Ceremonia e fillimit të stërvitjes “Defender Europe 2023” filloi me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Nga ana e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se është nder dhe kënaqësi të jetë prezent në këtë ceremoni.
Ai tha se kjo ngjarje është arritje e madhe e Kosovës dhe paraqet përforcim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Derisa po shohim pasojat e tmerrshme të luftës së nisur nga Putini në Ukrainë, është shumë relevante një ushtrim i tillë”, tha Hovenier.
Ai u shpreh se “Defender Europe 2023” është një ushtrim shumëkombësh, i hartuar për të rritur ndërveprimin midis SHBA-së dhe 26 shteteve të tjera.
Ai tha se ky ushtrim drejtohet nga komanda e SHBA-së. Hovenier tha se kjo bëhet për të siguruar edhe aleatët dhe për të zmbrapsur ata që rrezikojnë dhe për të mbrojtur kontinentin evropian nga agresioni.
Diplomati amerikan u shpreh se një nga qëllimet është që të demonstrohet përkushtimi i aleatëve dhe partnerëve për të rritur shkallën, kapacitetin dhe ndërveprimin e tyre.
Ai tha se në këtë stërvitje janë mbi 9 mijë pjesëtarë të personelit amerikan të cilët do t’i bashkohen 17 mijë ushtarëve të tjerë.
Ai rikujtoi se “Defender 2023” ishte përmendur që në takimin e parë me kryeministrin Kurti e ministrin Mehaj, e gjeneral Jasharin, para një viti e gjysmë.
“Pra jemi përgatitur për shumë kohë”, tha Hovenier. Ai tha se ky model i mbrojtjes kolektive është shumë i kundër me modelet që të tjerët mund t;i përdorin.
“Ne i fuqizojmë dhe përforcojmë aleatët tanë në tërë rajonin, në vend se t’i diktojmë veprimet e tyre”, u shpreh ai, duke shtuar se vizioni i përbashkët është i qartë.
“Kosova vazhdon të transformohet nga konsumator e sigurisë, në një eksportuese të sigurisë, duke ndihmuar për të ofruar siguri më të madhe në tërë botën”.
Mehaj: Rruga jonë e vetme, anëtarësimi në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi se ‘Defender Europe 23” është stërvitje e Kosova në këtë stërvitje do të marrë pjesë më 1.300 ushtarë.
Ai tha se plani ka filluar para një viti e gjysmë dhe sipas standardeve të NATO-s. “Rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në NATO”, tha ministri Mehaj.
U deklaroi e Kosova do të përmbushë çdo detyrë të paraqitur në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe euro-atlantike.
Mehaj tha se të gjitha vendet partnere janë bashkuar me një qëllim të përbashkët e që patjetër sipas tij, do t’i shërbejë botës edhe paqes.
“Ushtria e Kosovës, me intervenimet e saj e zbarkimet jashtë vendit e operacione ndërkombëtare, ka dëshmuar që është aleate e besueshme e partnereve tanë, me në krye SHBA-në”, tha ministri Mehaj.
Kurti: Siç ka thënë Skënderbeu, bashkimi bën fuqinë
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij, tha se “Defender Europe 2023” është ngjarja më e madhe ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
Kurti tha se Kosova është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet nga zona e Mesdheut e deri në kufijtë lindor.
“Mbi 1 mijë e 300 ushtarakë do të ekzekutojnë detyra në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të SHBA-së”, tha kryeministri Kurti.
Ai u shpreh se FSK në këtë ushtrim, radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar.
Kurti tha se kjo është dëshmi e vullnetit për ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.
Ai tha se siguria e Evropës është interes jetik i Kosovës.
Kryeministri rikujtoi se “Defender Europe 2021” ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqte në mënyrën më agresive e brutale të synimeve të saj të vjetra për të t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës.
“Defender Europe 2023’ po zhvillohet në realitet të tensionuar, 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë”, tha Kurti.
Sidoqoftë, kryeministri tha se edhe motoja “bashkë më të fortë” është vetëm një variacion i thënies së famshme të Skënderbeut se “Bashkimi bën fuqinë”.
Duke iu dëshiruar suksese, Kryeministri siguroi ushtarakët se do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e qeverisë dhe shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.
Presidentja: Lufta jonë ishte për liri, kjo është e vërteta e vetme
“Defender Europe 2023” drejtohet nga ushtria amerikane. Kosova është mikpritëse e mbi 1 mijë trupave. Ushtrimet do të kryhen në Bokë dhe aeroportin e Gjakovës.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, në fjalën e saj, tha se ka nderin që qëndron para ushtarakëve që janë gardian të paqes e lirisë në një botë gjithnjë më komplekse e sfiduese.
“Ju qëndroni të bashkuar nën kauzën e vetme, të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin e rritur ndërveprimin midis forcave aleate”, tha Osmani-Sadriu.
Ajo tha se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, por edhe lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët.
Presidentja tha se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake për të siguruar paqen.
Duke lidhur këtë stërvitje edhe me Skënderbeun, ku edhe po mbahet ceremoni e hapjes, ajo tha se ai ishte strategu dhe mbrojtësi i perëndimit.
“E krahas tij, është shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit historik që ishte edhe arkitekti i pavarësisë sonë, vizioni i të cilit ishte i mishëruar në vlerat perëndimore e pro demokratike”, tha Osmani-Sadriu.
Ajo tha se kjo stërvitje përkon edhe me 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës. “Është ditë aq e freskët sa edhe ndërhyrja e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori”.
Presidentja tha se lufta e Kosovës për liri. “Kjo është ë vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdoherë e kudo”.
Ajo deklaroi se ushtarakët do ta kurorëzojnë angazhimin gjatë. “Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si triumf i shpirtit njerëzor dhe vullnetit të paepur të ushtarëve si ju”.
Prezenca e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e bën këtë strukturë edhe më të veçantë. Në “Defender Europe 2023”, do të marrin pjesë trupat amerikane dhe ato të NATO-s./RTK
Discussion about this post