Ilmi Hoxha: Klosi po vuan për ujë, rrugë e kanale, duhet vëmendja e qeverisë

1 javë më parë

Kryetari i Bashkisë Klos, Ilmi Hoxha në një intervistë për Gijotina.com ka treguar sfidat e të qenurit kryetar bashkie në këtë qytet. Hoxha tregon se në momentin e marrjes së detyrës nuk ka premtur asgjë, pasi mendon se veprat nuk duan fjalë.
Ndër të tjera, kreu i bashkisë pohoi se duhet një vëmendje më e shtuar në infrastrukturë, ujësjellës, në shërbimet arsimore dhe sociale nga ana e qeverisë.
“Ka ende nevojë për vëmendje më të shtuar, qoftë për shërbimet infrastrukturore, në ujësjellësa, kanale vaditëse, në rrugë, shërbime sociale”- theksoi Hoxha.
Sa i takon pyetjes, në qoftë se do rikandidoj si kryetar bashkie përsëri, Hoxha u përgjigj se nuk është në dorën e tij.

Intervista e plotë me kryetarin e bashkisë Klos, Ilmi Hoxha.

Duke qenë se fushata e viti 2019 nuk ishte shumë publike për shkak të specifikave të saj, ju lutem mund të na thoni se cilat janë 5 premtimet tuaja kryesore që i janë bërë elektoratit në zgjedhjet e vitit 2019?
Në momentin që mora vendimin të isha kandidat për kryetar bashkie, e vetmja gjë që kam menduar ishte se më në fund do të mund të bëj diçka për vendin tim. Nuk kam premtuar asgjë, nuk kam dhënë asnjë premtim por ajo ç’ka unë ju kam thënë qytetarëve ka qenë që do të bëj të pamundurën për të përmirësuar kushtet e jetesës.

Cilat prej këtyre premtimeve janë mbajtur në dy vitet e para të mandatit?
Ashtu sië e përmenda nuk kam bërë premtime konkrete, unë jam i mendimit që nuk ka nevojë të bësh premtime e të thuash fjalë të bukura elektoratit tënd, por janë veprat ato që vlejnë. Që prej ardhjes time në bashki jemi munduar të përmisojmë kushtet bazike, pavarësisht mundësive financiare që kanë qenë të pakta dhe si bashki, Klosi është bashki rurale dhe buxheti nuk na ka favorizuar. Brenda hapësirave që kemi patur jemi fokusuar më së shumti për; përmisim të dukshëm të shërbimit të pastrimit, sigurimin e ujit të pijshëm, sigurimi dhe menaxhimi i sistemit vaditës gati 85% të territorit, rehabilitimin e rrugëve rurale, në shërbime sociale etj.

Cilat janë problemet kryesore të bashkisë tuaj?
Klosi është një zonë që ka vështirësi të mëdha për shkak të pozicionit gjeografik kryesisht rural, vëmendja e qeverisë nuk ka munguar, por ka ende nevojë për vëmendje më të shtuar, qoftë për shërbimet infrastrukturore, në ujësjellësa, kanale vaditëse, në rrugë, shërbime sociale, etj.

Cilat janë detyrat kryesore që prisni të realizoni brenda 6 muajve të parë të viti 2022?
Prioritet vijon të jenë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve në infrastrukturë , ujësjellësa, sistemet vaditëse, përmisimi i kushteve të institucioneve arsimore, krijimi i hapësirave rekreative, shërbime sociale etj.

A mendoni të rikandidoni në zgjedhjet e ardhshme?
Jam gati njësoj si sot të vijoj me po të njëjtat përgjegjësi dhe angazhim edhe në të ardhmen. Sigurisht që nuk është një përgjigje që mund ta jap unë por qëndrimi im është po njësoj.

Të ngjashme