Një komitet i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke hetuar për emrat e zyrtarëve të qeverive të Shqipërisë dhe Serbisë, të cilët iu afruan një kompanie të lidhur me dhëndrin e Donald Trump për projekte zhvillimi pronash.
Komiteti i Financave në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha javën e kaluar se hetimi i tij mbi Affinity Partners ka zbuluar se zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare iu afruan proaktivisht kompanisë me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.
Kompania që merret me aksione dhe investime është e lidhur me Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Në një letër të mëvonshme, të publikuar këtë javë, kryetari i Komitetit të Financave i Senatit, Senatori Ron Wyden kërkoi “një listë të detajuar të personelit të qeverisë, ose individëve që kanë kontaktuar Affinity në emër të qeverisë shqiptare, të cilët e kanë kontaktuan së pari Affinity për të diskutuar investimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri”.
Affinity ka konfirmuar për Wyden se qeveritë serbe dhe shqiptare do të kenë kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e këtyre projekteve të mundshme, përfshirë fuqinë vendimmarrëse mbi lejet, taksat lokale dhe licencat për projektet.
Megjithatë, senatori Wyden shprehet se kjo do të thotë që Serbia dhe Shqipëria do të kenë “kontroll potencialisht shantazhues mbi investimet e familjes së atij që mund të jetë presidenti i ardhshëm”. Sipas Wyden, një nivel i tillë i përfshirjes së qeverisë ngre pyetje në lidhje me natyrën e këtyre marrëdhënieve.
“Për të dy zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveritë serbe dhe shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret ajo. Këto kushte u lejojnë qeverive serbe dhe shqiptare të kërkojnë përfitime të pazakonta nga Affinity gjatë procesit,” deklaroi Wyden.
Në komunikimet me Komitetin, Wyden tha se Affinity kishte konfirmuar se zhvillimi i planifikuar i sitit në Beograd do të përfshinte një “muze” që përshkruhet si një monument për ‘viktimat e agresionit të NATO-s’”.
Wyden është shumë kritik ndaj këtij memoriali të propozuar: “Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në këtë lloj revizionimi anti-amerikan të historisë, një akt që përpiqet të fshijë spastrimet etnike dhe gjenocidin dhe bën që roli I NATO-s të duket negativ. Është tronditëse që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti dhe një kandidati që mund të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA, e pranon këtë” shkroi ai.
Kujtojmë se Rama e cilësoi si një “ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm”, projektin e dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
“Sot ne diskutojmë për një Shqipëri, e cila përmes këtyre zhvillimeve bëhet konkurruese e drejtpërdrejtë e atyre që janë luanët e Mesdheut që i kemi rreth e rrotull, që nga Kroacia, e Mali i Zi deri te Greqia poshtë….Aplikimin do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit dhe mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim”, tha Rama.
Kushner, i cili ishte një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, i tha Bloomberg News në një intervistë se firma e tij me qendër në Miami synon të transformojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazanin, në Detin Mesdhe, në një destinacion luksoz për turistët.
Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë edhe mbi projektin e paraqitur nga dhëndri i ish-Presidentit Trump lidhur me investimin e rreth 1 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Teksa i drejtohej asamblesë socialiste, ai tha se ishulli ku do të investojë një nga firmat më prestigjoze të hotelerisë në botë, kthehet në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.
Edi Rama tha: Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy sipërmarrje të mëdha në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull treshi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë për mua kur u zgjodh, po ja ku jam këtu sot, i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe të shohin rrufetë e akuzave dhe të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Soros që kam hyrë në një mega aferë korruptive për djalin për shpirt të armikut më të betuar të Soros.
E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik.
Sipas Bloomberg News, kompania e investimeve e Kushner me qendër në Miami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur më parë vetëm si bazë ushtarake, në një eko-resort luksoz nën markën Aman.
Ai tha për Bloomberg, “Ishulli i Sazanit është një nga linjat bregdetare më të paprekura dhe unike që kam parë kudo në botë”.
gijotina.com/
Discussion about this post