Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në emisionin ‘Log.’ në News24 tha se Gjykata e Lartë nuk na ka vënë në dijeni, por kam lexuar në media, dhe kam vërejtur se ka pasur një pritshmëri në publik se mandati im përfundon në 10 mars 2025.
Sipas saj, kjo vjen pasi Gjykata e Lartë është një nga organet e emërtesës dhe unë jam anëtare e Kushtetueses e emëruar nga Gjykata e Lartë. Zaçaj tha se kur janë hapur vakancat nga Gjykata e Lartë ka pasur data të përcaktuara, ajo e fillimit dhe e përfundimit të mandatit.
“Neni 129 i Kushtetutës thotë se gjyqtari kushtetues e nis detyrën kur bën betimin dhe e vazhdon atë për 9 vjet”, tha Zaçaj.
Në vijim, ajo tha se “në rastin e saj, si gjyqtare dhe kryetare, problemi është krijuar se dispozita nuk ka një datë të përcaktuar, por vetëm vitin. Pra dispozita e thotë: nuk ka rëndësi kur betohesh, por mandati përfundon në 2025. Gjithashtu edhe vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ka një datë”.
Ajo tha se në asnjë rast mandati i një anëtari të Kushtetueses nuk ka përfunduar në datën që i ka përfunduar anëtarit paraardhës në këtë Gjykatë.
“Pra nëse Vitore Tushes i ka përfunduar mandati në datën 10 mars, kjo nuk ka qenë nnjë datë e mbarsur nga paraardhësi i vet”, tha Zaçaj. Ajo tha se mandati i saj, referuar Kodit të Procedurës Civile, përfundon në datën e fundit të vitit pasardhës, pra në 31 dhjetor 2025.
Zaçaj tha se i është drejtuar Venecias, si një organ këshillimor. “Kam funksionin e Kryetarit dhe të gjyqtarit, që është në pikëpyetje për të përfunduar. Pikërisht për këtë situatë iu drejtova Komisionit të Venecias, pasi vura në dijeni Gjykatën e Lartë, e cila, pa pritur shpalljen e vakancës nga Kushtetuesja, nisi procedurat, si organ i emërtesës”, tha Zaçaj. Kryetarja e Kushtetueses e konsideroi si të nxituar këtë veprim të Gjykatës së Lartë, ndërsa solli në vëmendje atë që parashikon Kushtetuta.
Në vijim ajo tha se iu drejtua mbledhjes së gjyqtarëve për të hequr çdo dyshim se po shpëtoja karrigen time, meqë jam edhe Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo mbledhje gjyqtarësh, unë nuk kam qenë e pranishme. Gjykata duhet të veprojë lirisht. Një mbledhje që del me votim ne e kemi si detyrim që të shpallim rezultatin. Mbledhjet për përfundimin e mandateve nuk zgjasin më shumë se 30 minuta”, tha Zaçaj.
Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, theksoi se i gjithë debati që ka lindur për mandatin e saj bën fjalë për disa muaj, dhe jo për vite.
Gazetari Xhafo e pyeti nëse kjo situatë është pasojë e vendimit për mandatin e deputetes Olta Xhaçkaj, ndërsa Zaçaj tha se nuk besonte se kjo situatë ka lidhje me ato të gjykuara dhe trajtuara nga Gjykata Kushtetuese.
Por gazetari Xhafo solli në vëmendje mandatin e Xhaçkës, opinionin e Komisionit të Venecias dhe qëndrimin e mazhorancës për të mos e kaluar në Kushtetuese çështjen, ndërsa Zaçaj tha se “vendimet e Gjykatës Kushteuese janë përfundimtare. Për të zbatuar një vendim të Kushtetueses asnjë institucion nuk mund të vendosë pikëpyetje, qoftë edhe duke iu drejtuar Venecias. Qëndrimin tonë e kemi mbajtur, kemi dy vendime. Vendimet e Kushtetueses nuk vihen në diskutim”.
Zaçaj u shpreh se asnjë palë, qoftë edhe Kuvendi, nuk mund ti drejtohet një institucioni tjetër, qoftë edhe Venecias, për ta pyetur a duhet të zbatoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gazetari Xhafo e pyeti kryetaren e Gjykatës Kushtetuese nëse ka komunikuar ose jo me ambasadorët, ndërsa Zaçaj tha se për mandatin e saj nuk ka komunikuar me ambasadorët.
“Krizat ose mosmarrëveshjet që mund të krijohen vijnë ndonjëherë sepse nuk i referohemi ligjit. Nuk mendoj se Gjykata Kushteuese ka nevojë për arbitra që nuk i parashikon ligji”, tha Zaçaj.
“Data që kërkon Gjykata e Lartë për mandatin tim do të ndikojë në mandatet e të gjithë anëtarëve të Kushtetueses, pra gjyqtari nuk e nis detyrën kur bën betimin, sikundër përcaktohet në Kushtetutë, por kur i ka përfunduar mandati gjyqtarit paraardhës”, tha Zaçaj.
Ajo u shpreh se iu drejtua Komisionit të Venecias si organ këshillimor, për faktin se në Kushtetuese krijohen 3 vakanca, përfshi edhe mandatin e Kryetares së Kushtetueses në 2025.
“Janë tre vakanca: Elsa Toska që ka dhënë dorëheqjen, anëtares Sonila Bejtja dhe mandati i Holta Zaçaj. Nëntë muaj më pak ose më shumë për mandatin e Kryetares nuk përbën hall, por po vendoset një praktikë e re që nuk është aplikuar asnjëherë në 32 vjet dhe mund të ndryshojë të gjithë procedurën e mandateve”, tha Zaçaj.
Holta Zaçaj u pyet nëse ndjehet nën presion dhe nëse kjo situatë e krijuar në raport me këtë gjykatë, ka lidhje me seancën e 19 dhjetorit, ku do të shqyrtohet lidhur me Sky ECC.
Zaçaj tha se nëse ndonjë nga anëtarët e Kushtetueses është nën presion ai duhet të vërë në dijeni Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.
“As unë dhe asnjë anëtar i Kushtetueses nuk është nën presion”, tha Zaçaj. Ajo vuri theksin se e gjithë situata u krijua pasi Gjykata e Lartë përcaktoi datën 10 mars si ditën kur i përfundon mandati në Kushtetuese, një gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
“Është shumë e rëndësishme që ky moment të sqarohet, pasi duhet zgjidhur koha se kur i përfundon mandati një anëtari të Kushtetueses”, tha Zaçaj.
Discussion about this post