Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar qeverisjen e Kosovës nga Albin Kurti, dhe situatat e viteve të fundit në Prishtinë.
Sipas kreut të AAK, Kosova është kthyer prapa në shumë aspekte dhe se Kurti është i gatshëm t’I vërë flakën Kosovës vetëm për hir të popullaritetit dhe pushtetit të tij.
Haradinaj, thotë në intervistën për Telegrafin se sheh një rrezik në Veri të Kosovës dhe gjithccka sipas tij vjen si pasojë e strategjisë së Kurtit.
Sa i takon Asociacionit, Haradinaj, thotë se Kosova do duhej të propozonte një Draft Statut, e tani sipas tij, dokumenti i Asociacionit quhet 1244, që i bie kthim para “Pakos së Ahtisaarit”.
Intervista:
Qeveria Kurti II i ka bërë gati tre vjet qeverisje, si opozitë, nga 1 deri në 10 çfarë note do t’ia jepnit?
Zero. E di që jemi në prag të festave dhe më vjen keq me e ngarku, por Qeveria Kurti është në minus. Pra, jo një, dy, tre, katër, por është në minus. Në shumë drejtime Kosova është kthyer prapa.
Ku mendoni që ka çaluar më shumë?
Po, ekonomia e ka vuajtur shumë gjendjen, siguria, politika e jashtme, pastaj edhe kostoja e jetës. Për shembull, vetëm rritja e çmimit të energjisë ditëve të fundit ua ka bërë jetën qytetarëve më të vështirë. Pra, nuk është se qytetarët me ardhjen e Qeverisë Kurti jetojnë pak për qind më mirë por më keq, që i bie minus realisht.
Po në politikën e jashtme?
Është zhgënjim, nuk ka asnjë sukses. Jemi të sanksionuar e të dënuar nga Bashkimi Evropian, jemi të kushtëzuar e të monitoruar prej amerikanëve në shumë tema, e mos me thënë të karantinuar realisht, Kosova është ë karantinuar. Na trajtojnë vetëm si problem.
Presidentja Osmanit dhe kryeministri Kurtit, së fundi kanë paralajmëruar se mund të ketë sërish sulme të organizuara nga grupe në veri? Si i shihni këto deklarata, a duhet të shqetësohemi për këtë?
E kam kështu një dyshim shumë të bazuar se janë në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tani ai duhet ta bëjë një veprim në mënyrë që t’ua rritë “ratingun”, këtyrë. Këta ia bënë atij (Vuçiqit) sa i kishte zgjedhjet, ai ua bënë Osmanit e Kurtit. E kam një bindje se është një marrëveshje.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e pati quajt veriun rrezik real që mund të krijohet një “Donbasi i vogël” në mes të Evropës, konsideroni që mund të ndodhë një gjë e tillë, nëse nuk zgjidhet çështja e dialogut, marrëveshjes përfundimtare?
E shoh rrezikun në veri, por rreziku vjen nga strategjia e Kurtit. Amerikanët i kanë ofru Kosovës, kryeministrit Kurti një plan të përbashkët si me e tejkalu këtë etapën e dialogut, pa u rreziku veriu – ju kujtohet ajo koha e targave, por Kurti ka gjetë një rrugë tjetër, po dëshiron ta bëjë heroin e vonuar në dëm të sigurisë. Kurti, duke e pa gjendjen jo të mirë në ekonomi, e problem të tjera me korrupsionin, ai shpreson me incidente në veri, në nacionalizëm për me e rritë “ratingun”. Kurti është në gjendje me ia shti flakën Kosovës, vetëm që ta ruajë popullaritetin dhe pushtetin e tij.
E keni quajtur kryeministrin Kurti, tradhtar. Pse?
Mendoj që ne duhet me marrë hak për Kosovën, të gjithë. Për shembull, edhe unë, sepse Kosovës i ka ndodhur njëherë një tradhti. Dikur Kurti dhe Vetëvendosje me vite të tëra e kanë sulmuar e fyer çdo vlerë të Kosovës, vetëm për me thënë se këta janë të këqij, dhe Kurti dhe Vetëvendosje janë të mirë. Kur të vijnë pastaj në pushtet, Kurti dhe LVV do të këtë zhvillim, shpresë, siguri e barazi. Pra, janë sulmu krejt vlerat, janë fëlliq, janë fyer, s’kanë lënë gjë pa fëlliqur në këtë vend dhe kur ka ardhë Kurti në pushtet, e ka tradhëtu popullin e vet, se nuk ia ka sjell ato që ia ka premtuar dikur. Pra është e kundërta e premtimeve të veta – andaj kjo është tradhti. Kur e quaj tradhti,…, cili është interesi i Kosovës. Interesi i Kosovës, ka qenë dhe është dhe mbetet i përjetshëm, ofrimi ose lidhja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, dhe hyrja në NATO. Kurti nuk po e çon Kosovën shumë më shumë kah siguria, NATO-ja, e kah zhvillimi, por ai po vazhdon me vallëzu me Serbinë, me do incidente në veri, duke mos i dëgjuar amerikanët, dhe strategjinë amerikane për me na mbajtë ne në agjendën serbe dhe ruse. Pra kjo është tradhti ndaj interesave nacionale të Kosovës. Vitin që po vjen, do të hyjmë në liberalizimin e vizave, por jemi larg pasigurisë, ndaj një lufte, ndaj incidenteve, kjo është kthim prapa për ekonominë për zhvillim, për interest ë Kosovës.
Çfarë do të bënit ju më ndryshe, nëse e marrim për bazë atë që është arritur deri me tani në Bruksel? Pra po flas për Draftin e fundit të Asociacionit?
Së pari, ju e dini në vitin 2018 kur kam qenë në Qeveri, e kam bërë Ushtrinë e Kosovës. Ne kemi pritur 20 vjet me na dhënë e drejta që ta bëjmë Ushtrinë, pa të drejtë nuk kemi mundur me e armatosë, e me e zhvillu ushtrinë e vendit. Na është dhënë ajo e drejtë, plani 10 vjeçar. Vitet nga 2018 e tani është dashur të shfrytëzohen për aftësim të Ushtrisë e sigurisë, të institucioneve të rendit dhe ligjit, për më shumë strehimore, për më shumë infrastrukturë të sigurisë…
Mendoni se deri me tani nuk është bërë asgjë?
Kurtit i ka tepruar buxheti i mbrojtjes, pra nga Ministria e Mbrojtjes i transferon në vitin tjetër, vit pas viti. Kjo është dëshmi se ne nuk jemi atje ku duhet të ishim.
Sa i përket dialogut, së pari është dashur të merrej vesh me amerikanët, çka po synojmë si do ta arrijmë,…, pastaj me e ndjekë strategjinë e përbashkët, sepse nuk bëhen çështjet e nivelit të këtillë me surpriza, si lloj taktike guerile. Nuk realizohen, janë strategji të rëndësishme, janë me peshë edhe rajonale e më gjerë. Prandaj duhet të merresh vesh me aleatët, por Kurti ka shkuar kundër. Kurti e ka tradhtu Kosovën edhe për faktin se si i ka trajtu amerikanët. Ka shkuar aq larg sa që ka arrit me e quajt naiv, ministrin e Jashtëm të SHBA-së, në një moment të caktuar. Pra kjo është tradhti ndaj popullit të Kosovës, e që e kishte shpëtim Amerikën në vitin 1999, e ka shpëtim prap. Në një rast të një situate të pasgurisë, pa SHBA-në, do ta kishim të vështirë. Nuk them që nesër nuk do t’i dalim zot vendit. Është tradhti sjellja edhe ndaj (Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës) qasja e tij dhe e minitrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla i bëjnë heronj në konferenca për shtyp, ndërsa të nesërmen Kurti ik për Norvegji… Po kanë para me pagu bileta të avionit me i kalu festat e fundvitit atje, e kohën e kanë, e s’kanë kohë me gjetë zgjidhje për ata që rrezikuan jetën.
Emisari i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, së fundi ua ka dorëzuar Draftin e Asociacionit, besoj që ju e keni lexuar. Çka do të bënit ju më ndryshe në një situatë të tillë sa i përket Asociacionit?
Mendoj që e kisha shkruar një propozim të Kosovës, çka është Asociacioni në bazë të Kushtetutës, e ligjeve tona, duke ia dorëzar Bashkimit Evropian. Kjo është ofeta e Kosovës, amerikanët dhe evropianët ia kërkonin Kurtit, një draft të tillë, por nuk e dha. Çka është edhe më e keqja, tha unë e pranoj atë por duhet ta nënshkruaj edhe Vuçiq, e tani dokumenti i Asociacionit quhet 1244, që është një çudi e madhe. Pra kjo është ajo që unë kam dilema se i kujt është ky njeri (Kurti).
Pra po thoni se Drafti i fundit i Asociacionit, bie ndesh me Kushtetuten e Kosovës?
Shikoni, nuk mundesh që me të njëjtën kaluzolë me u thirrë 1244 në Kushtetutën tonë. Ato e kundërshtojnë njëra tjerën! Ne jemi shpallë vend i pavarur.
E konsideroni që do të ketë stërzgjatje të procesit të dialogut më këto qëndrime që ka tani zoti Kurti, apo do të ketë progres, pra do të arrihet marrëveshja gjatë qeverisjes Kurti?
Kosova duhet me punu shumë me arrit një ndryshim ne qeverisje, pra Kurtin me e heq nga qeverisja, si Aleancë, jemi parti më e vogël parlamentare krahasuar me PDK-në dhe LDK-në nga zgjedhjet që shkuan. Jemi të hapur për çdolloj bashkëpunimi opozitar pa qitë kërkesa, apo kushte, pa kërkuar ndonjë post por me i përkrah partitë, me i shku prapa këtyrë dy partive që janë më të mëdhaja, në mënyrë që ta arrijmë ndryshimin, ta gjejmë formulën me arrit ndryshimin në vend. Ne jemi të hapur edhe me partitë e tjera jo parlamentare, si psh: NISMA e Fatmir Limajt, PSD-ja e gjitha partitë e tjera.
Pra në qeverisjen e brendshme, ta kthejmë sigurinë, e zhvillimin ekonomik, e po ashtu përspektiven euro-atlantike të Kosovës, njëkohësisht ta rregullojmë, shëndetësinë, arsimin edhe sektorë tjerë. Po ashtu t’i rrisim pagat, që mos të na ikin profesionistët. Kjo është detyra jonë më më e madhe për vitin 2024. Ashtu sikur dikur ka qenë i rëndësishëm një ndryshim, mendoj që ja kemi borxh Kosovës, edhe njëherë t’ia sigurojmë ndryshimin, ta sjellim një qeverisje ndryshe.
Në korrik, keni kërkuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, e cila nuk u mbështet nga partitë tjera opozitare. Mendoni se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
Nëse dy partitë PDK dhe LDK duan t’i bashkohen, mocioni i mosbesimit ekziston. Duhet me e ndalë Kurtin dhe qeverisjen e tij humbëse e cila po i shkakton pasoja, e rreziqe Kosovës. Duhet ta bëjmë së bashku, pra ne si Aleancë, po e bëjmë punën tonë me u rritë si subjekt politik, me u zhvillu dhe me të vertetë kemi një zhvillim të mirë të brendshëm e partneritet me palë tjera. Por është i nevojshëm edhe një front opozitar në rast të zgjedhjeve të befasishme që me e mujtë Kurtin.
A keni bërë ndonjë matje si parti, ku jeni me numra. Sipas sondazhit të UBO Consulting, AAK do t’i merrte shtatë deputetë?
Sondazhet po kushtojnë, më i zakonshmi 25 mijë euro, kush po i porosit sondazhet po i ka mënyrat me llojet e pyetjeve, me renditjen e pyetjeve, mostrat, marzhën e gabimit, kuptohet me favorizu veten. Ne si Aleancë nuk kemi shku me këto fabrikime. Por këto i ka ba në para zgjedhjeve, Armend Muja, tash deputet i Vetëvendosjes dhe Ermal Panduri. Ata që janë mundu me e bind Kosovën se kështu po shkon votuesi dhe kanë pas sukses njëherë, por nuk besoj që do të munden prap dikush me i mashtru qytetarët e Kosoves, me e rrejtë Kosovën.
Pse besoni që matjet e opinionit publik që kanë ndodhë tani, janë të qëllimshme?
Jemi në vitin zgjedhor, me Kushtetutë të Kosovës dhe ligje, më së largu në janar 2025 duhet me u mbajtë zgjedhjet parlamentare që i bie, vitin që vjen jemi në zgjedhje parlamentare, të cilat munden me u mbajtë edhe në pjesën e parë, viti i fundit i mandatit të Kurtit. Nëse janë të befasishme, edhe më shpejtë. Po shihet që ka tendenca me ju dhënë drejtim votuesve. I kisha bërë thirrje Prokurorisë, që sa herë që ka sondazhe, t’i intervistojnë ata që i kanë zbatu sondazhet, kush i ka financu këto sondazhe, dhe a janë financim transparent, a janë ligjor, a kanë shku përmes xhirollogarive apo mënyrave të të tjera. Këto munden me qenë edhe para të krimit e korrupsionit. Me e ditë çka po ndodhë, kush po e mashtron qytetarin e Kosovës, pasi ka pasur dyshime që Vetëvendosje, zgjedhjet e kaluara ka marrë burime të parave të armiqve të Kosovës. U vërtetua pastaj edhe tregtia e energjisë, e ato çantat me para që janë tërhequr. Kemi dëshirë që prokuroria mos me u vonu me i shiku kur po i financon dhe cili është qëllimi final. Nëse është qëllimi final me na mbajtë nën agjendën ruse ose kineze ose të serbe, ta dime pra kush me kënd është. Nuk guxojmë me i lënë pakufi njerëzit që të bëjnë eksperimente me Kosovën.
Pas një janarit pritet një fluks i të rinjve drejt Evropës, a duhet të shqetësohemi për këtë?
Së pari gëzohet që e kemi fitu liberalizimin e vizave, s’ka pasur gjë më përulëse me i shiku shqiptarët e Kosovës duke pritë para ambasadave. Është një e drejtë që na është mohuar gjatë, edhe pse i kemi pasur të plotësuara kushtet. I uroj qytetarëve të Kosovës ta shfrytezojnë të drejtën për të lëvizur lirshëm, sepse e kemi merituar. Në anën tjetër kjo i ka disa rreziqe, shpresoj që punëdhënësit në Kosovë ta përmirësojnë ofertën, shteti i Kosovës të bëjë kujdes mos me lënë asnjë qytetar pa status financiar.
A keni menduar të vizitoni krerët e UÇK-së në Hagë, dhe si e shihni procesin e gjykimit aktual të Speciales?
Nuk i kam vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë, unë po lutem që mos po vijnë ata në Kosovë. I kam vizituar familjet e tyre. Nuk e di a do të shkoj, as po as jo, por një gjë e di, nuk më ka lënë ndonjë “lezet” Haga, prandaj. Po ndodh gjykim i stërzgjatur, gjykata duhet me e repsektu të drejtën e palëve, nuk duhet me u shty në pakufi këto procedura.
Një moment tuajin qoftë të mirë apo të hidhur, gjatë kohës që keni qenë në Hagë?
Një moment i mirë sa kam qëndruar në Hagë, ka qenë shpallja e Pavarësisë së Kosovës në 2008. Ne u gëzuam shumë, serbët aty u merzitën, u gëzuan këta tjerët.
Nëse nuk do t’i kishte hy politikës, ku do të ishte sot Ramush Haradinaj?
Jam i aftësuar me disa profesione, njoh sigurinë, njoh sportin. Kam qenë i dhënë pas shkencave Matematiko-Natyrore, Fizikë, Astronomi, por s’kanë ndodhur asnjë nga këto, por do ta kisha bërë çdo punë që ma siguron jetën. Pra nuk kisha përtu me punu.
A ke menduar ta lësh politikën?
Vjen koha kur duhet të largohem nga politika. Sikur të kishim arritur anëtarësimin në NATO, të themi BAC U KRY, pra NATO është shumë me rëndësi për ne, siguria është çështje kyçe. Prandaj, hyrja në NATO do të ishte një lloj lirie…
A e kishe pranu ftesën me qëndru 24 orë në Big Brother?
Për 24 orë? Kisha mujtë, por nuk më kish pëlqy. Kur kam qenë në Hagë në burg aty është Big Brother, se ka kamera veç ata i kemi pas partner me të këqij, kam qëndru katër vjet ashtu, e këta në Big Brother, i kanë më të mirë. Ne duhet të jetojmë me ndjenjat e njerëzve të këtij vendi, me gjykime me përparësi… Edhe ajo që ndodh në Big Brother është pjesë e jetës tonë dhe e respektoj.
Discussion about this post