Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza (QSUNT ) është parajsa e mashtruesve, që prej dy dekadash zhvatin buxhetin e shtetit me tendera pa garë. Këto prokurime tashmë organizohen nga Operatori i Berjeve të Përqendruara, në varësinë e njeriut të besuar të Edi Ramës, ministrit Blend Gonxhe. Nën këtë ombrellë komisionet e tenderave firmosin praktika korruptive duke mos respektuar ligjet anti-korrupsion.
Një tender i tillë, në mungesë konkurrrence është zhvilluar në fund të vitit të kaluar, për furnizimin e spitalit me materiale mjekësore. Kompania e favorizuar është “FEDOS” shpk me pronar Orion Strugën. Prokurimi zhvillohet me një konkurrent të vetëm. Ligji shqiptar, me arnimin që i ka bërë kryeministri Rama, i lejon këto lloj procedurash. Shpesh këto tendera më shumë se mungesë konkurrence në treg, shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paracaktuar klienteliste. Këto prokurime konsiderohen të ekspozuara me risk për korrupsion.

Open Data Albania e ka shënuar tenderin me “Flamur të kuq” që sinjalizon korrupsionin e mundshëm. Bëhet fjalë për kontratën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me objekt “Loti 3 – Materiale mjekësore pediatrike, kirurgjikale të përgjithshme dhe terapia intensive”.
Fondi Limit i caktuar për këtë furnizim me afat 2 vjet është 84 512 855,00 lekë pa TVSH ose mbi 1 miliard lekë përfshirë TVSH. Është një listë mallrash mjekësore që gjenden me cmime dhe cilësi të ndryshme në treg dhe nuk ka pse të prokurohen me një pjesëmarrës të vetëm. Sipas pasojë, oferta e Strugës është gati sa fondi limit: 82 748 000,00 lekë pa TVSH.
Tenderi ka shpallur përfituesin e tenderit më 27 nëntor 2025, duke i hapur rrugë firmosjes së kontratës.
Kompania e kapur në mashtrime mbështetet nga Rama
Kryeministri Edi Rama firmosi me VKM një listë kompanish që u majmën me kontrata sekrete gjatë pandemisë. Njëra prej tyre ishte kompania “Fedos” shpk, në atë kohë në pronësinë e Fatmirit, babait të Orion Strugës.
Babë e bir kanë 2 kompani me emër të ngjashëm për të përfituar më shumë tendera: Fedos dhe Fedos Uppsala. Fakt është që Fatmir Struga i ka përfituar kontratat sekrete me dokumente false. Agjencia e Prokurimeve e përjashtoi për këtë arsye më 2022 nga mundësitë për të garuar për 14 muaj. Në vendimin e APP thuhej se kjo kompani ka paraqitur dokumentacion të rremë.

Gjatë pandemisë, në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi i qeverisë ku tregohet se i ka lidhur kontratën me objekt “blerje materiale mjekësorë për parandalimin e Covid-19”, ku ka shpallur fituese kompaninë “Fedos”. Ndërkohë që APP e varur drejtpërsëdrejti nga Edi Rama “luftonte” gjyqeve me kompaninë mashtruese, kryeministri ka bërë pazare sekrete me paratë e destinuara për blerje maskash e dorezash.

Vendimi i Gjykatës së Lartë kundër Fatmir Strugës
Mashtrimi që ka bërë “Fedos”, duke vjedhur paratë e shqiptarëve në kohë pandemie duket qartë që është fshehur dhe nga vetë qeveria. Madje edhe kompani të tjerë që qeveria ka lidhur kontrata sekretet janë denoncuar për abuzime dhe shkelje.
Saga e skandalit për “Fedos” ka filluar që në vitin 2014 dhe ka kaluar në disa faza gjyqësore. Asaj kohe, APP kërkoi pezullimin për këto kompani pasi gjatë hetimeve të kryera kishte evidentuar shkelje dhe falsifikim të disa dokumenteve. Konkretisht, APP shprehej se kishte nisur një hetim administrativ për kompaninë “Fedos” shpk në pronësi aktuale të Orion Struga, që në vitin 2013, në vijim të verifikimit të dokumenteve për tenderin “Blerje dhe vënie në punë pajisje ekzaminimi për okulistikë”. Pas hetimeve, në vitin 2014 APP arriti në konkluzionin se “Fedos” shpk kishte “keq informuar autoritetin kontrakto me qëllim kualifikimin në procedurën e prokurimit”. Në bazë të këtij konkluzioni, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi përjashtimin e “Fedos” shpk për dy vjet nga pjesëmarrja në tendera publikë. Por, ky vendim nuk u vu në zbatim, pasi kompania “Fedos” e ankimoi atë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Në atë kohë, qeveria nuk bëri asnjë reagim edhe pse kishte lidhur shumë kontrata tenderuese me këto kompani.
Gjatë procesit gjyqësor kompania pranoi se kishte dorëzuar dokumente të pasaktë për tender, por u justifikua se ky ishte një gabim i bërë nga një punonjës i papërgjegjshëm, ndaj të cilit kishte marrë masa menjëherë. Kështu, me urdhër nga lart, gjykata e shkallës së parë pranoi kërkesën e kompanisë “Fedos” dhe e rrëzoi vendimin për përjashtimin e saj nga tenderat. Por, APP si një institucion përgjegjës për verifikimin e tenderave vazhdonte të këmbëngulte se falsifikimi i dokumenteve ka qenë i qëllimshëm dhe jo një pakujdesi. Kështu, APP iu drejtua Gjykatës Administrative të Apelit. Por kjo e fundit, duke pasur një ndikim të fortë, në 2015 i dha sërish të drejtë kompanisë private.
Po në këtë vit APP, mbështetur edhe nga Avokatura e Shtetit dërguan një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku analizonin me detaje se Fedos ka shkelur në mënyrë të hapur ligjin dhe ka mashtruar për të përfituar tendera. Sërish gjykata mbajti anën e “Fedos” dhe për t’i lënë asaj rrugën e lirë e mbajti këtë çështje disa vite pezull. Dhe vetëm në shkurt të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi përfundimisht t’i jepte të drejtë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Fatmir Struga, i favorizuar me tendera fiktivë
Babë e bir në shumë tendera marrin pjesë sëbashku, duke u futur në lojë si operatorë të ndarë me dy kompanitë, që në të vërtetë janë një. Kështu në mbyllje të garës njëri nga ata do shpallet fituesi. Përmendim këtu një nga rastet, i cili është bërë edhe bujë në media për denoncimet që ka marrë. Në vitin 2021, Qendra Shëndetësore e Specialiteteve nr.1 hapi një tender me objekt ”Blerje Kite, Reagente dhe materiale konsumi për laboratorin për aparatin Nihon Coden/ ose ekuivalent i tij”. Fitues në këtë tender u shpall oligarku Fatmir Struga edhe pse kishte paraqitur ofertën më të shtrenjtë, gati sa 100% e fondit limit. Në garë ka qenë edhe kompania tjetër tij në pronësi të të birit.
Kompania e re e Strugës, ka më pak tendera të fituar më së shumti nga ky institucion në varësi të ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitali i Lezhës. Ndërsa FEDOS i madh në pronësi të të birit, është fitues i afro 300 tenderave me vlerë rreth 10 Miliardë Lekë pa TVSH.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post