Besimi i kujdesit për nipin te një i afërm është kthyer në një makth për një gjyshe me banim në një fshat të Cërrikut, pasi i mituri i ka dëshmuar se është abuzuar seksualisht.
Më 17 Gusht, gjyshja ka kallëzuar në se djali i xhaxhait të bashkëshortit të saj ka kryer marrëdhënie seksuale me nipin e saj të mitur (djalin e vajzës), nga muaji shkurt 2024 deri përpara rreth një muaji.
Kallëzimi i saj dhe marrja e dëshmisë së të miturit çuan në pranga autorin e dyshuar, i cili u arrestua disa orë pas dëshmisë së gruas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Kallëzimi
Sipas kallëzimit, gjyshja e të miturit ka deklaruar se kujdeset për nipin e saj pasi vajza e saj është ndarë nga bashkëshorti i cili nuk i ka njohur as atësinë e fëmijës. Përpara tre ditëve nga momenti i kallëzimit, i ka kërkuar nipit që të shkonte për të qëndruar tek shtëpia e të akuzuarit pasi ajo do të shkonte tek varri i nënës së saj. Nipi i ka thënë se nuk donte të shkonte atje, përndryshe ta vriste, duke i shprehur se personi në fjalë kishte abuzuar seksualisht me të. Ajo ka sqaruar se për herë të parë, nipi i saj ka shkuar tek shtëpia e të akuzuarit që ndodhet rreth 10 metra larg shtëpisë së saj private, në datat 6-7 shkurt 2024, kur asaj i ka vdekur nëna dhe se e ka lënë aty, pasi nuk kishte vend tjetër ku ta linte. Pas muajit shkurt, ka qenë aty edhe herë të tjera dhe për herë të fundit ka qenë përpara rreth një muaji. Kur nipi i saj i ka treguar për këtë fakt përpara tre ditëve, ajo nuk e ka besuar, por më datë 17 Gusht, teksa ka qenë tek toka bashkë me nipin, aty ka kaluar i akuzuari dhe nipi është trembur.
Aty ka debatuar me të duke e akuzuar se kishte bërë krim me fëmijën. Më pas, ka shkuar në shtëpi bashkë me nipin, ku aty ka i akuzuari me bashkëshorten e tij, të cilët i janë shprehur me fjalët se po u shkatërronte familjen me këto akuza. Në momentin kur ajo i ka thënë të pandehurit se do ta kallëzonte në polici, ajo dëshmon se ai e ka kërcënuar. “Ajo ka shtuar se rreth muajit shkurt, nipi i saj i është ankuar që ka patur dhimbje nga mbrapa, por në atë kohë, ka menduar se ishte dëmtuar me biçikletë. Ajo ka deklaruar se nuk ka parë shenja gjaku tek të brendshmet e nipit, por ka konstatuar skuqje të tuleve”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Dëshmia e të miturit
I mituri është intervistuar nga ana e punonjëses së NJMF në Bashkinë Cërrik, e cila ka përpiluar edhe një raport vlerësimi psiko-emocional, ku është shënuar se megjithë përpjekjet për të krijuar një marrëdhënie të ngrohtë me fëmijën, që të tregonte ngjarjen dhe veprimet e dyshuara pa u diktuar dhe me pyetje të shkurtra, ka qenë e pamundur që ai të shprehej.
Gjatë intervistimit, fëmija ka qenë nën shoqërinë e gjyshes dhe nuk ndahej prej saj, duke iu shmangur bisedës dhe duke u mbështetur pas saj kur përmendej emri i personit të dyshuar, ndërsa dukej i trembur. Pas pyetjeve të diktuara në bazë të informacionit të marrë nga gjyshja, ai përgjigjej me po ose jo dhe shprehej me shenja duke treguar se personi i dyshuar ka abuzuar me të seksualisht, ndërsa ka dëshmuar se “kishte dhimbje mbrapa dhe shumë dhimbje barku”.
Pyetjes se përse nuk i kishte treguar gjyshes që në fillim, ai i është përgjigjur se i akuzuari i kishte thënë se do ta vriste nëse do t’i tregonte njeriu.
“Nga vëzhgimi gjatë intervistës, i mituri ka shfaqur frikë dhe nuk donte në asnjë moment të rrinte pa gjyshen. Kur i është thënë se të akuzuarin e kishin larguar nga shtëpia dhe ai nuk do ta shihte më, i mituri ka filluar të qetësohej dhe të ndihej më i sigurt. Nga informacioni i marrë nga gjyshja, që nga muaji shkurt, kur ajo dyshonte se kishte ndodhur abuzimi i parë, nipi kishte shfaqur disa shenja që të bëjnë të dyshohet për një abuzim të mundshëm. Nga një fëmijë i gjallë dhe shumë aktiv ishte kthyer në një fëmijë të ndrojtur dhe të mbyllur. Natën ngrihej i trembur duke bërtitur. Nuk fliste dhe shfaqte shenja nervozizmi. Nga shenjat fizike që gjyshja kishte vënë re në momentin që kishte dyshuar, djali kishte skuqje në pjesën e pasme dhe kishte probleme me ecjen si dhe ankohej se i dhimbte barku”, thuhet më tej në dosjen e prokurorisë.
Pas kallëzimit, i pandehuri është vënë në pranga, ndërsa pritet përgjigja e ekspertimit mjeko-ligjor të të miturit.
I akuzuari mohon akuzat
Ndërkohë, i akuzuari ka mohuar të ketë abuzuar me të miturin. Ai ka deklaruar se akuzat e ngritura nga bashkëshortja e djalit të xhaxhait të tij janë të pavërteta dhe se nuk e di arsyen e tyre, pasi “ka patur marrëdhënie të mira me familjen e tij”.
Madje, ka shtuar se fëmijën e mitur, duke qënë se prindërit nuk i ka pranë dhe se jeton vetëm me gjyshen, e kanë dashur dhe mbështetur në çdo rast, kur ka pasur nevoja shëndetësore.
Në vijim, ai deklaroi se fëmija i mitur kishte fjetur një natë në shtëpinë e tij, rreth muajit shkurti 2024, kur gjyshja e tij kishte shkuar në një ceremoni mortore dhe e kishte marrë marrë djalin të nesërmen. Atë natë, sipas dëshmisë, djali kishte fjetur me bashkëshorten e tij në kuzhinë dhe se fëmija nuk qëndronte me dëshirë në shtëpinë e tyre, pasi nuk i njihte ndërsa fëmijët e tij, ishin më të mëdhenj në moshë dhe nuk kanë një marrëdhënie të afërt ndërmjet tyre.
I pandehuri është shprehur se gjyshja e të miturit duhet të dërgohet në psikiatri dhe se ai është i shokuar nga pretendimet e saj dhe nuk di se çfarë të thotë.
Në qeli në pritje të akt-ekspertimit
Me një vendim të disa ditëve më parë, Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurimit “arrest në burg” për personin e akuzuar në përputhje me kërkesën e prokurorisë.
Dakord pjesërisht me kërkesën e prokurorisë ishte edhe mbrojtja e të akuzuarit, që pranoi masën arrest në burg, por me afat me qëllim marrjen dhe administrimin e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, duke pretenduar se i gjithë fakti i kallëzuar ishte i pavërtetë dhe se kallëzimi penal, kishte sjellë pasoja sociale tek ai dhe familja e tij, në drejtim të paragjykimin nga komunitetit.
/Gijotina.com/
Discussion about this post