Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i ka vendosur ultimatum institucioneve përgjegjëse për zhbllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, duke paralajmëruar përshkallëzim të masave nëse kërkesat e tyre nuk zbatohen.
Në një deklaratë të miratuar më 10 shtator, gjyqtarët kërkojnë zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 dhe të vendimit nr. 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Sipas tyre, situata nuk përbën thjesht një mosmarrëveshje financiare, por prek drejtpërdrejt pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin normal të gjykatave.
“Situata e krijuar nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje. Ajo prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e rregullt të gjykatave”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët argumentojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyrueshëm dhe se asnjë institucion shtetëror nuk mund të pezullojë apo kushtëzojë efektet e tij përmes akteve administrative apo interpretimeve financiare.
Ata kërkojnë gjithashtu shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve të prapambetura, duke theksuar se këto pagesa nuk mund të mbahen peng nga diskutimet për mënyrën e përcaktimit të pagave për periudhat e ardhshme.
Gjyqtarët: Kushtetuta nuk negociohet
Në deklaratë, gjyqtarët theksojnë se paga është pjesë e statusit kushtetues të magjistratit dhe një garanci konkrete për pavarësinë e tij.
Sipas tyre, paga nuk mund të konsiderohet si një favor i pushtetit ekzekutiv dhe as të përdoret si instrument për të ndikuar mbi vendimmarrjen gjyqësore.
“Paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues dhe garanci konkrete e pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Ajo nuk është favor i ekzekutivit, shpërblim që jepet sipas vlerësimit të tij apo instrument për të shprehur miratim ose pakënaqësi ndaj vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët kërkojnë që Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj të zbatojnë vendimet përkatëse dhe të mos pengojnë ekzekutimin e listëpagesave.
Ata kërkojnë gjithashtu miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 138 të Kushtetutës.
Paralajmërimi për kufizimin e veprimtarisë së gjykatave
Pika më e fortë e deklaratës lidhet me masat që mund të ndërmerren nëse pagat nuk zhbllokohen.
Gjyqtarët paralajmërojnë se, në mungesë të veprimeve të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, pushteti gjyqësor mund të përshkallëzojë reagimin deri në reduktimin dhe kufizimin e përkohshëm të veprimtarisë së gjykatave.
“Masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët kërkojnë gjithashtu ndalimin e çdo praktike administrative që, sipas tyre, pengon funksionimin financiar të gjykatave ose krijon pasiguri të përsëritur për pagat e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Kërkesa drejtuar institucioneve
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve kërkon:
– Zhbllokimin dhe pagesën pa vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;
– Zbatimin e plotë të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit nr. 435 të KLGJ-së;
– Fillimin e menjëhershëm të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura;
– Miratimin e kuadrit të ri ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese;
– Ndalimin e praktikave administrative që pengojnë funksionimin financiar të gjykatave;
– Marrjen e përgjegjësive institucionale nga organet kompetente;
– Përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ekzekutimin e pagave;
– Adresimin e situatës pranë organizatave ndërkombëtare, veçanërisht Komisionit Evropian dhe përfaqësive diplomatike;
– Angazhimin e Presidentit të Republikës për respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Gjyqtarët kanë kërkuar gjithashtu që Presidenti të monitorojë projektligjin për ndryshime në ligjin nr. 96/2016, në mënyrë që ndryshimet e propozuara të jenë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe garancitë kushtetuese të statusit të magjistratit.
Në përfundim, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve thekson se kërkesat e saj nuk janë objekt negocimi.
“Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Detyrimi ligjor nuk mbahet peng. Pagat duhet të zhbllokohen dhe vendimi duhet të zbatohet menjëherë”, përfundon deklarata.
Gjyqtarët shprehen se do të vijojnë të ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjësi ndaj qytetarëve, por paralajmërojnë se heshtja dhe vetëpërmbajtja institucionale nuk duhet të interpretohen si pranim i një situate që, sipas tyre, cenon pavarësinë e gjyqësorit.
Tiranë, 10 shtator 2026










Discussion about this post