Me postin e ri si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, mori në dorë edhe Operatorin e Blerjeve të Përqendruara. Dhe qysh në fillim nuk u është ndarë fondeve të spitaleve që i shpërndan përmes tenderave korruptivë.
Pak javë më parë në denoncuam prokurimin abuziv me fondet e Spitalit Psikiatrik në Elbasan, sërish këtë herë Gonxhe qëndron afër institucioneve shëndetësore të këtij qyteti. Konkretisht vjen me dy tendera njëkohësisht, që të dy me shkelje ligjore..
Tenderët pa garë
Njëri prej prokurimeve ka si objekt “Shërbim i Lavanderisë dhe hotelerie për Spitalin Rajonal Elbasan”. Kontrata do të zgjasë 2 vjet dhe firma që do të lajë çarçafët dhe këllëfët e spitalit do të përfitojë rreth 1.3 milionë euro.
Tenderët për shërbimet e spitalit duhen bërë me urgjencë, por kurrsesi nuk mund të kalohen shpejt e shpejt procedurat duke anashkaluar ligjin, pasi në këtë rast vihet në diskutim një shumë e madhe parash.
Por, Operatori i Blerjes me drejtoreshë Arlinda Pogajn, në varësi 100% të Blendi Gonxhes, si Autoritet Kontraktor i këtij tenderi ka shkelur ligjin mbi prokurimet. Kështu, pas 30 ditëve afat për dorëzimin e ofertave, arriti vetëm një propozim nga firma “ABI’S” SH.P.K. E po si të marrin pjesë kompanitë e tjera në këtë tender, kur fituesi është i paracaktuar.
Më 31 korrik 2024, kur është mbajtur tenderi, procedura duhej të ishte ndalur për mungesë konkurrence.
Pa e zgjatur më tej çështjen, drejtoresha e Gonxhes ka zhvilluar procedurat më datë 15 korrik, por si duket komisioni ka qenë me pushime dhe më datë 4 shtator 2024 është njoftuar publikisht kontrata në Agjencinë e Prokurimeve Publike.
Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. Përshkrimi i filtrave të monitoruesit thotë se tenderi ka mungesë konkurrence.
Dy tendera në një ditë për të njëjtin spital
“ABI’S” SH.P.K. rezulton të jetë e regjistruar m emrin ‘DEVIS shpk’ në pronësi të Kristinka Lekës dhe është favorizuar vazhdimisht në tenderat me objekt lavanteritë e spitaleve. Kontratat janë marrë gjithmonë me shkelje nga zyrtarët dhe që janë vlerësuar me “Flamur të kuq”. Në spitalin e Elbasanit kjo kompani është kliente e rregullt e fondeve për këtë qëllim. Nuk është e qartë përse Spitali ka vazhduar të bëjë tendera për lavanderinë, ndërkohë që ky shërbim ka kaluar në duart e Blendi Gonxhes qysh në fund të vitit të kaluar.
Kështu më 22 korrik 2024, kompania e Kristinka Lekës ka marrë tender me negocim nga drejtori i spitalit, Agron Gaxho, ndërkohë që Blendi Gonxhe nga krahu tjetër po i jepte paratë për dy vjet për shërbimin e lavanderisë së Qendrës Spitalore “Xhafer Kongoli” Elbasan. Pra, Kristinka Leka në këtë rast është “qengji i urtë që pi dy nëna”. Dokumenti i mëposhtëm tregon kontratën e marrë nga kompania paralelisht me tenderin që po i jepte Gonxhe.
Për këtë tender, drejtori Gaxhi ka marrë nga Open Data Albania dy “flamuj të kuq”, që janë shenja e riskut të korrupsionit.
Sipas raportimeve të shumta në media, pronarja zyrtare e kompanisë së mësipërme është bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijës së Lefter Lamajt. Ky i fundit rezulton të ketë qenë themeluesi i kompanisë “D E V I S” SH.P.K. por që në datë 16.01.2008 ia ka kaluar të gjitha aksionet shtetases Kristinka Leka. Sipas mediave mësohet se Lamaj është arrestuar në vitin 2017 në Shqipëri dhe më pas u ekstradua në Itali. Ekstradimi u krye sepse në Itali ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për shkak të dhënies së masës së sigurisë “Arrest me burg” për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Sipas mediave të vendit fqinj, Lamaj cilësohej si një ndër bosët e padiskutueshëm të prostitucionit në Piacenza mes viteve 1990 – 2000. Në fakt, për Gonxhen kjo shkelje e ligjit nuk kanë rëndësi, por ne e sqarojmë për lexuesin, se personat me precedentë penalë nuk lejohet të marrin pjesë në tenderat publikë (pavarësisht se me letra del në rregull).
Abuzohet edhe me ushqimet!
Një tjetër kontratë e dhuruar që lidhet me këtë spital është ajo e “Shërbim gatimit dhe aplikimi i ushqimit, për Spitalin Rajonal Elbasan”, me fond limit 1.5 milion euro. Kontrata duke përfshirë TVSH pritet të arrijë në 1.8 milionë euro. Në këtë tender komisioni ka vlerësuar ofertën e firmës “JUNIK”, edhe pse ishte më e lira. Pas këtij veprimi, stafi i Gonxhes duhej të anulonte procedurën për mungesë konkurrence.
Por, situata është përsëritur, kontratat i është dhuruar më 16 korrik 2024 bashkimit të operatorëve
“GERTI – 1987” sh.pk – “SILVER” sh.pk, me ofertë 1.5 milionë euro. Pra kemi ofertën më të shtrenjtë, sa 100% e fondit limit dhe dhënie kontrate pa garë!
Menjëherë Open Data Albania ka ngritur “Flamurin e Kuq”, për të tërhequr kështu vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, por Agjencia e Prokurimeve i kalon pa reaguar këto tendera.
Më datë 4 shtator 2024, kontratat është bërë publike, duke na treguar edhe njëherë se si fondet e shëndetësisë shkojnë në duart e biznesmenëve të korruptuar. Kujtojmë se firma “GERTI – 1987 sh.pk është e njohur për abuzime me tenderët.
Nga kërkimet tona del se, kompania “Gerti 1987” shpk e cila është në pronësi të Elgert Laskajt është krijuar në vitin 2012 dhe sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit ka patur bilance negative për vitin 2015, 2016 dhe 2019 edhe pse xhiroja vjetore ka qenë e lartë.
Ajo është ndihmuar shumë nga bashkëpunimet me firma të tjera, që bëjnë kërdinë me ushqimet e spitaleve. Elgert Laskaj, është bashkëpronar me Olta Sharrën, gruan e Gentian Sharrës, në kompaninë e ndërtimit MPED-XH GROUP. Kompania po hetohet nga SPAK për pastrim të parave të krimit.
Ndërsa Gonxhja iu xhiron kompanive të këtyre personazheve miliona euro të Shëndetësisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post