Skualifikohen të gjitha kompanitë pjesëmarrëse përveç fitueses në supertenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për godinën e re të Laboratorëve të ISHP. Në këto kushte do të ishte transparente që tenderi të anulohej për të marrë oferta të përshtatshme. Gjithsesi nuk është hera e parë që ministrja Ogerta Manastirliu vijon tenderin me vetëm një kompani. Kjo është shenjë e fortë se fondi mund të abuzohet nga veprimet dhe mosveprimet zyrtarëve të Shëndetësisë, sektorit ku është korrupsioni më lartë me fondet.
Në përshkrimin e shkurtër të kontratës nënvizohet se “Ndërtimi i godinës së re të Laboratorëve në ISHP” do të realizohet me fondin limit
384,988,709.39 (treqind e tetëdhjetë e katër milion e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e nëntë.39) lekë pa TVSH. Afati për zbatimin e kontratës është 16 muaj nga njoftimi për fillimin e punimeve.
Cilat kompani skualifikoi Ogerta Manastirliu?
Tenderi u shpall për herë të parë më 26 Qershor 2023, por njoftimi i fituesit do të zvarritej deri në mes të gushtit 2023. Në fillim paraqitën ofertat 7 kompani ndërtimi, por pesë prej tyre u përjashtuan me justifikime.
Siç duket në krye të tabelës, kompania më ofertën më ekonomike ishte DION-AL shpk, e cila ofroi 282’890’577.64 (dyqind e tetëdhjetë e dy milion e tetëqind e nëntëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë.64) lekë pa TVSH. Janë 100 milionë lekë më pak se sa fondi limit. Pra, shihni se çfarë fitimi i krijojnë zyrtarët e Shëndetësisë atij që do ta marrë tenderin. Komisioni e skualifikoi menjëherë këtë firmë me pretendimin qesharak se nuk i kishte shkruar me fjalë, por vetëm me numra ofertën në disa zëra të preventivit.
Po ashtu, një pikë tjetër, aktivizimi në të njëjtën kohë në një kontratë të Bankës Botërore, që duhet të ishte plus për kompaninë, është sjellë si shkak për përjashtim firmës në fjalë. “Arsye” tjetër renditet edhe një gabim aritmetik, i cili në fakt nuk e cenonte nivelin e ofertës, për më tepër mund të korrigjohej.
Siç e pranon vetë komisioni, pas “përllogaritjeve zyrtare” vlera e ofertës pa TVSH duhet të ishte 289’800’944.31 lekë, pra sërish mbetet më e lira.
Ndërkaq, kompania S I R E T A 2F SHPK ofroi 305,280,497 lekë;
ALBA KONSTRUKSION SHPK dha ofertën 306’942’515.35 lekë; Bashkimi i operatorëve AGRI CONSTRUCTION SHPK & K A C D E D J A shpk kërkoi 342’831’733.20 lekë; Bashkimi i operatorëve AURORA KONSTRUKSION SHPK & DESARET COMPANY shpk ofroi 353’613’604 lekë; Bashkimi i operatorëve BE – IS SH.P.K & 2 T shpk me ofertën 355’307’385 lekë dhe GENERAL TRADING sh.p.k u prezantua pa ofertë ekonomike.
Tenderi është shënuar me “Flamurin e kuq” nga Open Data pasi ekziston risk i lartë korrupsioni me fondin e prokuruar. Meqenëse u skualifikuan të gjithë, në tryezë mbeti vetëm propozimi i AGRI CONSTRUCTION shpk dhe KACDEDJA shpk me ofertën e shtrenjtë 342’831’733.20 (treqind e dyzet e dy milionë e tetëqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre.20) lekë pa TVSH.
Sidomos skualifikimi i dy kompanive që kishin oferta me nga 50 nderi në 60 milionë lekë më të lira se sa fituesja dhe rreth 100 milionë më poshtë fondit limit, tregon se Ogerta Manastirliut nuk i dhemb për paratë e taksapaguesve, por llogarit fitimet e saj.
Kompani partnere që bëjnë sikur janë në garë
Nëse gërmojmë pak përtej letrave të këtij tenderi do të zbulojmë se disa kompani pjesëmarrëse janë pjesë e fasadës dhe bashkëpunojnë me zyrtarët e Manastirliut dhe me kompaninë fituese.
Së pari, fituesja e këtij tenderi me pronar Petrit Patushin është një kompani e privilegjuar nga Erion Veliaj, e cila ka fituar nga Bashkia Tiranë tenderë pa garë për “asfaltime rrugësh” para zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.
Po ashtu, kjo kompani ka qenë si bashkim operatorësh në vitet e kaluara me tre nga pjesëmarrësit aktualë në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për godinën e laboratorit, me 2T shpk, BE-IS shpk dhe Sireta 2F shpk.
Në këtë tabelë duket qartë se BE- IS, 2T, Kacdedja shpk dhe Agri Construksion shpk janë paraqitur në një projekt të përbashkët dhe kanë përfituar nga fondi i rindërtimit nga tërmeti në Tiranë, prokuruar nga Erion Veliaj.
Ndërkaq, siç shihet në dy dokumentet më poshtë, Patushi i Agri Construction është partner u vjetër me Sireta 2F shpk duke u paraqitur shpesh si koalicion kompanish për të marrë tenderë nga disa bashki dhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.
Pra, nga 7 pjesëmarrës në tender, 3 janë partnerë të vjetër biznesi dhe një tjetër paraqitet në mënyrë fiktive. Vetëm kaq mjafton që ky tender të quhet nul. Ndërsa Ministrja Manastirliu duhet të thirret në SPAK që të pyetet: Pse i “mbyll sytë” para tenderit të rregulluar me marrëveshje?
Partneri në biznes i Petrit Patushit është Skënder Kacdedja i implikuar vazhdimisht në aferat e tenderëve me shkelje. Më 16 janar 2013 ishte rasti më flagrant, kur fitoi tenderin 1.8 milionë euro me objekt “Rikualifikimi urban i zonës “Kodra e Diellit” – Faza II”. Për këtë prokurim kishin paraqitur ofertat e tyre 10 kompani. Veliaj i skualifikoi menjëherë të gjitha në shqyrtimin e parë dhe ia xhiroi pa garë paratë firmës në pronësi të Skënder Kacdedjas.
Sikur të mos i mjaftonin tenderët për laboratorët, Manastirliu ka dhënë një koncesion të laboratorëve në shkelje të ligjit. Procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e këtij shërbimi me koncesion janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe po hetohen për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
“Mbi bazën e materialit hetimor të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është regjistruar procedimi penal nr.18, datë 31.01.2022 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike,” deklaroi SPAK në korrik 2022.
Ndërkohë, për koncesionin e sterilizimit është arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Në total, SPAK ka lëshuar 8 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. ‘Arrest shtëpie’ është vendosur për Saimir Kadiun drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Kirurgu Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është në detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur për Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. SPAK ka thirrur edhe ish-ministrin e Financave Shkëlqim Canin dëshmitar. Për këtë çështje u mor në pyetje ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ish-ministri Ilir Beqja.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post