Veprat e mira dhe arritjet njerëzore janë modelet më të mira të frymëzimit që mund të përçohen. Në rastin e Shegës, vepra e saj nuk do të ishte bërë e ditur nëse xhaxhai, Shpëtimi nuk do t’i kishte shkruar “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
7 muaj më parë, Shega humbi babain e saj dhe zgjodhi që dhimbja të kthehej në një gëzim. Për këtë, ajo ndërtoi një pus në një shkollë në Abuxha të Nigerisë. Nigeria është një nga vendet ku uji mungon dhe tani 7000 njerëz pijnë në burimin që mban emrin e babait të Shegës, Fejzi Palit. Me shumë thjeshtësi, ajo tregon nga i erdhi ideja për të kryer këtë vepër në një vend kaq të largët.
Ardit Gjebrea: Shega, nga të lindi ideja e pusit?
Shega: Unë qëkur kam qenë në Medrese, përpos studimeve le të themi që Zoti më hapi pak zemrën edhe kundrejt gjërave fetare. Ana jonë, pra unë jam përfaqësuese e fesë islame dhe fejsa islame na mëson që të bësh gjithmonë mirë nuk ka asnjëherë kufi. Kështu që duke qenë se të hapësh një pus, të ndërtosh një xhami, të mbjellësh pemë ose të bësh disa gjëra të tilla, një universitet, një personi i sjell gjithmonë shpërblim, kjo ishte ideja që mua do më qetësonte sepse unë e përjetova pak keq vdekjen e babait dhe kjo ideja sikur ma lehtësoi pak dhimbjen me atë dëshirën e mirë që të gjithë ata njerëzit që do pijnë atë ujin nga pusi, patjetër që do falenderojnë personin që e mundësoi këtë sepse normalisht në Nigeri, në vendet afrikane nuk ka as ujë të pijshëm për njerëzit kështu që unë për këtë arsye doja që të bëja një mirësi edhe atij vendi, por në të njëjtën kohë që edhe babit t’i shkonin sa më shumë vepra të mira ose shpërblime siç i themi ne.
Ardit Gjebrea: Më fol pak për lidhjen tënde me babin.
Shega: Unë kam qenë goca e babit. Për ata që kanë edhe goca, edhe çuna e kuptojnë shumë mirë lidhjen pak më të veçantë që ndodhet midis babait dhe vajzës. Me thënë të drejtën, unë kam qenë gjithmonë shumë e lidhur edhe me mamin, edhe me babin, edhe me vëllezërit që janë pjesa ime e familjes por qëkur unë shkova që të studioj jashtë, e vija re që kur kthehesha për pushimet babai çdo pjesë të kohës e kalonte me mua, qoftë për kafe, qoftë për shëtitjen, çfarëdolloj gjëje, pra ishte gjithmonë pas meje dhe kudo që unë shkoja ai ishte partneri im që nuk më ndahej, nuk më linte asnjëherë që të dal me të tjerët sepse donte që gjithë kohën ta shfrytëzonte me mua./tvklan.al
Discussion about this post