Nga Luçiano Boçi
Ndërsa dyert e burgut janë hapur me një kanat dhe prangat po kërcasin me kuisje, diku në vilën qeveritare të Dhërmiut, i veshur si narcos, njeriu që mban mbi supe gjithë mëkatet e qelbura që kanë shpërthyer korridoreve të Republikës, pret e përcjell si pashai pashallëkut të tij jeshil, i bërë vetë jeshil, “miq personalë”.
I bën korte, i keqpërdor dhe i reklamon si të ishin letër higjenike, në përpjekjet keqardhëse për të fshirë e fshehur pasojat e panikut që e ka kapur.
Jo aq shumë nga SPAK se sa nga SKY dhe nga McGonigall.
Njëjtë siç ka bërë vite rresht me miqtë e shokët, të cilët pasi i shtrydhi, i trajtoi si top lecke, si burim parash e favoresh, i detyroi të vinin firma e merrnin iniciativa, nën avujt e besimit të verbër, po i përcjell një pas një drejt vendit ku më shumë se çdo njeri e meriton vetë.
Sforcohet të buzëqeshë si duarjashti i situatës. E jo vetëm kaq. Kalon dhe më tej. Kërkon të marrë pozën e të ndershmit që pasi ka prostitutuar në çdo cep të financave publike, i vë damkën me gjuhën që helmon më shumë se tre inceneratorë të marrë së bashku (sikur të punonin), ish bashkëpunëtorët e tij lepe-peqistë, me të cilët s’ka lënë grabitje pa urdhëruar e komanduar.
Deri dje ata kishin “komandantin” që i vinte gjoksin drejtësisë, e i hante e priste gjuha sa majtas e djathtas, e pinin dhe ndonje gotë verë ashtu si për gallatë. Por sot më e shtrenjtë se çdo gjë, për komandantin është fundshpina e vet e lodhur nga punët e “rënda” fizike e shpirtërore prej vitesh, në shërbim “të paqes e prosperitetit”, jo vetëm kombëtar por dhe rajonal.
E gjithë kjo situatë e mbushur me emra të dëgjuar dhe anonimë shpërtheu atë që opozita e bërtiste me vite dhe autorin e së cilës e ka treguar me gisht me fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme.
Inceneratorët nuk janë një histori kaubojsish dhe biznesmenësh aventurierë që kërkonin të bënin miliona duke zbuluar amerikën e djegies së plehrave në Shqipëri. Janë një skemë e pastër korruptive në kokë të së cilës është ky KryeK… i korruptuari që luan sot virgjëreshën. Ishte ky me veglat e tij që sajoi emergjencën mjedisore, theu direktivat evropiane për menaxhimin e mbetjeve, grisi strategjinë e miratuar nga ai vetë, për të prodhuar aferën e zhvatjes së milionave. Ishte viti i dytë i pushtetit dhe oreksi ishte i madh pasi ato para do përdoreshin masivisht për të blerë pushtet dhe sulmuar armikun politik. Ishte ai që përcaktoi Mërtirin, Zoton, Gugallen si favoritë. Ia ngjiti Kokës, të njohurit të vet prej tyre Ahmetajt e ndonjë të shkreti tjetër. I shkeli syrin që e bën Damianin të ngazëllehet nga konfidenca dashurore e shefit e Veliajn ta kapin ethet si Odisea kur shihte Circen, që kjo e fundit të mos e transformonte pas hekurave.
Dhe në fund i vuri si mbi kokë si menaxher të 430 milion eurove cerberin e tij të portave të rënda kryeministrore e të parave të pista, Agaçin.
Ndërsa vetë bënte tellallin që përhapte me gjuhën lapere përrallën e shpëtimit e revolucionit mjedisor.
Ndërsa tani bën të poshtrin budalla të revoltuar deri në kupë të qiellit që gjuan shigjeta ndaj viktimave të tij, duke i akuzuar si njerëz qi na i paskan punuar pas shpine dhe na e kanë mashtruar.
Për të qeshur e për të qarë.
Dhe historia sterilizimit po del që nuk ishte ajo historia e një emigranti fatlum i cili kapi Enaloton italiane në Shqipëri, apo super Tele-bingon shqiptare, por një histori banale korrupsioni, nga ato që të bëjnë të kapësh kokën me duar.
Zotëruesin e një kioske që zgjidhte dikur hallet bazike të jetës e veshën brenda një nate të bukur si biznesmen, i hodhën ca para përsipër si në një valle dasme dhe e morën në qafë duke e plasur sot në burg. Autori?
Dihet. I kryekorruptuari i ndershëm kryek.. Rama.
100 milion euro nuk disbursohen ashtu kot, pa dijeninë e plotë të shefit të skemave.
Ky pra që dilte e bënte romuze me akuzat e opozitës e trulloste mendjen e njerëzve me pinca kineze që i demonstronte me thonjtë e vet epikë bardh e zi, studio më studio.
Po të tjerat?!
Kë të kapësh?!
Koncesionet e rrugëve? Superkorruptive!
Investimet strategjike? Grabitje korruptive!
Koncesioni chek-up-it? Korrupsion i gjallë!
Rindërtimi?! Korrupsion 9 ballë!
Dhe në krye është ky pra, I ndershmi i bërë jeshil.
Mos flasim per kanabisin, Portin e Durrësit, Amnistinë fiskale, Pasaportat e arta etj… etj.
Po autori?!
Kush përpos të kryekorruptuarit me 40 hajdutë?!
E si mund të gëzojë nën rrezet e diellit me sandale me gisht, lirinë, njeriu që kokë e këmbë deri tek gishti i vogël, qelbet korrupsion?!!!
Kjo pangopësi e parrëfyer dhe e paparë e tij duhet ndëshkuar.
Për të mos folur për derexhenë e policisë së shtetit si simbol sot i një shteti që ka humbur çdo dinjitet e ka dorëzuar çdo segment në duart e botës së krimit.
Falë këtij KryeK… të korruptuar deri në palcë sot policia është banda më e madhe, më e mbrojtur dhe më e pasur që mban peng fate njerëzish e komandon rrugë trafiqesh e larje hesapesh dhe blen vota ditën me diell.
Pse duheshin të gjitha këto?!
Normal përgjigja e parë është etja për pushtet të plotë dhe pangopësia për pasuri.
McGonigall nën këtë arsyetim, i paguar personalisht nga zyrat e Ramës për të shpikur “non grata”, përfaqëson thjesht një nga stacionet e pasioneve të Ramës, midis të cilave spikat shkatërrimi i kundërshtarit politik.
Gjithçka brenda një cikli korruptiv që prodhon para, për të korruptuar zyrtarët ndërkombëtarë, për të korruptuar zgjedhjet, për të bashkëpunuar me botën e nëndheshme dhe për të siguruar në vazhdimësi sundimin.
Të Kryekorruptuarit të ndershëm të qeverisë më të korruptuar në planet, po i fiken dalëngadalë buzëqeshja e plogësht dhe shpërthimet e pakontrolluara.
Prangat po kërcasin!
Por kaq nuk mjafton për ta fshirë nga rezidenca që e përdor si narcos…
Discussion about this post