Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e cilësoi të ligjshëm arrestimin e ish-kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve vendore të vitit 2023 nën dyshimet për blerje votash.
Në vendimin e saj, të marrë unanimisht të martën e 10 nëntorit, Gjykata e Strasburgut thekson se arrestimi i Belerit ishte i justifikuar dhe nuk kishte shkelje të Konventës Evropiane në lidhje me vendosjen e tij në paraburgim.
Megjithatë, Strasburgu i jep të drejtë Fredi Belerit për afatet e qëndrimit të tij në paraburgim, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë shkelur nenin 5 paragrafi 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit “Çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet gjatë procedimit; dhe lirimi mund të kushtëzohet nga një garanci që siguron paraqitjen në gjykim”.
“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstaton se ka pasur shkelje të Nenit 5, paragrafi 3, të Konventës, pasi, të paktën nga data 19 korrik 2023 e në vazhdim, paraburgimi i kërkuesit nuk mbështetej më në baza të mjaftueshme.
Gjykata vendos që shteti i paditur t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data kur vendimi bëhet i formës së prerë, 450 euro për dëm jopasuror, për vazhdimin e pajustifikuar të paraburgimit, si edhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore”.
Në vendim, Gjykata e Strasburgut rrëzoi kërkesën e Belerit për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë periudhës kur nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Fredi Beleri u arrestua më 12 maj 2023, nën dyshimet për shitblerje votash, ndërsa dy ditë më vonë, në zgjedhjet vendore të atij viti, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës. Ai nuk arriti të betohej dhe të merrte detyrën për shkak të paraburgimit. Më pas u dënua me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
gijotina.com/









Discussion about this post