Gjyqtarja e Gjykatës së Vlorës, Atalanta Zeqiraj u përball të hënën më 28 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjmore paraqiti qëndrimin e saj për gjetjet në të tri kriteret e rivlerësimit. Procesi i vetingut për gjyqtaren Zeqiraj po kryhet nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Atalanta Zeqiraj përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, e ushtron funksionin prej 7 vitesh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Gjatë seancës dëgjimore u relatuan më së shumti konstatime lidhur me pasurinë në përdorim dhe zotërim, që kanë si burim të ardhurat e siguruara nga babai i subjektit të rivlerësimit, prej aktivitetit të tij privat – gjetje për të cilat Zeqiraj foli shkurtimisht.
Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Relatori Ilia tha se nuk janë gjetur probleme edhe në 6 denoncimet e kryera nga publiku për disa çështje.
Zeqiraj ka deklaruar përdorimin pa kundërshpërblim të një apartamenti me sipërfaqe 74 m2 në Vlorë, të blerë nga babai i saj në vitin 2015 kundrejt çmimit 3.8 milionë lekë.
Ilia tha se pagesa e vlerës për këtë pasuri rezulton të jetë kryer nga babai i subjektit të rivlerësimit. Ai shtoi se babai i gjyqtares rezultonte të ishte ortak i vetëm i një shoqërie të regjistruar prej tij në vitin 1996, që operon në fushën e ndërtimit.
Sipas relatorit Ilia, subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2015 burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie dhe se dokumentet e dorëzuara prej saj deri në këtë moment procedural të rivlerësimit, nuk sqarojnë në mënyrë shteruese burimin e ligjshëm që ka shërbyer për shlyerjen e çmimit.
Komisioni konstaton se gjyqtarja Zeqiraj ka përdorur pa kundërshpërblim edhe një apartament tjetër të blerë nga i ati në Tiranë në vitin 2014. Sipas Ilias, subjekti ka pretenduar se babai nuk mund të jetë person i lidhur në këtë rast, pasi nuk është pasuri e dhuruar prej tij. Ajo ka dorëzuar edhe dokumentacionin e shoqërisë së zotëruar nga i ati lidhur me të ardhurat e përfituara në atë periudhë.
“Apartamenti është blerë në vitin 2014, kur subjekti i rivlerësimit po kryente stazhin. Nuk është povuar legjitimiteti i vlerës 50 mijë euro që ka shërbyer për blerjen e kësaj pasurie nga babai”, tha relatori Ilia.
Komisioni ka hetuar edhe pasurinë që zotëron bashkëjetuesi i gjyqtares, Sh.Xh., një autoveturë tip Benz i blerë në vitin 2014 në shumën 5000 euro, për të cilën Zeqiraj ka shpjeguar se e ka dhënë babai i saj në formë ndihme.
Ilia pohoi se dokumentacioni i dorëzuar prej subjektit për të vërtetuar të ardhurat e të atit nga shoqëria që ai administron, nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar burimin e ligjshëm.
Ai shtoi se subjekti nuk ka provuar në mënyrë shteruese edhe burimin e krijimit të një vlere 200 mijë lekë të dhuruar nga babai në vitin 2014. Sipas KPK, subjekti nuk e ka pasqyruar dhurimin e kësaj shume në deklaratën e vitit 2014, por vetëm në atë të vitit 2015. Ilia sqaroi se subjekti kishte shpjeguar se mosdeklarimi kishte qenë një harresë.
Në fjalën e saj, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer për procesin e rivlerësimit të saj. “Jam dakord me procesin dhe u qëndroj të gjitha shpjegimeve me shkrim. Nga momenti që kam nisur detyrën, jam përpjekur të jem e ndershme dhe profesioniste, edhe pse në Vlorë ku e kam ushtruar detyrën, nuk është aq e lehtë,” pohoi Zeqiraj.
Ajo evidentoi se gjetjet janë për ndihmën e dhënë nga babai. “Ai ka bërë atë që do të bënte çdo prind”, tha Zeqiraj dhe shpjegoi se ishte ndarë nga prindërit që në moshën 10 vjeçe, pasi ishte arsimuar në kolegj.
Zeqiraj theksoi se babai e kishte blerë apartamentin në Tiranë kur ajo kishte qenë në stazh, ndërsa apartamentin në Vlorë, e kishte blerë para se ajo të kishte gjykuar ndonjë çështje në gjykatën e rrethit të Vlorës.
“Kam qenë shtatzënë kur u dekretova. Nuk kam dashur të ma dhurojë dhe do e blej vetë apartamentin tim. Kam dashur të bazohem tek shpatullat e mia. Unë kam marrë vetëm një makinë dhe 200 mijë lekë nga babai,” pohoi Zeqiraj dhe shpjegoi se deri tani nuk kishte mundur të blinte shtëpinë e saj, pasi kursimet i kishte shpenzuar për shëndetin e fëmijës.
Zeqiraj theksoi se në shpjegimet e dhëna në Komision e kishte provuar pozicionin e saj real me këto dy pasuri.
Komisioni konstaton gjendjen e subjektit në situatën e konfliktit të interesit, pasi deri në vitin 2016 ajo ka figuruar në të njëjtën certifikatë familjare me familjen e origjinës, ndërkohë që i ati ka përfituar fonde publike.
Duke iu referuar ndryshimeve ligjore të vitit 2014 të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, relatori Ilia tha se subjekti i rivlerësimit duket se ka qenë në shkelje të këtij ligji gjatë përfitimit të fondeve publike nga shoqëria e të atit. Ai tha se Zeqiraj ka dorëzuar dokumente dhe shpjegime që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Lidhur me konstatimin për konliktin e interesit, Zeqiraj shpjegoi se ishte njoftuar për këtë situatë në vitin 2015 nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI. Ajo shtoi se kishte njoftuar menjëherë të atin dhe ai kishte dhuruar kuotat.
“Nga viti 2015 e në vijim, babai nuk ka fituar asnjë punë publike në Vlorë. Nuk kam gjykuar asnjë çështje për institucionet në të cilat shoqëria e zotëruar prej babait ka përfituar punë publike”, theksoi gjyqtarja Zeqiraj.
Subjekti iu përgjigj edhe interesit të anëtares së trupit gjykues, Etleda Çiftja lidhur me situatën e saj kur ishin blerë dy apartamentet. Zeqiraj shpjegoi se nga tetori i vitit 2014 deri në shtator të 2015-ës, së bashku me magjistratët e tjerë të brezit të saj, kishin pritur dekretimin.
Ajo sqaroi se apartamentin në Tiranë e kishte përdorur vetëm për disa muaj dhe se gjatë kohës tjetër ishte në përdorim të vëllait. Për apartamentin në Vlorë, Zeqiraj pohoi se është përdorur prej saj në pjesën më të madhe të kohës, veç rastit të tërmetit të dy viteve më parë dhe gjatë periudhës së plazhit, kur është përdorur edhe nga familjarët.
Zeqiraj këmbënguli se babai nuk mund të konsiderohej person i lidhur, pasi nuk ia kishte dhuruar këto pasuri.
Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e kryer nga KPK, ka rezultuar një blancë negative në shumën 314 mijë lekë.
Relatori Ilia pohoi se në këtë analizë nuk është përfshirë vlera 3.8 milionë lekë që ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Vlorë në vitin 2014. Ai vijoi se, nëse nuk të arrihet të provohet burimi i ligjshëm që shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, atëherë do të përfshihet në analizën financiare.
Në analizë nuk është përfshirë edhe vlera 200 mijë lekë e dhuruar në vitin 2014, pasi deri në këtë moment të hetimit administrativ nuk është provuar ligjshmëria e burimit. Relatori Ilia pohoi se gjithë provat dhe shpjegimet e dorëzuara nga subjekti të vlerësohen para vendimarrjes përfundimtare.
Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj deklaroi se këtë detyrë e kishte parë si një sakrificë dhe jo si privilegj. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 30 qershor, ora 09:45./ Reporter.al