Hapja e ekonomisë shqiptare ndaj botës solli që në vitet e parat të tranzicionit rritje eksponenciale të këtij produkti. Jo vetëm tregtia e mallrave, e liberalizuar tërësisht dhe rritja e konsumit të plotësuar nga importet e ka kthyer këtë në një nga produktet më popullore të klientëve të bankave, por edhe hapja e lëvizjes së lirë dhe emigrimi masiv i shqiptarëve në këto tre dekada, kanë sjellë nevojën e shkëmbimeve apo të transfertave midis qytetareve në vend dhe atyre jashtë tij.
Transferta dalëse
Për sa u përket pagesave për tregtinë, ku principali i shumës së transferuar është më i lartë, qartazi sektori bankar mbetet dominues në ofertën për pagesa tregtare. Kjo edhe për faktin se deri tani, pagesa në llogari bankare ka qenë një standard i pranuar si nga dërguesi, ashtu edhe nga marrësi i mallit dhe shpesh, pjesë e kontratës, ndonëse edhe kjo po ndryshon me rritjen e peshës së tregtisë me vende si Kina apo të tjera vende të Lindjes së Largët, që pranojnë pagesa me kanale të tjera nga pagesat bankare.
Ndërsa në pjesën që ka të bëjë me pagesa prej ose drejt individëve, ku principali i shumës së dërguar është ndjeshëm më i vogël në krahasim me transfertën tregtare, në mënyrë të qartë, këtu zgjedhjet janë më të mëdha. Krahas bankave, edhe SFJB kanë krijuar më shumë mundësi zgjedhje për konsumatorin, duke ofruar produkte që pëlqehen e kanë marrë me kohë gjithmonë e më shumë nga pjesa e ofruar nga bankat.
Duke qenë se për këtë brez shumash principali dërgesë, SFJB kanë një ofertë shumë më të mirë se Bankat dhe një kohë dërgimi më të shkurtër se një produkt i ngjashëm bankar ndërkufitar, të parat po e tërheqin gjithmonë e më shumë klientin individ, i cili do të dërgojë një shumë të tillë jashtë Shqipërisë, duke u bërë faktor i rëndësishëm në këtë pjesë të tregut.
Ndërkohë që ecuria e pagesave kombëtare nuk u pengua shumë nga pandemia, e kundërta ndodhi me pagesat ndërkombëtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, klientët e sektorit bankar shqiptar kryen vitin e kaluar vetëm 982 mijë pagesa ndërkombëtare, në rënie të ndjeshme me pothuajse 37% krahasuar me një vit më parë. Rënia erdhi sidomos nga segmenti i individëve, me rreth 40% krahasuar me një vit më parë, ndërsa për bizneset, rënia ishte më e kufizuar, me rreth 9.5%.
Rënia e fortë në segmentin e individëve mund të interpretohet si pakësim i blerjes së mallrave dhe të shërbimeve jashtë vendit nga shqiptarët, për shkak të kufizimeve të mëdha të lëvizjes që shkaktoi pandemia. Në këto transferta përfshihen pagesat për prenotime të biletave të avionëve, të hoteleve jashtë vendit, pagesat për blerje tregtare jashtë vendit, etj.
Megjithatë, në vlerë monetare, rënia ishte më e kufizuar krahasuar me numrin e transaksioneve. Për vitin e kaluar, vlera e transfertave ndërkombëtare të iniciuara nga llogaritë e individëve ishte 54.6 miliardë lekë, 12.8% më pak krahasuar me një vit më parë. Rënia më e theksuar në numër veprimesh sesa në vlerë mund të jetë një tregues se pandemia ka ndikuar më shumë në pagesat me vlerë të vogël.
Transferta hyrëse
Ndërsa transfertat ndërkombëtare dalëse pësuan rënie të fortë, transfertat hyrëse patën ndikim më të vogël. Sipas Bankës së Shqipërisë, transferta ndërkombëtare të mbërritura në llogaritë e bizneseve dhe individëve shqiptarë ishin rreth 1.61 milionë, në rënie me vetëm 0.9% krahasuar me një vit më parë. Rënia erdhi e gjitha nga segmenti i individëve, ndërkohë që transfertat në llogaritë e bizneseve shënuan sërish rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Paralelisht të dhënat për vlerën e transfertave hyrëse në llogaritë bankare të individëve tregojnë se tashmë, një pjesë më e vogël e dërgesave hyjnë nëpërmjet sektorit bankar (rreth 37%). Gjithmonë e më shumë, klientët emigrantë po orientohen drejt kompanive të mirënjohura botërore, të cilat kanë prani fizike apo dixhitale në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë (Western Union, MoneyGram apo RIA, por edhe të tjera në vitet e fundit), por njëkohësisht janë aktive në Shqipëri prej shumë vitesh, me anë të bashkëpunimit me SFJB të licencuara lokalisht, apo edhe në një pjesë të mirë të Bankave të sistemit, në vend, duke ofruar shërbimet e pagesës ndaj individit pritës në Shqipëri.
Fakti që Shqipëria ka “eksportuar” rreth 1.5 – 1.6 milionë qytetarë në këto 30 vjet tranzicion ka bërë që remitancat të jenë një faktor i rëndësishëm në jetën e qindra mijë familjeve e njëkohësisht, në jetën ekonomike të vendit. Vëmendja ndaj emigracionit është e madhe, jo vetëm për faktin se dërgesat e remitancave janë pjesë e rëndësishme e shërbimeve të pagesave, por edhe se emigrantët janë klientë të rëndësishëm edhe në kuadrin e depozitave bankare.
E vlerësuar gjithmonë si pjesë e rëndësishme e së ardhurës kombëtare neto, flukset e remitancave janë matur që prej viteve të parë të emigracionit shqiptar në disa qindra milionë euro. Ato kanë pasur luhatje, edhe në varësi të ecurisë ekonomike të vendeve ku shqiptarët kanë emigruar masivisht.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 673 milionë eurove. Pas disa viteve radhazi në rritje të qëndrueshme, të mbështetura nga vala më e re e emigrimit të shqiptarëve në dekadën e fundit, vlera e remitancave pësoi rënie me rreth 4%.
Ndikimi masiv i pandemisë në ekonominë europiane natyrshëm ka prekur edhe ekonomitë familjare të emigrantëve dhe në këtë mënyrë, edhe mundësinë për të ndihmuar familjen e mbetur në Shqipëri. Po të shtojmë edhe të ardhurat nga puna jashtë vendit, vlera totale e remitancave arriti në rreth 894 milionë eurove, edhe në këtë rast, në rënie vjetore, me rreth 10.7%.
Sidomos në dekadën e fundit kur është rritur përdorimi i internetit apo i aplikacioneve mobile të këtyre brandeve (Western Union, MoneyGram apo RIA, por edhe të tjera në vitet e fundit, si TransferWise, Xoom, PaySend apo Remitly, etj., etj.). Oferta e tyre për emigrantët që punojnë në vendet më të zhvilluara për komisionet e këtyre shërbimeve ka shkuar në nivele shumë të ulëta dhe praktikisht janë bërë të pakonkurrueshme nga pagesa tradicionale bankare si në aspektin e kostos së transfertës, ashtu edhe për kohën e lëvrimit të principalit të dërguar.
Këto kompani janë bërë një kanal i specializuar për tregun e remitancave dhe prania e tyre masive në vendet ku kanë emigruar shqiptarët (Itali, Greqi, Gjermani, SHBA, apo Britani e Madhe) i bën një kanal i rëndësishëm për dërgimin e parave edhe nga emigrantët shqiptarë.
Duke qenë se shërbimi i transfertës i këtyre markave ndërkombëtare bëhet kundrejt pagesës totale të komisionit nga Dërguesi që në momentin kur kryhet dërgesa dhe pa asnjë pagesë nga ana e Marrësit të parave, kur ai arkëton shumën e dërguar, konkurrenca në Shqipëri në lidhje me këto shërbime bëhet në aspektin e besueshmërisë së markës përkatëse në Shqipëri gjatë viteve të operimit, përhapjes së rrjetit të tij fizik të shërbimit, por edhe me cilësinë e ofrimit të shërbimit nga subjekti lokal.
Vitin e kaluar, individët në Shqipëri morën rreth 41.2 miliardë lekë, ose rreth 333 milionë euro transferta nga jashtë në llogaritë e tyre bankare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se transfertat nga jashtë në llogaritë e individëve shqiptarë pësuan rënie për të gjashtin vit radhazi.
Krahasuar me vitin 2019, rënia e vlerës së transfertave ishte 2.1%, ndërsa krahasuar me pesë vjet më parë, paratë që vijnë nga jashtë në llogaritë e individëve janë përgjysmuar. Në afatin e gjatë, kjo tendencë ka ardhur pjesërisht nga efekti statistikor i kursit të këmbimit dhe nënçmimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun.
Efekti i kursit dëshmohet tërthorazi edhe nga fakti që, në numër, transfertat hyrëse drejt llogarive të individëve kanë një tendencë të lehtë në rritje vit pas viti. Pavarësisht nga kjo, transfertat në rrugë bankare zënë një pjesë të vogël të flukseve hyrëse nga jashtë që përfitojnë familjet shqiptare.
Në pjesën më të madhe, transfertat e emigrantëve vijnë nëpërmjet kompanive të transfertave të parave ose në rrugë informale. Ekspertët shpjegojnë se vlera mesatare e transfertave që dërgohen drejt Shqipërisë është e ulët, në intervalin 200-300 euro.
Për këto shuma, komisionet e paguara nga dërguesit pranë kompanive të transfertave janë më të ulëta krahasuar me ato të paguara për një produkt të ngjashëm te bankat tregtare të vendeve prej ku këto para dërgohen. Kompanitë e transfertave kanë gjithashtu avantazhin e mundësimit të transfertës në kohë reale, ndërsa në rrugë bankare, kryerja kërkon disa ditë pune.
Edhe 30 vjet pas nisjes së emigracionit masiv, remitancat mbeten një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, sidomos për shtresat më të varfra të popullsisë. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë ka treguar se remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Për familjet që marrin remitanca, ato përbëjnë rreth 90% të të ardhurave të tyre totale, gjë që dëshmon qartë një varësi pothuajse të plotë ekonomike prej tyre, për rreth një të katërtën e familjeve.
Nëse përfshirja financiare është një problem për gjithë shoqërinë shqiptare, për segmentin e familjeve që marrin remitanca, ky problem është edhe më i theksuar. Sipas vrojtimit, vetëm 7.5% e familjeve që marrin remitanca kanë një llogari bankare.
Kufizimi i lëvizjes solli më shumë dërgesa në kanalet formale
Megjithëse statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë rënie të lehtë të remitancave vitin e kaluar, pandemia ka sjellë zhvillime pozitive edhe në këtë segment të dërgesave. Elton Çollaku, administrator i Unionit Financiar Tiranë, thotë për revistën “Monitor” se kufizimet e lëvizjes ndërkufitare të shtetasve ndikuan ndjeshëm edhe në kanalet e hyrjes së remitancave.
“Një element tjetër që ndikoi në vitin 2020 ishte kufizimi i ndjeshëm i lëvizjes së njerëzve jashtë kufijve. Kjo solli rritje të ndjeshme të kanalizimit të transfertave nga kanalet joformale në të gjithë rrjetin e operatorëve financiarë, duke përfshirë bankat dhe subjektet financiare jobanka – SFJB. Duke mos pasur mundësi të sillnin para dorazi, nëpërmjet të njohurve apo linjave të transportit, emigrantët shqiptarë dërguan më shumë para nëpërmjet kanaleve formale. Kjo u favorizua padyshim edhe nga tarifat më të ulëta të shërbimeve online”, thotë z. Çollaku.
Përdorimi i kanaleve informale për të dërguar remitancat është një tipar i këtyre transfertave në nivel botëror. Përgjithësisht, emigrantët vijnë nga vende më pak të zhvilluara, ku edhe përfshirja financiare është më e dobët. Operatorët e transfertave të parave prej vitesh ofrojnë edhe mundësinë e kryerjes së transfertave online. Kjo formë ka ulur kostot dhe lehtësuar më shumë aksesin në kanalet formale, duke i dhënë shtysë rritjes së përdorimit të tyre.