Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nisi të premten seancën plenare për ndryshimet kushtetuese. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, pas një kompromisi me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet të përfshijë pakicën bullgare në Preambulën e Kushtetutës së saj.
Por, për këtë nevojiten dy të tretat e votave në parlament dhe pa mbështetjen e VMRO-së opozitare, ndryshimet nuk mund të bëhen. Kjo e fundit është shprehur kundër ndryshimeve, ndërsa akuzon qeverinë se po vepron sipas “diktatit bullgar”
Parlamenti i Maqedonisë u mblodh për të diskutuar mbi ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë në Preambulë pakicën bullgare, një kusht ky nga Bashkimi Evropian që nëse miratohet do të mundësonte vazhdimin e fazës së dytë të bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE.
Por, për këtë nevojiten 2/3 e votave në parlament dhe shumica parlamentare nuk i ka, ndërsa pa votat e VMRO-DPMNE-së së opozitës ky ndryshim nuk mund të realizohet. VMRO-ja thotë se procesi po bëhet sipas diktatit bullgar. Ajo akuzon pushtetin për tradhëti ndaj interesave kombëtare maqedonase.
Ndërkaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili është dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate thotë se 80 votat e nevojshme nuk i duhen kësaj qeverisjeje për të mbijetuar por i duhen integrimit dhe rrugës evropiane të vendit.
“Ky vendim ka një dimension të lartë shtetëror dhe për këtë duhet arsye, vizion dhe mençuri. Ju sigurojmë se ky vendim është më i miri i mundshëm; nuk rrezikon, por hapë perspektivë dhe shmang izolimin; ofron shansin e fundit dhe pengon vendnumërimin, padrejtësinë, kriminalitetin dhe korrupsionin”, tha zoti Kovaçevski, gjatë prezentimit të tekstit për ndryshimin e Kushtetutës.
Fjalimi i tij u përcoll me duartrokitje nga shumica parlamentare.
“Nëse ndryshimi i Kushtetutës do të ishte një faktor euro-integrues, ne sot do të kryesonim me Bashkimin Evropian, por nuk është kështu”, u shpreh deputetja e VMRO-së Gordana Siljanovska.
Opozita maqedonase ngul këmbë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme si opsion i vetëm i çuarjes përpara të proceseve. Kryetari i saj Hristijan Mickovski është shprehur në një intervistë të fundit televizive se “edhe nëse Maqedonia do ta plotësonte kushtin e Bullgarisë, askush nuk garanton, sipas tij, se vendi do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”.
Por, kjo retorikë e VMRO-së kundërshtohet nga Lidhja Social Demokrate dhe partitë shqiptare në pushtet:
Është interesante se VMRO-ja po përdor logjikën disjunktive në kuptimin që ose këto ndryshime kushtetuese do ta rrezikojnë identitetin nacional maqedonas – ose bllokimi i ndryshimeve kushtetuese do ta ruajë identitetin nacional maqedonas. Unë nuk mendoj kështu”, tha deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se seanca plenare për ndryshmet kushtetuese do të jetë përcaktuese për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi tha se në bazë të rregullores së punës së parlamentit për propozimin e fillimit të ndryshimit të Kushtetutës mbahet diskutim në tërësi që mund të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune.
Por, njohësit e rrethanave mendojnë se do të ketë zvarritje për muaj të tërë të procesit, megjithëse Bashkimi Evropian pret që pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut deri në muajin nëntor, në mënyrë që vendi të vazhdojë fazën e dytë të bisedimeve për anëtarësim.
Shumicës parlamentare, e cila besohet se për këtë ndryshim të kushtetutës do të ketë mbështetjen e nëntë ligjvënësve shqiptarë të opozitës apo të pavarur – i duhen edhe tetë vota të deputetëve të VMRO-së që aktualisht duket një gjë e paarritshme.
Nga ana tjetër, disa deputetë shqiptarë kërkojnë që gjatë këtij procesi të hiqet edhe terminologjia e “20 përqindëshit” që i referohet gjuhës shqipe dhe shqiptarëve në Kushtetutë e që shikohet si përçmuese nga shqiptarët, por shumica parlamentare është shprehur qysh më herët se çështje parësore tani është futja e pakicës bullgare në Preambulë.
Kryetari i Parlamentit e ndërpreu seancën në orët e pasdites, pa bërë me dije se kur do ta thërrasë vazhdimin e saj. Në vazhdim të seancës pritet të votohet hapja e Kushtetutës; më pas të ketë debat dhe në fund të votohen ndryshimet. Të gjitha këto kërkojnë dy të tretat e votave në parlamentin prej 120 vendesh./VOA
Discussion about this post