“Një superordiner. Njeri që në çdo tavolinë thotë ‘do shkoj në Gjykatë të Lartë e për këtë vras njeri, jo më të dënoj një deputet të PD-së’”. Kështu u shpreh këtë të enjte deputeti demokrat Ervin Salianji për gjyqtarin Genti Shala, i cili ishte pjesë e trupës gjykuese – bashkë me Elona Toron dhe Iliba Bezati – që dha vendimin e konfirmimit të dënimit me burg për deputetin demokrat për kallëzim të rremë, pasi Salianji denoncoi publikisht vëllanë trafikant të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Po kush është Genti Shala, gjyqtari që merr vendime të diktuara politikisht dhe madje është i gatshëm edhe të vrasë për tu zgjedhur në Gjykatën e Lartë?
Pasuri e pajustifikuar
Teksa kërkon me çdo kusht të kapë karrigen në Gjykatën e Lartë, Genti Shala mbetet i rrethuar nga hije të rënda për integritetin dhe pasurinë. Në një analizë të pasurisë të tij katër vite më parë, “Birn” ngriti flamuj të kuq mbi ligjshmërinë e tyre: “Në vitin 2014, 2015, 2016 subjekti dhe bashkëshortja e tij nuk deklarojnë të ardhurat nga funksioni dhe pagat. Gjithashtu, në vitin 2010 subjekti rideklaron asetet dhe si vlerë për shtëpinë e banimit deklaron shumën 6 milionë lekë, ndërkohë që në deklarimin për herë të parë vlera e saj është deklaruar 10 mijë lekë – e përfituar nga procesi i privatizimit të banesave. Nga deklarata nuk është e qartë nëse në vitin 2010, kjo banesë është rivlerësuar dhe nëse po sa kanë qenë shpenzimet e rivlerësimit”.
Nga analiza, rezultoi që gjyqtari kishte rritur pasurinë e tij me 1.587 herë nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Gjatë seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) doli në pah se plotë 12 denoncime ishin kryer nga publiku për Genti Shalën. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI konstatoi se gjyqtari Shala ka kryer deklarime të pasakta për pasurinë, se nuk ka burime të ligjshme për justifikimit e tyre dhe të shpenzimeve si edhe nuk i ka deklaruar gjithë pasuritë. Komisioni gjithashtu konstatoi një sërë problemesh të lidhura me deklarimet e pasurisë së gjyqtarit. KPK konstatoi se gjyqtari nuk ka deklaruar pronësinë e një apartamenti me sipërfaqe 79 m2 në vitin 2003 dhe shitjen tij një vit më pas. Për një automjet të blerë në vitin 2015 prej bashkëshortes së Shalës u konstatua pamundësi financiare. KPK konstatoi balancë negative në vlerën totale 1.1 milion lekë gjatë gjithë periudhës kur është shtrirë hetimi administrativ. Trupa gjykues e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar, transferoi për inspektim në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë një çështje të subjektit të vitit 2017.
Pavarësisht probleme të konstatuara, Genti Shala ia doli të konfirmohej në detyrë në shkallën e parë të vetingut, teksa kopsiti letrat për të mbuluar bilancet negative dhe për të ‘bindur’ komisionin se apartamenti problematik që u evidentua në seancën dëgjimore i përkiste në të vërtetë tezes së tij.
ONM kërkoi shkarkimin nga detyra
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vlerësoi më pas se gjyqtari i Apelit Genti Shala duhet të shkarkohej nga detyra.
ONM arsyetoi se hetimi i Komisionit, i cili e konfirmoi Shalën në detyrë në gusht të këtij viti, nuk është i plotë dhe se kërkohej rishikimi i dy kritereve; atij të pasurisë dhe profesionalizmit. Në rekomandim thuhet gjithashtu se ndaj Shalës kishte ardhur në datën 10 nëntor një denoncim anonim, sipas së cilit gjyqtari akuzohet se ka fshehur pasurinë.
Sipas shënimit të përfshirë në rekomandimin e ONM, denoncuesi shprehej se Shala ishte aksioner me 15 për qind në një kompani ndërtimi – “Sky 07 Construction sh.p.k”, me administrator Leonard Lulaj.
“E shoh të arsyeshme t’u vë në dijeni pasi pala shqiptare “nuk arriti” të verifikonte aksionet e z.Shala dhe bëhet fjalë për 15 për qind të aksioneve që disponon në këtë firmë (emri i anonimizuar). Për këtë informacion është në dijeni i gjithë qyteti i Shkodrës,” thuhej ndër të tjera në denoncim, ku ishin përfshirë foto dhe ekstrakti i një kompanie nga regjistri i Qendrës Kombëtare të Biznesit.
“OMN beson se është e nevojshme të bëhet hetim shtesë për të ekzaminuar: Denoncimin anonim të paraqitur pranë OMN në 10 nëntor 2020, i cili mund të bëhet pjesë e dosjes së rivlerësimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe që Komisioneri Publik duhet t’ia sjellë në vëmendje”, thuhet në rekomandim.
Veç denoncimit, ONM kërkoi rivlerësim të kriterit të pasurisë, përfshi transaksionet për një apartament të blerë në vitin 2007, analiza financiare e subjektit dhe “një kontratë huaje që sipas informacioneve nga Ministria e Drejtësisë ka një akt noterial të vitit 2015”.
Sipas ONM-së, kontrata e huasë e vitit 2015 nuk është hetuar nga Komisioni dhe nëse hetohet mund të ndryshojë të dhënat në analizën financiare. Po ashtu, vëzhguesit arsyetojnë se një sërë vlerësimesh të KPK mund të mos qëndronin në analizën e Kolegjit.
“ONM beson që aplikimi korrekt i standardeve ligjore dhe financiare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për analizën fianciare për vitet 2003-2016 dhe çështjet e lidhura me apartamentin 79 metra katrorë, mund të nxjerrin elementë që së bashku me gjetjet nga hetimi shtesë dhe analizimit të një vendimi të Gjykatës së Apelit ( i cili është referuar për masë disiplinore nga Komisioni), mund ta shtyjnë trupën e rivlerësimit që të vendosë për shkarkimin e gjyqtarit”, thuhej në rekomandim.
ONM i tërhoqi vëmendjen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit edhe mbi referimin disiplinor të Shalës. Si në raste të ngjashme, Operacioni tha se KPK nuk ka qenë e qartë në këtë vendimmarrje.
“Komisioni para transferimit të çështjes për disiplinë, do duhet të arrijë në përfundimin dhe identifikojë arsyet që përbëjnë shkelje disiplinore,” thuhej në rekomandim. Sipas ONM, KPK duhet të vlerësonte nëse shkeljet disiplinore cënonin apo jo besimin e publikut te drejtësia dhe vetëm pas këtij vlerësimi, të merrte vendim nëse ato duhej t’i kalonin një organi tjetër.
Në fund, ONM referoi se vetëm pas shqyrtimit të këtyre elementëve mund të arrihej një përfundim mbi rastin e gjyqtarit Shala.
“Në mendimin e ONM, nuk është e mundur që të konfirmohet një subjekt në detyrë nëse ka disa çështje që së paku mund të dëmtojnë besimin e publikut nëse nuk shqyrtohen në mënyrë korrekte,” thuhej në rekomandim.
Pas rekomandimit të ONM-së, komisioneri publik Florian Ballhysa ushtroi ankim duke mbështetur konstatimet e vëzhguesve ndërkombëtare dhe i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rihetojë gjyqtarin Shala, përfshi denoncimin anonim dhe një kontratë huaje të vitit 2015, që rezulton e pahetuar nga KPK.
Komisionieri Publik, Darjel Sina që mbështeti ankimin në KPA u tërhoq më pas nga kërkesa për shkarkimin e Shalës. Ndërkohë, trupa gjykuese me relatore gjyqtaren Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz, vendosën me shumicë votash lënin në fuqi të vendimit të konfirmimit.
Kështu, Shala e kaloi pa u lagurin lumin edhe këtë herë për tu kthyer më pas në mercenarin e Gjykatës së Apelit, duke dhënë urdhra politikë si ky i fundit, vetëm e vetëm në këmbim të karriges.
Discussion about this post