Xhepat e qytetarëve shqiptarë vijojnë të mbeten të pambrojtura përballë çmimeve absurde dhe abuzimit të tregtarëve. Tanimë prodhimi i perimeve dhe i frutave në vend është në pikën kulminante, askush nuk po merr masa për të ndalur çmimet stratosferike.
Nëpërmjet një vëzhgimi nëpër tregje kupton çmimet me të cilat po shiten produktet janë jashtë logjike. Edhe pse domatet, kastravecët, specat apo patatet e qepët në Shqipëri prodhohen me bollëk, çmimet janë disa herë më të larta se vjet.
Sot një kilogramë domate kushton nëpër tregje 180-200 lekë, ndërsa ato që janë të dëmtuara 140-160 lekë/kg. Këto çmime një vit më parë ishin shumë herë më lirë edhe pse ishim në mes të krizës së inflacionit.
Është e çuditshme sesi çmimet e patateve apo qepëve nëpër tregje kanë mbetur të njëjtat me ato të 3 muajve më parë kur sapo kishte nisur prodhimi i tyre.
Një kilogram patate apo qepë në Tiranë po shitet me çmim nga 100-150 lekë, pavarësisht se fermerët e tregtojnë disa herë më lirë se kaq.
Po ashtu edhe speci i të gjitha llojeve, apo patëllxhanët, tregtohen mbi 200 lekë/kg. Çmime këto që nuk krahasohen me ato të fermerëve, të cilët ua shesin grumbulluesve shpesh nën kosto, pasi janë të detyruar.
Kurse sa i takon frutave, ato po ashtu kanë çmime të pajustifikueshme. Një kilogram rrush kushton 200-250 lekë, shalqiri asnjëherë gjatë këtyre muajve nuk zbriti poshtë çmimit 60 lekë/kg apo bostani që mbeti gjithmonë mbi 100 lekë, njëjtë si mollët.
Nga bisedat me tregtarët e pakicës faji iu faturohet shumicës, e cila sipas tyre po ua shet produktet tepër shtrenjtë edhe pse nuk kanë cilësi shumë të mirë. Madje sipas tyre kjo vjen për shkak se prodhimi i mirë i fermerëve tanë po shkon nëpër tregjet e huaja.
Vërtetësia e shifrave të INSTAT!
Pavarësisht se çmimet po rëndojnë gjithnjë e më shumë ekonominë familjare në vend, Instituti i Statistikave thotë se inflacioni është në rënie. Sipas raportit inflacioni në muajin korrik ishte 4,2 %, një vit më parë ishte 7,5 %. Madje sipas INSTAT inflacioni ka rënë me 0.1% krahasuar me muajin qershor.
Por si mund të ketë ulje të inflacionit kur produktet e shportës janë në rritje dyshifrore. Zarzavatet këtë vit janë shtrenjtuar me mbi 21%, ndërkohë që vjet shtrenjtimi në të njëjtën periudhë ishte me vetëm 9.5%. ndërsa frutat vjet sipas INSTAT kishin një rritje të vogël, kurse këtë vit janë rritur me 7%.
Vetëm për shkak të çmimeve të larta dhe pagave të ulta, sipas Organizatës Botërore të Ushqimit janë rreth 400 mijë persona në Shqipëri nuk mund të sigurojnë një dietë të shëndetshme. Për vitin 2021një dietë e shëndetshme kërkon rreth 4.5 dollarë në ditë.
Por duke qenë se në Shqipëri nuk është i përcaktuar minimumi jetik, i cili detyron shtetit që të mbrojë të gjithë të pamundurit, familjet në vend vuajnë kostot e larta të çmimeve.
Eksperti: Çmimet e larta për shkak se shteti nuk ndihmon bujkun
Teksa shikon këto çmime të larta pikëpyetja më e madhe që ngrihet është nëse në vend ka prodhim të mjaftueshëm për kërkesën, të paktën për perimet dhe frutat bazë të shportës.
Kryetari i Shoqatës së Agrobiznesit në vend Agim Rrapaj thotë për Gijotina se prodhim ka por shkaqet që po sjellin këtë shtrenjtim janë të shumta, ku ndër më të rëndësishmet janë mungesa e financimit të bujkut sipas nevojës si edhe politikat e gabuara fiskale që mbështesin grumbulluesin dhe jo fermerin.
“Mungesë të prodhimit të perimeve për furnizimin e tregut të vendit nuk do të ketë. Konjuktura e e çmimit të shitjes së perimeve ka ndryshuar në rritje për shkak të rritjes së kostos. Arsyet e rritjes së kostove janë, rritja e pagës së fuqisë punëtore dhe mungesa e mekanizimit. Mos rimbursimi i TVSH për fermerët dhe pagesa 20 % nga grumbulluesit. Rritja me 10 % e TVSH se inputeve. Po ashtu ndikojnë edhe kushtet atmosferike jo të favorshme dhe shtimi i sëmundjeve të bimëve. Një tjetër shkak është edhe subvencionet e pamjaftueshme, madje nën nivelin minimal të mbështetjes së domosdoshme. Financim i pamjaftueshëm nga buxheti i MBBZHR dhe të gjithë sektorëve të ekonomisë së ushqimit. Këto janë probleme të njohura nga institucionet por të pavlerësuara për t’i zgjidhur”, thotë Agim Rrapaj.
Përveç frutave dhe perimeve, qytetarët përsëri po përballen me shtrenjtim të produkteve të tjera të paketuara. Orizi është një nga produktet që po shtrenjtohet në javët e fundit, çmimi i të cilit ka kapërcyer në 200 lekë/kg (orizi thjeshtë). Po ashtu po shtrenjtohen produktet e bulmetit si dhe të mishit, kjo për shkak të rënies që po pëson sektori i blegtorisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post