Në dekadën e fundit, normat e ulëta të interesit kishin krijuar një mjedis komod për qeverinë si dhe për qytetarët. Ata patën mundësi të paguajnë interesa të ulëta për borxhet. Qetësia u prish nga inflacioni i lartë i shfaqur pas pandemisë COVID-19. Dhe u forcua më tej pas luftës në Ukrainë.
Rritja e çmimeve kudo në botë e çoi politikën monetare në një kurs të ri. Me rritje të shpejtë të normave të interesit, për të frenuar rritjen e çmimeve. Në Shqipëri, inflacioni mesatar gjatë 8-mujorit ishte 6.2%, kundrejt një objektivi 3% që synon Banka Qendrore.
Për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve, Banka e Shqipërisë rriti pesë herë normën bazë të interesit brenda 6 muajve. Duke e çuar së fundmi, në 2.75%, niveli më i lartë në 8 vjet.
Efektiviteti i politikës monetare me ekuilibrimin e inflacionit ka qenë i diskutueshëm edhe në të shkuarën. Por me siguri të plotë, ai ndikon negativisht kostot e qeverisë për shlyerjen e borxhit. Dhe atë të qytetarëve për këstet e huasë.
Vitin që vjen, sipas skenarit normal, qeveria ka programuar për shërbimin e borxhit publik 136,3 miliardë lekë. Ose rreth 1.1 miliardë euro. Kjo shumë është 70% më e lartë se shpenzimet e pritshme të këtij viti. Për shërbimin e borxhit me rreth 80,4 miliardë lekë.
Shpenzimet për shërbimin e borxhit vitin që vjen do të jenë sa 20% e të ardhurave tatimore. Dhe do të arrijnë në 6.2% të PBB-së nga 3.9% që priten këtë vit.
Një e pesta e të ardhurave buxhetore në vitin 2023 shkon për të shlyer principalin dhe interesat e borxhit. Por nëse ka ngjarje të papritura, këto kosto do të rriten më tej. Për të përballuar rritjen e tyre, qeveria do të duhet të rrisë borxhin e ri. Për të shlyer të vjetrin, ose do të duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale dhe të tjerat që të shlyejë shpenzimet të cilat po vijnë nga interesat në rritje.
Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria e ka më të vështirë administrimin e borxhit publik në epokën e re të interesave të larta. Kjo për shkak të madhësisë së borxhit, si në vlerë neto, ashtu edhe në përqindje të PBB-së.
Për këtë vit fiskal, stoku i detyrimeve publike pritet të arrijë në 68.9% të PBB-së. Niveli më i lartë rajonal pas Malit të Zi.
Ministria e Financave ka shprehur shqetësimin se, qëndrueshmëria e borxhit mund të kthehet në problem, nëse hapësira e kufizuar fiskale do të ezaurohet nga politika të ndërmarra. Si kundërpërgjigje ndaj çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Dhe në kushtet e rritjes së kostove të rifinancimit.
Banka e Shqipërisë, në një sqarim të posaçëm, shpjegoi se ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Në funksion të reduktimit të rreziqeve financiare. Dhe rritjes së hapësirave për manovrim të politikës fiskale.
“Në këtë kontekst, ne gjykojmë se konsolidimi fiskal bëhet një objektiv edhe më imperativ. Përballë rritjes së kostove të financimit. Sa më sipër, ne konstatojmë se reduktimi i deficitit gjatë vitit 2022. Dhe projektbuxheti i programuar për vitin 2023. I cili parashikon ulje të mëtejshme të deficitit dhe huamarrjes, shkojnë në drejtimin e duhur”, – ju përgjigj banka interesit të revistës.
Arjan Kadareja, ekspert i çështjeve monetare thotë se, ajo që realisht e ndikon ekonominë dhe aktorët ekonomikë është norma reale e interesit.D.m.th. norma nominale e interesit pa inflacionin e pritshëm.
Sipas tij, norma reale e interesit është pranë zeros në momentin që flasim. Pra është ende stimuluese për ekonominë. Ai la të kuptojë se përfitimet e qeverisë në të ardhura nga rritja e çmimeve janë më të larta se shpenzimet që ajo ka nga rritja e interesave.
Interesat e borxhit të qeverisë rriten më shpejt se norma bazë, presione të shumëfishta
Në muajt e fundit, interesat e letrave me vlerë të qeverisë janë rritur shumë më tepër se norma bazë e interesit të Bankës së Shqipërisë.
Nga marsi në nëntor 2022, Banka Qendrore e ka rritur normën bazë të interesit 5 herë. Duke e çuar atë më 2 nëntor në 2.75% nga 0.5% që ishte në ditët e fundit të muajit mars. Por interesi i letrave me vlerë të qeverisë është gati sa dyfishi i normës bazë.
P.sh., në ankandin e fundit të bonove të thesarit me maturim 12-mujor, instrumenti më i përdorur këto kohë për rifinancimin e borxhit, interesi arriti në 5.74% nga 1.62% në mars të këtij viti.
Norma bazë e interesit nga marsi në nëntor është rritur 2.5 pikë përqindje. Ndërsa interesi i bonove 12-mujore është rritur me 4.1 pikë përqindje.
Ecuria e ka rritur hendekun ndërmjet normës bazë të interesit dhe bonove të thesarit në nivelin më të lartë që nga viti 2014, kur vendi hyri në një marrëveshje financimi me FMN dhe Bankën Botërore.
Kjo për të shlyer stokun e lartë të detyrimeve të prapambetura.
Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave ndajnë argumente të ngjashme për rritjen interesave në letrat me vlerë të qeverisë. Aktorët e tregut (bankat e nivelit të dytë), në pritje të rritjes së mëtejshme të normës së interesit, ulën kërkesën për të blerë instrumentet e borxhit në muajt e fundit.
Kërkesa në rritje e qeverisë, e cila gjithnjë është më e lartë në muajt e fundit të vitit, u përball me një ofertë më të ulët nga bankat. Që çoi në rritje të shpejtë normën e interesit për të gjitha instrumentet. Raportet e mbulimit ishin 0.50% në shumë ankandet e muajve të fundit. Kurse vitin e kaluar ofertat e bankave ishin rreth 130-150% më të larta se kërkesa e qeverisë.
Në muajin shtator, interesi mesatar i letrave me vlerë arriti në 3.72%, nga 3.22% në muajin janar të këtij viti.
Për të amortizuar në afat të gjatë normat e rritura të interesit, Ministria e Financave ka shpeshtuar ankandet e emetimit të instrumenteve afatshkurtër të borxhit. Kjo ka sjellë në rënie ditët mesatare në maturimit të borxhit. Sipas të dhënave të 9-mujorit, borxhi publik maturohet në një mesatare prej 820 ditësh. Nga rreth 860 ditë që ishte maturimi në gusht 2022.
Ministria e Financave është e shqetësuar për situatën, duke nënkuptuar pakënaqësi për rritjen e normës bazë nga Banka e Shqipërisë. Megjithëse interesat pritet të stabilizohen vitin e ardhshëm. Ato e kanë vënë Qeverinë para presionit, për përballimin e të cilit janë hartuar disa skenarë.
Ministria e Financave parashikon se kushtet e financimit në tregjet ndërkombëtare do të jenë edhe më të shtrënguara, ndaj rreziqet për rifinancimin e borxhit janë shumë të larta.
Interesat e larta, 127 mln euro më shumë për interesat më 2023
Vitin që vjen, Ministria e Financave ka programuar që kostoja e borxhit vetëm nga normat e interesit rriten me 10 miliardë lekë. Ose rreth 86 milionë euro në krahasim me fundin e këtij viti.
Shpenzimet totale për shlyerjen e interesave të borxhit parashikohet të arrijnë në 61 miliardë lekë në vitin 2023, nga 50.7 miliardë lekë të projektuara për këtë vit, ose me një rritje 20%.
Kostot do të jenë më të larta për financimin e borxhit të brendshëm rreth 34.2 miliardë lekë. Ose 58% më shumë se pritshmëria e këtij viti, ndërsa për borxhin e jashtëm janë parashikuar 21 miliardë lekë, ose 17% më shumë se këtë vit.
Me përkeqësimin e rritjes ekonomike dhe me rritje përtej pritshmërive të normave të interesit, kostot e borxhit do të rriten edhe më tej, sipas Ministrisë së Financave.
Për të përballuar kostot e paparashikuara, Ministria e Financave ka programuar një fond kontingjence prej 4.9 miliardë lekësh më shumë, ose 40 milionë euro, të cilat konsiderohen të mjaftueshme nëse borxhi dhe interesat dalin nga skenarët normalë.
Vitin që vjen, qeveria ka në dispozicion 15 miliardë lekë shtesë për të përballuar kostot që do të vijnë nga normat e larta të interesit.
Mjetet që do të mbajnë kontrollin mbi borxhin
Ministria e Financave po projekton të çojë në trajektore rënëse graduale borxhin publik. Ndërsa balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv që prej vitit të ardhshëm 2023 dhe do të vijojë e tillë edhe më tej.
Qeveria ka programuar krahas konsolidimit fiskal të tregohet konservatore për shpenzimet kapitale dhe korrente, ku shpenzimet kapitale (pra, investimet publike) do targetohen të jenë rreth 5% e PBB në çdo vit buxhetor. Me rishikim nëse ka presione mbi rritjen e borxhit.
Deficiti buxhetor për vitin 2023 planifikohet të jetë në nivelin 2.6% të PBB nga rreth 3.3% i pritshëm për vitin 2022. Balanca primare për këtë vit pritet të jetë pozitive në rreth 0.3%, në një përmirësim të qenësishëm nga niveli negativ prej rreth -1.3% që pritet për vitin 2022.
Sipas Ministrisë së Financave, balanca korrente fiskale do të jetë pozitive në vitin e ardhshëm 2023, në nivelin prej 2.7% të PBB, nga një nivel i pritshëm përsëri pozitiv prej 2.2% këtë vit.
Gjithashtu edhe borxhi publik bruto do të vijojë trajektoren rënëse të nisur që në vitin 2021, pas pandemisë, në përputhje me rregullin përkatës fiskal. Në vitin 2022 pritet që borxhi publik të ulet në rreth 68.8% të PBB, nga rreth 73.2% në vitin 2021 dhe pritet të vijojë të bjerë më tej, në rreth 67.5% në vitin 2023.
Balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv (suficit primar) që prej vitit 2023 e në vijim.
Ndërkohë që, duke filluar prej vitit buxhetor 2024 e në vijim, ky objektiv do të jetë edhe ligjërisht i detyrueshëm, ku në ligjin organik të buxhetit përcaktohet që duke filluar nga viti buxhetor 2024 e për çdo vit në vijim balanca primare të rezultojë jo më e vogël se sa zero (pra së paku e balancuar ose pozitive). Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 64.4% në vitin 2026 dhe më tej, në rreth 55% në vitin 2031.
Ministria e Financave sqaroi se, në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, menaxhimi i borxhit do të ketë në fokus plotësimin e nevojave për huamarrje, duke mbajtur në konsideratë përmirësimin e mëtejshëm të strukturës së borxhit (kryesisht strukturën e portofolit të borxhit të brendshëm) në drejtim të uljes së ekspozimit ndaj rreziqeve.
Gjithashtu, në tregun e brendshëm do të merren masa për të nxitur pjesëmarrjen e investitorëve në letrat me vlerë qeveritare. Në tregun e brendshëm, nëpërmjet titujve afatshkurtër, kryesisht do të synohet rifinancimi i titujve ekzistues, si dhe menaxhimi i nevojave për likuiditet. Ndërkohë, nëpërmjet titujve afatgjatë do të synohet të realizohet huamarrja e re e planifikuar.
Në tregun e huaj, burimet kryesore të huamarrjes do të jenë huatë me terma të buta, ose pjesërisht të buta. Të cilat do të financojnë projektet ekzistuese dhe projektet e reja të konsideruara parësore nga qeveria, si dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore të akorduara nga institucionet financiare ndërkombëtare, për të mbështetur qeverinë për pandeminë COVID-19. Dhe për reformat e politikat zhvillimore të vendit.
Gjithashtu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon daljen gjatë vitit 2023 në tregjet ndërkombëtare financiare. Nëpërmjet emetimit të instrumentit të Eurobondit. Në rast se kushtet e tregut do të jenë të favorshme.
Në fund të muajit shtator 2022, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 1,360,300 miliardë lekë, ose 67.7% e PBB. Niveli i borxhit ndaj PBB-së u ul me 5.4 pp krahasuar me fundin e vitit 2021.
Në fund të vitit 2020 raporti i borxhit ndaj PBB-së arriti në një nivel të paprecedentë të shkaktuar nga dy goditje radhazi që goditën ekonominë dhe financat publike shqiptare. Si tërmeti në fund të vitit 2019 dhe më pas pandemia Covid-19. Ndërsa që në fundin e vitit 2021, nivel pësoi rënie me 1.3 pikë përqindje nga 74.5% në fund të 2020-s. Që ishte dhe niveli më i lartë i arritur ndonjëherë, në 73.1%.
Në fund të 9 mujorin 2022, borxhi ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë, mes monedhës kombëtare dhe atyre të huaja.
Mosrealizimi i investimeve “shpëton” borxhin
Në terma nominalë, niveli i borxhit deri në fund të shtatorit 2022 është rritur me 3.1 miliardë lekë. Krahasuar me fundin e vitit 2021, nga i cili pjesa më e madhe e financimeve është marrë në tregun e jashtëm. Sipas pritshmërive të Ministrisë së Financave, borxhi i qeverisjes qendrore pritet të qëndrojë në nivelin prej 68.8%. Kjo deri në fund të këtij viti.
Në fund të muajit shtator, buxheti i shtetit rezultoi me suficit 16,2 miliardë lekë. Niveli më i lartë për këtë periudhë, së paku që nga viti 2001.
Suficiti i pazakontë në këtë periudhë lidhet me të ardhurat shtesë të grumbulluara në 9-mujor. Dhe nga mosrealizimi i shpenzimeve sipas planit të periudhës. Sidomos investimet kapitale. Vitin e kaluar, në këtë periudhë, buxheti ishte deficitar. Me -18,6 miliardë lekë.
Në zërin e shpenzimeve kapitale janë programuar 112 miliardë lekë këtë vit. Por qeveria ka shpenzuar, deri në fund të shtatorit, vetëm 51 miliardë lekë. Ose 45% të programit vjetor.
Me ndryshimet e fundit në buxhet, deficiti buxhetor është parashikuar në nivelin 3.8% të PBB. Nga 4.8% në aktin e fundit normativ.
Gjatë 21 viteve, balanca buxhetore ka rezultuar me suficit vetëm 5 vjet. Në 8-mujorët e 2006 dhe 2007, në 2016 dhe 2018 dhe tani në 2022. Këtë vit u pa një prurje e pazakontë në të ardhurat buxhetore. Ato u rritën me ritme dyshifrore prej rritje së çmimeve.
Shtrenjtimi i çmimeve ka rritur ndjeshëm të ardhurat buxhetore që vilen në përqindje të vlerës. Ministria e Financave raportoi se, të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 426 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, të adhuruat janë rritur me +58.5 miliardë lekë, ose +15.9% më shumë.
Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9-mujore të vitit 2022, arritën në rreth 409.9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë ka rezultuar rreth 1.5% më i lartë. Ose rreth 6.2 miliardë lekë më shumë. Në raport me planin e periudhës ishin rreth 7% më të ulëta.
Të ardhurat më të larta se plani dhe shpenzimet më të ulëta kanë mbajtur balancën buxhetore në suficit. Nëse kjo ecuri qëndron deri në mbylljen e vitit, qeveria do të realizonte një ulje të ndjeshme të borxhit publik.
Gjatë viteve të fundit, qeveria e ka shndërruar në praktikë të shpenzojë në dhjetor deficitin ose suficitin. P.sh., në fund të vitit 2021, deficiti buxhetor arriti në 85 miliardë lekë (rreth 700 mln euro). Prej të cilave 52.7 miliardë lekë u alokuan në dhjetor. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Në dy vitet 2020 dhe 2021, qeveria shpenzoi pothuajse 40% të fondit të investimeve kapitale në muajin dhjetor. Duke shkelur parimet e ligjit organik. I cili nuk lejon përqendrimin e pagesave në një periudhë.
Një listë zyrtare me zërat e investimeve që u publikua nga Ministria e Financave tregon se, projektet kryesore të investimeve morën nga 40-60% të financimeve vjetore në dhjetor.
Fondet e investimeve të shpërndara në shumë projekte shpesh korruptive (inceneratorët) dhe jo të mbështetura në prioritete të zhvillimit të qëndrueshëm nuk po rrisin produktivitetin në ekonomi/Monitor
Discussion about this post