Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Endrit Sadedinin, i arrestuar tri ditë më parë nga Policia e Vlorës në një aksion të zhvilluar në lagjen Pavarësia. Seanca është drejtuar nga gjyqtarja Alba Ngresi, e cila ka lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës. Ndaj Sadedinit rëndon akuza “Armëmbajtje pa leje”.
38-vjeçari u arrestuar në lagjen “Pavarësia”, pranë Lungomares. Ai u ndalua në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger” dhe pas një kontrolli fizik ju gjet një pistoletë me karikator dhe municion luftarak.
Policia në deklaratën për mediat sqaron arrestimin e tij, duke njoftuar se 38-vjeçari në momentin që ka parë efektivët, ka tentuar që të largohej dhe iu ka drejtuar armën e, por nuk ka mundur të qëllojë.
“Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.
Shtetasi E. S., në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij. Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar”, informon policia.
Discussion about this post