë e rrugës dhe pas kësaj SPAK nisi hetimin për ARSH dhe firmën e kontraktuar. Këtu, 17 kilometra të lotit 2 Korçë-Ersekë kanë kushtuar afërsisht 50 milion euro. Segmenti ka standard normal të kategorisë C dhe vetëm një korsi. 1 kilometër i saj ka kushtuar 3 milion euro. Por pavarësisht kësaj, rruga ka 10 vjet që nuk mbaron. Punimet për pjesën e parë (atë që ka rrëshqitur) duhet të ishin dorëzuar në vitin 2022, ndërsa për të gjithë veprën në prill të këtij viti.
Tenderi është fituar nga kompania A.N.K. në pronësi të vëllait të ish-deputetit socialist Ndue Kola, ndërsa kompania ka marrë afro 4 milion euro shtesë për punime të paparashikuara. A.N.K fitoi koncesionin për ndërtimin e rrugës me gjatësi 17 km Milot-Balldren me vlerë 310 milion euro, projekt që u braktis pasi dështoi të siguronte paratë nga bankat.
Duke shpërfillur hetimet e SPAK për shpërdorimin e fondeve në këtë segment rruge, drejtori i ARRSH jo vetëm që nuk e ngarkon riparimin e rrugës tek kompania përgjegjëse, por e fut tek programi i mirëmbajtjes. Duke u bashkuar me pjesën tjetër të rrugës së vjetër, mirëmbajtja do të hajë 177439235 lekë.
Ndërkaq, Loti 4: Mirëmbajtje me performancë: Unazë – Ersekë (2.1) + Ersekë – Leskovik (42.8) + Rr. Leskovik – Tre Urat (Doganë) (13.7), L = 58.7 km do të marrë 112066021 lekë për 4 vjet.
Po ashtu, i ankimuar është tenderi për Lotin 5: Mirëmbajtje me performancë: Libonik – Lozhan – Molla Grabovë (kufi Gramsh), L = 53.1 km që e ka fondin limit 165257579 lekë.
Theksojmë se gjithmonë kur ka rënë borë, këto rrugë janë bllokuar sepse kompanitë e kontraktuara nuk kujtoheshin të hidhnin kripë. Tenderi tjetër i ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik është Loti 6: Mirëmbajtje me performancë: rruga K/Zemblak – Goricë – Doganë (32.1), + Bilisht – Miras (15.4), L = 47.5 km. Fondi limit për këtë tender është jo pka, por 191331834 lekë.
Një tjetër tender i vënë tashmë në fokusin e shqyrtimit nga KPP është Loti 7: Mirëmbajtje me performancë: Korçë – Voskopojë (18.23) + Libonik – Rëmbec – Plasë (12.2), L = 30.4 km.
Objekti i ankesës së fundit lidhet me Loti 8: Mirëmbajtje me performancë: rruga K/Podgorie (Lapidari) – Kryqëzim Liqenas, (19.6) + K/Boboshticë – Dardhë (13.6), L = 33.2 km.
Mirëmbajtja në bazë të performancës parashikohet të mbulojë këto akse sipas procedurave të shpallura për të paktën 48 muaj apo për 4 vjet.
Në të gjitha procedurat e përmendura më sipër, komisioni i Gjylit ka vendosur kushte specifike ku kufizohet pjesëmarrja ose rrezikohet skualifikimi qysh në fillim i kompanive. “Duke parë se cilat janë ato aspekte të dokumenteve të tenderit për të cilat nuk lejohet mbështetja në kapacitetet e operatorëve të tjerë ekonomik, lehtësisht arrijmë në përfundimin se këto kufizime janë bërë me qëllim favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomik. Sipas vlerësimit tonë, përdorimi i kufizimeve në këtë mënyrë është subjektiv dhe aspak objektiv. Ne si operatorë ekonomikë të interesuar dhe me shumë përvojë në këtë procedurë prokurimi kërkojmë që ky kushtëzim të hiqet fare dhe të lejohet që operatorët ekonomik të mbështeten tek çdo kapacitet i operatorëve të tjerë ekonomikë, ose në të kundërt të kërkohet që përveç kritereve që nuk lejohet mbështetja të mos lejohet kjo tek operatorët e tjerë as për xhiron vjetore, as për makineri, ose fuqi punëtore. Kjo kërkesë e jona do ishte me vend për arsye se krijon kushtet për një garë të ndershme dhe të barabartë mes konkurrentëve duke respektuar në këtë mënyrë qëllimin dhe parimet kryesore të parashikuara në ligjin e prokurimit publik”, citojmë denoncimin e bërë nga kompania pjesëmarrëse në tenderin e ARRSH.
Ndër kushtet e tenderit është paraqitja e dokumenteve për punë të ngjashme gjatë 10 vjetëve, ndërkohë që kriteret financiare apo kapacitetet teknike kërkohen për tre vitet e fundit. Po ashtu, nuk qartësohet, nëse kjo do të jetë kontratë pune apo shërbimi.
Kujtojmë se në krye të administratës së ARRSH është vendosur së fundmi Gentian Gjyli, i cili zëvendësoi Evis Berberin.
Më 13 mars 2024, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Evis Berberi, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai dyshohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, nën arrest kanë përfunduar po ashtu dhe dy sipërmarrës, të lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lame, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post