Presidenti Ilir Meta ka reaguar mbi shqetësimet e bëra publike rreth “Hartës së Re Gjyqësore”, e cila ka ngjallur një sërë debatesh dhe solli bojkotin e seancave nga avokatët.
Për Metën gjendja e krijuar me sistemin është e papranueshme dhe sipas tij harta e re fsheh problematikat që shqetësojnë qytetarët ndërsa shton se ajo nuk zgjidh problemin e vakancave.
REAGIMI:
Jam njohur me njoftimin publik të Këshillit të Lartë Gjyqësor , sipas të cilit Këshilli në datën 10 qershor 2022, ka miratuar aktin e Hartës së Re Gjyqësore, por dhe reagimet dhe qëndrimet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, shoqërisë civile, dhe komunitetit të biznesit, por dhe përfaqësuesve të organizimeve të tjera për profesionet e lira që janë të lidhur me sistemin e drejtësisë.
E kam ndjekur këtë proces, dhe në vijimësi dhe në mënyrë të përsëritur kam bërë thirrje përkundrejt KLGJ-së dhe aktorëve të tjerë bashkëpunues e vendimmarrës, që të tregojnë kujdes dhe objektivitet lidhur me riorganizimin e ri të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.
Përpos faktit që pas 5-vitesh pamundësie për të ushtruar funksionet themelore të saj, me 2 (dy) emërimet të reja, Gjykata e Lartë ka dalë tashmë nga zona e rrezikut e pamundësisë së funksionalitetit të plotë të saj për të përmbushur misionin dhe autoritetin e saj sublim sipas Kushtetutës dhe ligjit, situata në Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe ngarkesës së lartë është drejt kolapsit.
Kjo gjendje është e papranueshme dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë.
Si President i Republikës, prej më shumë se 3 vitesh kam kërkuar zyrtarisht dhe kam përsëritur thirrjen në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioneve të tjera qeverisëse të sistemit të drejtësisë, por dhe aktorëve dhe institucioneve të tjerë vendimmarrës se, duhet të angazhohen me seriozitet dhe me ritme më të shpejta për të plotësuar të gjitha vakancat e krijuara në sistemin gjyqësor.
Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie të pavarur, por dhe plotësisht funksional dhe efiçent. Qytetarët presin drejtësi dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme.
– Funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë dhe plotësimi i vakancave të shumta të krijuara në këto gjykata është me rëndësi jetike për vendin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
– Edhe pse kjo pjesë e sistemit të drejtësisë (Gjykatat e Apelit) prej kohësh është pranuar nga KLGJ dhe aktorët e tjerë se po shkon drejt kolapsit të plotë, sërish nuk konstatohet një angazhim i plotë, objektiv dhe gjithëpërfshirës për të marrë masat e duhura, legjislative, vendimmarrëse, apo organizative për mënyrën e plotësimit sa më të shpejt dhe me cilësi të të gjitha vakancave që janë krijuar dhe po krijohen në vijimësi në këto gjykata.
– Gjykatat e Apelit, civile, penale apo administrative, si dhe Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, aktualisht janë tejet të mbingarkuara, ndërkohë që nuk ka ende një strategji me terma të qartë kohore dhe plan-veprimi se kur kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht në respekt të standardeve europiane të ngarkesës për një gjyqtar dhe kur do të përfundojë shqyrtimi i çështjeve të mbartura që presin shqyrtimin në Gjykatat e Apelit, prej më shumë se 5-vitesh.
– Në 8 mars 2022 , i kam rikërkuar publikisht Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera të përfshira për të realizuar një proces të plotë dhe transparent konsultimi të draftit të parë të hartës së re gjyqësore; për të vlerësuar me shumë kujdes dhe mbajtur në vëmendje përpara miratimit përfundimtar, të gjitha komentet, sugjerimet, vërejtjet dhe çdo propozim që vjen nga pjesët e tjera të sistemit të drejtësisë, sidomos të atyre që janë përdoruesit realë dhe të përditshëm të sistemit të drejtësisë.
– I njëjti shqetësim është përsëritur dhe nga Parlamenti Europian në datën 19 maj 2022, i cili përmes Rezolutës së miratuar për Shqipërinë , përveç se ka mirëpritur rikthimin në funksionalitet të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ka bërë thirrje duke theksuar se, reforma e sistemit gjyqësor sipas hartës së re të gjyqësorit duhet të marrë në konsideratë opinionet e palëve të interesuara dhe kushtet socio-ekonomike të grupeve vulnerabël, dhe të përmirësojë aksesin në drejtësi dhe procesin rregull ligjor (shiko pikën 37, e në vijim të kësaj Rezolute).
Konstatoj me keqardhje të thellë, se as kërkesat dhe thirrjet e përsëritura të Presidentit të Republikës, por as të Parlamentit Europian, nuk janë marrë në konsideratë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces.
Në datë 10 qershor 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë publik se, ka miratuar aktin mbi “Hartën e Re Gjyqësore”, ku sipas njoftimit të Këshillit, ky akt është produkt i konsultimeve, sugjerimeve dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit.
Vet fakti që, prej datës 14 qershor 2022, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ka nisur një proces të bojkotimit të të gjithë seancave gjyqësore deri në datë 17 qershor 2022, në shenjë proteste ndaj draftit të hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ, tregon qartësisht se sugjerimet e Avokatëve Shqiptarë, vetëm janë administruar, por nuk janë marrë në konsideratë.
Kësaj strukture të rëndësishme për sistemin e drejtësisë (Dhomës Kombëtare të Avokatisë), mund t`i jetë marrë mendimi, por duket qartë se komentet e dhëna prej saj, nuk janë shqyrtuar sinqerisht dhe objektivisht.
Është e qartë se Këshilli i Lartë Gjyqësor, në draftimin dhe miratimin e Hartës së re Gjyqësore, është udhëhequr më shumë nga tensioni dhe/apo ngutja që kanë krijuar vakancat e mëdha në sistemin gjyqësor, pra mungesa e gjyqtarëve, dhe jo nga garantimi i një drejtësie sa më efiçente, që jepet në kohë, për qytetarët dhe e prekshme për ta dhe mbrojtësit e tyre.
Shkrirja e një numri kaq të madh të Gjykatave të Shkallës së Parë në Rrethe (13 gjykata) dhe Gjykatave të Apeleve (5 Gjykata), me justifikimin se nuk ka gjyqtarë, nuk është zgjidhja as më e mirë, as më e përshtatshme, dhe kurrësesi nuk mundet të jetë në përputhje me standardet europiane.
Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017, dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem.
Komiteti Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka konstatuar dhe bërë prezent për gjithë opinionin publik se, vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta, si dhe me keqardhje konstaton se ky vendim është në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.
Nisur nga këto zhvillime evidentoj edhe një herë se, vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë dhe prokurorë të cilët të plotësojnë numrin e madh të vendeve bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë.
Kjo situatë nuk zgjidhet me shkrirje drastike të disa gjykatave në vend, pasi një riorganizim i tillë, cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes në çështjet penale, civile dhe administrative.
Nisur nga numri i vogël i gjyqtarëve në sistem sot, por dhe nga numri i lartë i çështjeve gjyqësore stok (të mbartura dhe të pashqyrtuara), nëse harta e re gjyqësore, do të miratohet përfundimisht sipas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, atëherë natyrshëm do të kemi:
– shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.
– Kufizim/cenim të aksesit në sistemin e drejtësisë;
– Rritjen e kostove për qytetarin dhe përdoruesit real të gjykatave, si dhe gjithë profesionet e lira të lidhura me sistemin gjyqësor;
– Tronditje të sistemit gjyqësor në tërësi përgjatë fazës tranzitore;
– Përqendrim të vendimmarrjes së formës së prerë, vetëm në disa gjyqtarë në Tiranë;
– Përmes vështirësive, kohës së gjatë të pritjes për një vendim, si dhe rritjes së kostove të ndjekjes së rrugës gjyqësor, do të rritet ndjeshëm humbja e interesit të qytetarit për të ndjekur rrugën ligjore, dhe kjo natyrshëm përligj shqetësimin se mund të sjellë rritjen e fenomenit të vetëgjyqësisë.
Duke mirëkuptuar shqetësimet e Komitetit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dhe profesionistëve të tjerë të ligjit, si dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, ku thelbësor është aksesi në drejtësi dhe realizimi i një të drejte përmes një gjykate të paanshme, të caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm, i bëj thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, dhe organeve të ekzekutivit, të rishqyrtojnë me vëmendje këtë çështje, sepse qytetarët kanë nevojë për një sistem drejtësie, jo vetëm të pavarur, por dhe plotësisht funksional, eficient, në funksion të qytetarëve, dhe sa më afër tyre, dhe jo riorganizimin e tij të përqendruar që e largon drejtësinë nga qytetari.
Ky riorganizim i ekstremisht i përqendruar sipas draftit të hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ në datë 10 qershor 2022, përpiqet t’i fsheh problematikat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë sot, por nuk e zgjidh problemin e vakancave tepër të mëdha, mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe as përshpejtimin e proceseve gjyqësore dhe evadimin e stokut të çështjeve gjyqësore të mbartura dhe të patrajtuara që datojnë që prej vitit 2016-2017.
Mungesa e një strategjie dhe një plani veprimi me terma të qartë kohore se kur do të plotësohen vakancat e krijuara në sistemin e drejtësisë, për të dhënë një afat se kur kjo çështje do adresohet përfundimisht në respekt të standardeve evropiane të ngarkesës për një gjyqtar, nuk mund të rëndojë sërish mbi qytetarët, duke i kufizuar atyre aksesin në drejtësi, deri në ato nivele sa të pamundësojnë dhe vet marrjen e drejtësisë, në atë moment kur ai ka nevojë për të.
Edhe pse Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë po vuajnë shumë nga mbingarkesa e sistemit, dhe mungesës së gjyqtarëve, kjo nuk zgjidhet me përqendrimin e dhënies së drejtësisë vetëm në Tiranë.
Vetëm pas plotësimin të vakancave të krijuara me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve, sipas standardeve evropiane, mund të kishim një hartë të re gjyqësore, që objektivisht mund të trajtonte rishpërndarjen e burimeve njerëzore, sipas kërkesave të kohës, zhvillimeve ekonomike dhe sociale, por gjithëmonë sipas standardeve të BE-së.
Të gjitha këto çështje kërkojnë angazhim serioz të të gjithëve, të sinqertë, masa konkrete dhe të prekshme, veçanërisht kur kjo situatë është e lidhur drejtpërdrejtë me procesin e integrimit evropian dhe kërkesat e organeve më të larta evropiane (Parlamenti i BE-së), stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pjesë thelbësore të të cilave është dhe aksesi i plotë në sistemin e drejtësisë dhe dhënia e drejtësisë nga një gjykatë e paanshme, e caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Ndaj përsëris kërkesën që vëmendja e KLGJ-së, KLP-së, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë, dhe të gjitha institucioneve të tjera përgjegjëse, të përfshira dhe/apo të lidhura me këtë çështje, duhet të jetë e shtuar në këtë drejtim, për të respektuar parimet dhe detyrimet kushtetuese, duke hartuar e implementuar masa konkrete, të prekshme dhe objektive në funksion të realizimit të një shërbimi publik në gjykata, sa më cilësor, sa më pranë qytetarit, dhe përmes një kostoje të pranueshme në përputhje me zhvillimin dhe gjendjen ekonomike, duke rishikuar draftin që KLGj propozon për riorganizimin e sistemit gjyqësor.
Discussion about this post