Nga Uvil Zajmi
Inter-Egnatia, një ëndërr e mbetur si e tillë në dhjetëvjeçarë, për t’u bërë realitet falë klubit modest që përfaqëson Rrogozhinën. Skuadër e re, por tashmë protagoniste absolute në elitën e futbollit shqiptar. Një mundësi e realizuar falë presidentit pasionant Agim Demrozi dhe stafit të ekipit.
Inter-Egnatia (luhet më 13 gusht në orën 20:00 në stadiumin “Paolo Mazza” në Ferrara) është një befasi jo vetëm për mua, por për gjithë brezin tim, ndjekës të futbollit italian të Serisë A, veçanërisht rivalitetit të viteve ’70- ’80. Përballje me Interin, klubin me histori, ngjarje kolosale të dëgjuara vetëm në radio, pa i parë, jetuar nga afër protagonistët e tij legjendarë, Interin legjendar të Macolës, Faketit, Jair, Corsos, Suarez, pastaj atë të Altobellit, Orialit, një pafundësi. Vetëm ndonjë foto, poster të gjetur rastësisht e në fshehtësi. Gjithçka e ndaluar me ashpërsi nga diktatura, sistemi. Por, pa mundur të censuronin diskutimet dhe pasionin tonë të madh zikaltër!
HISTORI SHQIPTARE ZIKALTËR, NGA LLAMBI TE MANAJ DHE ASLLANI
Një histori që lidh dy shekuj. E nisur në të kaluarin për t’u përsëritur pas 80 vitesh. Me protagonistë dy lojtarë autentikë, produkt i futbollit kombëtar, që do t’i bashkojë një fanellë, ajo e klubit italian të Serisë A, Interit të Milanos.
I pari, Sllave Llambi (26.6.1919- 19.11.1985), një personalitet i paharruar i Partizanit, Kombëtares. Lojtar i Ambroziana-Inter në sezonin 1941-1942, kur ishte 22 vjeç, ai do të bëhet pjesë e skuadrës zikaltër me kampionë bote të Italisë ’38, si Frosi e Kampatelli. Në një foto të rrallë të familjes, shihet qartë formacioni i Ambroziana-Inter me Llambin të treti nga krahu i majtë.
Pas tij, në vitet që vijuan, asnjë futbollist shqiptar nuk militonte në Serinë A, ndonëse ka qenë një dëshirë e parealizuar e shumë lojtarëve të shquar të klubeve tona për të luajtur në Itali. Mbyllja, censura, diktatura, e më pas ndryshimi pas viteve ‘90- të.
Tek Interi do të fliste shqip lushnjari, sulmuesi Rei Manaj. Kuqezi edhe ky si Llambi, do të jetë pjesë e sistemit të klubit në periudhën 2015-2018. U aktivizua në katër ndeshje me skuadrën e parë, për të ardhur në edicionin 2022-2023 të Serisë A, kur surpriza do të jetë një 20-vjeçar elbasanas, mesfushori i talentuar i Kombëtares, Kristian Asllani. Mesfushori kuqezi do të vijojë historinë duke veshur atë fanellë në krah të Lautaros, Lukakut, Barelës, etj, edhe si i pari shqiptar finalist në Champions League pak muaj më parë me Interin në Stamboll ndaj Mançester Sitit. Pa harruar edhe Xherdan Shaqirin, shqiptarin nga Gjilani, interist në edicionin 2015-2016, titullar në 16 ndeshje dhe një gol të shënuar.
PARTIZANI-FC TORINO, E PARA… ABSOLUTE
Por cila është historia e përballjeve të klubeve shqiptare me ato italiane? Nga ajo para lufte SK Tirana-Bari 0-2, tek e fundit me Milanin në “Qemal Stafa”? I pari, shorti jo me fat për klubet shqiptare, pastaj marrëdhëniet me Italinë e muzikës, modës, futbollit, vështirësitë dhe jodashamirësia e qeverive shqiptare në organizimin, pjesëmarrjen në turne, takime edhe miqësore me klubet italiane të Serisë A, ishin disa nga motivet e një ballafaqimi në vitet e diktaturës, ndonëse dihej simpatia, njohja dhe ajo që shqiptarët ndiqnin futbollin italian çdo fundjavë. Skuadrat e para, ndeshja dhe përballja e parë zyrtare i takon Partizani-FC Torino, turi i parë në Kupën e Kupave, sezoni 1968- 1969. Në Tiranë, 1-0, me gol të Shaqirit në minutën e 46-të, që regjistron fitoren, golin e parë në të parën përballje në këtë Kupë europiane dhe ndaj një klubi italian.
E mërkurë, 18 shtator 1968 PARTIZANI- FC TORINO 1-0 (0-0)
PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, S.Gjika, Vaso, Rragami, Shllaku, Bajko, Shaqiri, Bizi, Pano, Jashari (Çiraku 45’). Trajner: Refik Resmja
Një pragsfidë që ka si protagonistë tanket ruse në Pragë, largimin e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, situatën e rëndë politike në vend. Shumë skuadra europiane e braktisën trofeun. Ajo shqiptare jo. Sirenat e alarmit trembën stafin dhe lojtarët e Torinos në mbrëmje në hotel “Dajti”. “Sherri” i disa tifozëve me lojtarët torinezë gjatë stërvitjes së tyre një ditë para takimit në “Qemal Stafa”, ngjyrat e bardha me të cilat luajti Partizani, entuziazmin e 20.000 spektatorëve në stadium për fitoren dhe rastin e humbur nga Panajot Pano në pjesën e parë.
Më pas 3-1 në “Comunale” të Torinos me golin e Neptun Bajkos, i pari në udhëtim në këtë trofe për një klub shqiptar. Është edicioni debutues i golit të dyfishtë në transfertë. Mirëpo, stafi dhe lojtarët e Partizanit të painformuar mirë, kanë reaguar duke protestuar për të mos dalë nga fusha me pretendimin për të luajtur shtesat. E konsideronin me vlerë të dyfishtë golin e Bajkos, ndonëse me shifrat finale 3-2 kualifikohej Torino. Një kuriozitet: Portieri i Torinos ka qenë Lido Vieri, që një vit më vonë do të jetë portieri i Interit për disa sezone.
TEUTA-PARMA, INTERESIM I MADH NË “QEMAL STAFA”
Duhet të kalonin shumë vite, dy dekada, për të ardhur te Teuta-Parma: Kupa e Kupave, turi i parë, 14 shtator 1995 në “Qemal Stafa”, zbret Parma, me trajner Nevio Skalën, një formacion me lojtarë të shquar, më pas kampione Europe, me klube kampionë bote, nga Pipo Inzagi, Bufon, Benarrivo, Brohlin, Kanavaro, Meli, Sensini, Apollon dhe deri te bullgari Stoiçkov. Një sfidë historike dhe 2-0 për Parmën, me dy gola nga Zola në fund të lojës. Një atmosferë pritëse, entuziaste, simpati që italianët nuk e prisnin. 2-0 edhe në kthim pas dy javësh, me protagonist Inzagin. Por, edhe Teuta ka protagonistët e saj: Kapllani, Alliu, Xhai, Vila, Koka, Furxhi, Abazi, Mehemti, Qëndro, Begeja, Koça, me trajner Bashkim Kokën.
NË TIRANË, VJEN BRESHA ME TAREN DHE ROBERTO BAXHION
Pastaj Bresha, në një miqësore, më 21 gusht 2002 ndaj ekipit kombëtar. Një takim shumë festiv, kur skuadra italiane vinte me Taren, Baxhion dhe ato 90 minuta do të mbylleshin me rezultatin 1-0, falë golit të realizuar nga Altin Lala. Me shiritin e kapitenit Roberto Baxhio nuk ka shënuar, por aq ka mjaftuar kur në një mesditë, në “Qemal Stafa”-n tonë do të ketë edhe një protagonist jo të zakontë, yllin e futbollit italian, një Top i Artë, një ndër futbollistët më të njohur, më spektakolarë, jo vetëm i Serisë A, por edhe me kombëtaren e Italisë, nënkampione e botës më 1994. Një lojtar me famë botërore të jashtëzakonshme.
VLLAZNIA, NDAJ NAPOLIT TË HAMSHIK E LAVEZIT
Sezoni 2008-2009, UEFA Europa League, turi i dytë, faza paraeliminatore. I takon Vllaznisë së Shkodrës të përballet me një klub italian të Serisë A, Napolin. Fitorja 0-3 në “Loro Boriçi” me 14 gusht e napolitanëve dhe 5-0 në “San Paolo” dy javë më vonë. Është Napoli i Hamashik, Lavecit dhe Rinaudos, autor i dy golave që kualifikohet. Në atë kohë ekipi bardhekaltër drejtohej nga Edi Reja, që një dekadë më pas do të merrte Kombëtaren shqiptare. Vllaznia-Napoli ishte një ndeshje e parë historike për të dyja klubet.
DY HERË MILANI I MADH NË TIRANË
Për të ardhur te dy miqësoret e luksit, ato për trofeun “Taçi Oil Albania Reads”, 14 tetor, ora 19.00 në “Qemal Stafa”, për herë të parë një ndeshje e pazakontë, e rrallë.
TIRANA-MILAN 2-1
GOLAT: Xhafaj 29’, Muzaka 72’ / Ronaldinjo 90’
TIRANA: Nallbani, Osmani, Abraham, Kçira (Tafaj 90’), Pezo, Devolli, Lilaj (Arapi 84’), Muzaka (Sorra 84’), Muka (Sefa 53’), Memelli (Deliallisi 67’), Xhafaj (Metani 67’).
Trajner: Blazh Sliçkoviç
MILAN: Abiati, Antonini, Pasini (Menegali 75’), Maldini (Nesta 46’), Favali, Kardaçio, Emerson, Ambrozini, Sedorf, Inzagi (Shevçenko 46’), Ronaldinjo.
Trajner: Karlo Ançeloti
ARBITËR: Albano Janku (FIFA)
Një Milan që shoqërohet nga Adriano Galiani, zv.president i klubit. Pa kaluar as 24 muaj, “Milani 2” do të shfaqet sërish në stadiumin kryeqytetas, dhe bashkë me Sedorf, Inzagi, tre “Topa të Artë”, Shevçenko, Ronaldinjo, Kaka, si dhe tri kampionë bote: Pirlo, Gatuzo dhe Inzagi. Janë edhe brazilianët Pato e Tiago Silva, si dhe anglezi Bekham.
SHQIPËRI-MILAN 3-3 (4-5 me penallti)
SHQIPËRIA: Ujkani (Moçka 84’), Lila (Pisha 46’), Beqiri, Vrapi, Vangjeli (Agolli 46’), Bulku (Sefa 72’), Duro (Veliu 84’), Bakaj (Hyka 46’), Bylykbashi (Vila 46’), Memelli, Salihi (Shtubina 89’).
Trajner: Artan Bushati
Milan: Kalac (Edusini 46’), Sanderos, Mationi, Jankulovski, Tiago Silva, Pirlo (Flamini 67’), Antonini (Kardasio 43’), Gatuzo (Sedorf 46’), Shevçenko (Inzagi 67’), Ronaldinjo (Albertazi 67’), Pato (Kaka 46’).
Trajner: Karlo Ançeloti
GJYQTAR: Lorenc Jemini (FIFA);
Për 90 minuta barazim dhe gjashtë gola, ndërsa më pas përcaktuese janë penalltitë. Për kuqezinjtë realizojnë Pisha, Muzaka, Vila dhe Vrapi, ndërsa gabon Beqiri. Për Milanin shënojnë Kaka, Sedorf, Flamini, Tiago Silva dhe Inzagi. Trofeu “Taçi Oil”, edicioni i dytë, do të merrej nga Milani, të cilin Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ia dorëzon Filipo Inzagit.
Si e krijuam “Inter Club Tirana ‘91”
Ka qenë i pari në Shqipërinë postkomuniste, kur në marsin e vitit 1991, krijuam klubin tonë, atë të tifozëve interiste me emrin “Inter Club Tirana ‘91″. Të nxitur nga pasioni ynë, i brezave, miq, shokë, admirues të ngjyrave zikaltër, historisë, çfarë na kishte ofruar dhe dhuruar ajo fanellë. Të ulur te bordurat te Ministria e Mbrojtjes, unë (Uvil Zajmi, autor i shkrimit), Edmond Gëzdari, dhe mjeku Mel Ostreni, miq në adoleshencë, rini, tifozë të Interit, vendosëm të krijonim shoqatën e tifozëve interistë.
E quajtëm “Inter Club Tirana ‘91″. Pastaj komunikimi me “Qendrën e Koordinimit të Inter Club” në Milano, njohjen me Ernesto Pelegrinin, asokohe president i klubit, drejtorin Valberto Milani, që u treguan tejet entuziastë për idenë tonë, që në Tiranë do të ekzistonte një klub zikaltër. Na anëtarësuan, na dërguan statutin, teserat, duke i bërë jehonë në median sportive italiane krijimit të një klubi interist në Tiranë, Shqipëri.
E konkretizuar, kur në tetor grupi i parë me interistët shqiptarë, pas një udhëtimi me traget për në Trieste, asiston në takimin Inter-Torino 0-0. Një xhiro me banerin tonë të madh “Inter Club Tirana ’91″ u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit. Nga Spanja kishte ardhur edhe Vova Konomi, mik, interist edhe ky. Emocione të mëdha për ne të ishim në “San Siro”, një stadium që e përcillnim vetëm nga valët e radios dhe TV. Caktuam një klubin tonë ku ndiqnim ndeshjet, duke botuar edhe një revistë me emrin “Inter”.
Nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se 30-vite, dikur me shpresa të mëdha për ta sjellë në Tiranë, Interin, por pa mundur. Për të pritur mbrëmjen ferrareze të 13 gushtit 2013, Inter-Egnatia, e para, historike për të dyja klubet. Miqësore e tillë duhet të ishte, në pritje të sfidës së kthimit.
Discussion about this post