Biznesmeni Gerond Meçe i cili, në bashkëpunim me baxhanakun e kryeministrit, fiton miliona euro nga tenderat e AKSHI-it, nuk paguan sigurimet shoqërore të punonjësve. Kjo është bërë e ditur nga një informacion i Tatimeve për muajin shkurt 2025, që citohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili e ka përjashtuar kompaninë “Advanced Business Solutions– ABS” Shpk nga një tender.
Bëhet fjalë për prokurimin e KLGJ me objekt “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)”. Aty është kuptuar se kompania ka mashtruar me të dhënat e paraqitura.
Shoqëria “Advanced Business Solutions– ABS” Shpk në formularin përmbledhës të vetëdeklarimit, ka deklaruar se: “Të gjithë punonjësit janë të siguruar për muajt Nëntor 2024, Dhjetor 2024, Janar 2025 dhe Shkurt 2025.” Por, sipas vërtetimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve (Nr. T12734577, datë 11 mars 2025), të paraqitur nga vetë kjo shoqëri në tender, rezulton se për muajin Shkurt 2025: Janë paguar 0 lekë kontribute për 0 punonjës”, konstaton komisioni i vlerësimit të ofertave i tenderit të KLGJ.
Në aplikimin e kompanisë së Meçes dallohet edhe një gabim që flet më shumë për rutinën e korrupsionit. Dokumentet thjesht janë letra për të mbushur dosjet, që nuk kanë lidhje me vlerësimin e ofertave apo me punën që do të bëhet.
“Në përmbajtjen e kontratës së bashkëpunimit, autoriteti kontraktor është identifikuar si “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)”, ndërkohë që procedura e prokurimit është zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ky është një gabim thelbësor, që tregon se kontrata nuk është hartuar për procedurën konkrete dhe si e tillë, nuk mund të konsiderohet dokument valid për qëllime të kualifikimit”, shkruhet më tej në shkresën e KLGJ për Agjencinë e Prokurimit Publik. Zyrtarët e kësaj të fundit flenë gjumë, ose janë në fushatë, sepse duhet ta kishin kapur faktin që Gerond Meçe po i merr tenderat pa i pasur letrat në rregull.
Dy miliardë lekë qyl: Biletat online të muzeve
Gerond Meçe është mësuar tek AKSHI, që e ka si shpellën e Ali Babës. Ndërkohë Meçe ka marrë nga Mirlinda Karçanaj 4 miliardë lekë në dy tendera të zhvilluar paralelisht me procedurën që organizonte KLGJ.
Më konkretisht, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i ka dhënë bashkimit të operatorëve “Advanced Business Solutions – ABS Shpk, që mbulon me 94 % dhe Synapse ATS Shpk, kontratën “Biletimi qendror Online për Muzetë dhe Sitet e Trashëgimisë Kulturore. Përmirësimi i sistemit të Biletimit elektronik dhe platforma e shitjes së biletave”.
Fondi limit për këtë kontratë është 213,795,898 Lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 6 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje nga nënshkrimi i kontratës. Meçe e kishte futur kontratën në xhep qysh në dhjetor 2024, por përmbajtja e saj u bë publike vetëm në prill 2025.
Ajo që duam ta nënvizojmë është se tenderi është krejt formal dhe i paracaktuar. Kështu njëri nga operatorët ekonomikë, “NAOL” SHPK është paraqitur fiktivisht (nuk ka paraqitur dokumente) duke rezultuar ofertë me zero lekë.
Ndërsa “Advanced Business Solutions – ABS” dhe Synapse ATS, ka bërë ofertën 192,416,400.00 Lekë me Tvsh.
Nuk ka lekë për ndihmën e ekonomike, por Gerondi merr 2 miliardë për regjistrimin e tyre
Ndërsa tenderi tjetër i përfituar sërish nga dy kompanitë, “Advanced Business Solutions – ABS Shpk, dhe Synapse ATS Shpk, ka si objekt “Përmirësimin dhe Integrimin e Sistemeve të Menaxhimit të Informacionit për Ndihmën Ekonomike, Personat me aftësi të Kufizuar dhe Shërbimit Social”. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje. Fondi limit për këtë shërbim është 226,460,451 Lekë pa TVSH. Edhe në këtë tender të AKSHI-it është prezentë kompania “NAOL” SHPK, e cila nuk bën ofertë. Ndërsa kompania e Meçes ka fituar me ofertën 214 896 000 Lekë me TVSH.
Partner biznesi me baxhanakun e Ramës
Me Mirlinda Karçanajn biznesmeni Meçe i merr tenderat pa problem edhe pa paguar sigurimet e punonjësve. Sasia e fondeve të firmosura nga Karçanaj për llogarit të Gerond Meçes është rekord.
Deri në dhjetor 2024, më shumë se 53 milionë euro tendera të AKSHI-t, janë përfituar nga kompanitë e shtetasit Gerond Meçe. Ky i fundit, pasi ka përfituar tenderat, nga AKSHI, ia ka kaluar punimet kompanive të Armand Frangut, i cili është gjithashtu ortak i Gerond Meçes në dy kompani.
Nga të dhënat publike të prokurimeve rezulton se kompanitë e Gerond Meçe, janë përfituesit e 53 milionë eurosh tendera nga AKSHI. Meçe është ortak biznesi i Armand Frangut, i njohur si baxhanaku i Kryeministrit Edi Rama. Kompania ABS, e përdorur nga Meçe për të fituar tenderat e AKSHI-t, ka një rritje galopante të xhiros nga viti 2012, kur deklaronte xhiro 131 milionë lekë e deri në vitin 2024 kur xhiro ka arritur në mbi 18 milionë euro.
Baxhanaku i kryeministri Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA inc ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto firma kanë si objekt shërbimet IT.
Nga ana tjetër, Ermonela Denaj, drejtoreshë e I-gov pranë AKSHIT, është njëkohësisht kunata e Gerond Meçes, njeriut që merr tenderat nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe më pas kanalizon te Armand Frangu. Denaj gjithashtu ka qenë në disa projekte edhe si përgjegjëse për zbatimin e kontratës, duke pasur konflikt të hapur interesi, me biznesmenin Gerond Meçe. E kuptojmë që Meçe ka gjetur partnerin e duhur për pazaret me AKSHI-n, por nuk e shpjegojmë dot përse nuk u paguan në kohë sigurimet e punonjësve?
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post