Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ka thënë se këtij institucioni shpesh i kërkohet llogari jashtë tagrit që mbulon duke ushtruar kështu presion dhe cënim të pavarësisë.
“Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, shpesh herë ka element që ndikojnë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari që janë jashtë tagrit të saj, ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyjë në detaje. Për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem”, tha Sejko.
Deputeti i PS-së Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë këkrkoi nga Banka e Shqipërisë që të bëjë një parashikim mbi kursin e këmbimit, pasi industria dhe bujqësia po humbet nga zhvlerësimi i valutave.
“Do doja mobilizim të bankës për parashikueshmërinë e kursit të këmbimit”, tha Braçe.
Duke e konsideruar kursin e këmbimit ‘djallëzor’ guvernatori u përgjigj se është e pamundur të parashikohet kursi i këmbimi, dhe forcimi i valutave do të ndodhë vetëm nëse ekonomia dobësohet.
“Është e pamundur të bësh parashikim të kursit të këmbimit, është shumë djallëzor. Kursi i këmbimit natyrisht ndikon negativisht në prodhim apo tek ata që i kanë të ardhurat në euro. Duke qenë se kemi emigracion në rritje kemi të ardhura në euro që humbasin përfituesit. Duhet të kemi një ekonomi të dobët që të forcohen valutat”, tha Sejko.
Sejko njoftoi po ashtu se për 9 mujorin e këtij viti janë tërhequr nga tregu 800 milionë euro, nga 930 milionë euro që ishte totali i valutës së blerë vjet.
“Ne nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në treg për të mbrojtur industri të caktuar, nuk është në tagrin tonë. Prodhuesit duhet të mbrohen me masa fiskale, jo me politika nga Banka e Shqipërisë. Ne kemi tërhequr deri më tani 800 milionë euro dhe shifra do të rritet edhe më tej, por ne nuk i publikojmë që të mos nxisim spekulime në treg”, tha Sejko.
Nderkohe nga 1 korriku kredia për blerje banesash u kufizua me vendim të Bankës së Shqipërisë në mënyrë që bankat të mos ekspozohen më tej në këtë treg, pasi volumi më i lartë i kredisë që japin bankat shkon për këtë sektor.
Guvernatori tha në Komisionin e Ekonomisë se masat e marra, janë më shumë parandaluese ose mbrojtëse të sistemit bankar që të mos përsëritet kriza e 2008-ës.
“Për tregun e pasurive të paluajtshme, është një treg që po zhvillohet. Ne e shohim tregun në tërësi në raport me sektorin financiar. Shqetësimi ynë parësorë është që mos të ndikojë në kreditim, ngjashmërisht me krizën e 2008-ës kur në Amerikë falimentuan bankat dhe tregu u fry u fry deri në momentin kur çmimet ranë, ra vlera e kolateralit dhe natyrisht kreditë nuk paguheshin më. Ndaj ne kemi marrë masat tona”, thotë guvernatori.
Përpos kufizimeve Sejko tha se bankat aktualisht janë në kushte të mira ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme.
“Sistemi bankar është i kontrolluar nga ekspozimi në këtë treg, por ne kemi marrë masa për të rregulluar ekspozimin më tej në këtë treg. E rëndësishme është që rritja e çmimeve të pronave duhet të shkojë në paralele me rritjen e të ardhurave të familjeve”, tha Sejko.
Kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%.
Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa për kredinë e dytë etj. ulet në 35%.
Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Sa u përket kësteve mujore, ato do të jenë sa 35% e totalit të të ardhurave të individin për huanë e shtëpisë së parë, dhe 30% kur është kredi për të blerë një pronë të dytë apo më shumë.










Discussion about this post