Media italiane “Domani” ka bërë një investigim mbi kompaninë shqiptare Kayo dhe marrëveshjen e saj me gjigantin italian Fincantieri, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi aftësinë financiare, transparencën dhe lidhjet politike të kësaj kompanie me qeverinë e Edi Ramës.
Në artikull thuhet se, në qendër të projektit qëndron një rrjet marrëdhëniesh të ndërlikuara ku përfshihet edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sot administrator i Kayo-s dhe një nga njerëzit më të afërt me kryeministrin.
Gjithashtu media italaine shkruan se Kayo është një kompani e krijuar nga qeveria Rama në tetor 2024 me kapital të vogël, vetëm 1.5–3 milionë euro, por e pozicionuar në projekte shumë më të mëdha se kapacitetet e saj reale.
Më 13 nëntor 2025, gjatë takimit ndërqeveritar Itali–Shqipëri në Romë, përveç rinovimit të paktit mbi Migracionin dhe Azilin dhe diskutimeve për qendrat e emigrantëve, u nënshkrua edhe një marrëveshje për Mbrojtjen.
Gjatë takimit midis presidentit të Fincantieri, Pierroberto Folgiero, dhe homologut të tij shqiptar, Pirro Vengu, u diskutua për rilançimin e bazës ushtarake shqiptare në Pashaliman, pranë Vlorës. Në këtë qytet buzë Adriatikut, Leonardo, Fincantieri dhe kompania shqiptare Kayo do të prodhojnë tetë anije 80 metra të gjata dhe 800 ton.
Por a është kompania shqiptare me të vërtetë e aftë të luajë një rol kaq të rëndësishëm?
Çfarë është Kayo?
Kayo u themelua në tetor 2024 nga qeveria shqiptare, me qëllim të rindërtojë sektorin e prodhimit të armëve dhe municioneve, në rënie që nga rënia e komunizmit. Ajo mori në menaxhim ish-plantet e Mjekës, Gramshit dhe Poliçanit, me synimin për të filluar prodhimin e armëve “made in Albania” brenda vitit 2030. Projekti mbështetet edhe nga fonde europiane.
Megjithatë, Kayo ka një problem themelor: kapital shumë të ulët.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, e quan këtë “qesharak”. Financimi i parë nga qeveria Rama ishte 150 milion lekë, më pas u rrit në 300 milion lekë – që në euro do të thotë një kapital prej 1.5 deri 3 milionë euro.
Për krahasim, ndryshimi i flamurit të anijes Libra (dhuratë nga Italia për Shqipërinë këtë vit) kushtoi 1.5 milion euro, ndërsa korvetat, anijet që përputhen me profilin e joint venture-së së re, kushtojnë 300–500 milion euro për prodhim.
Leonardo ka një kapital prej rreth 30 miliardë euro dhe Fincantieri prej 6 miliardë euro, shuma që përdoren për të mbuluar humbje apo për të kundërshtuar sulme financiare – kapacitete që Kayo, për shkak të moshës së re dhe kapitalit të kufizuar, nuk i zotëron.
Blerjet “e dyshimta”
Menjëherë pas themelimit, Kayo u bë lojtar kyç në Mbrojtjen shqiptare:
Prill 2025: Kryeministri Rama organizoi shitjen e 49% të aksioneve të Timak tek një sipërmarrës izraelit, Ron Yeffet, i njohur si mbështetës i tij.
Gusht 2025: Timak dhe Kayo krijuan një joint venture, Timak Defense, për prodhimin e mjeteve ushtarake.
Përveç kësaj, Kayo hyri me 20% në kapitalin e Myslym Keta Defence (MSK) dhe Guna Tactical, kompani në pronësi të aleatit të vjetër të Ramës, prodhuesit të armëve Emiliano Dusha.
“Po flasim për një kompani që, në kohën e shitjes së aksioneve, vlente rreth 35 mijë euro. Në dy muaj, përmes një marrëveshjeje me Kayo, MSK u bë furnizuesi ekskluziv i armëve dhe uniformave të ushtrisë shqiptare, me 400 punonjës. Për ju kjo është normale?” – pyet Balliu.
Ardi Veliu
Administratori i Kayo, Ardi Veliu, është shumë afër kryeministrit Rama. Ai ka qenë ish-komandant i policisë, më pas zëvendësministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, dhe në vitin 2024 u emërua CEO i kompanisë.
Disa hije janë ngritur mbi njerëzit pranë tij: ish-shoferi i tij është hetuar nga SPAK për korrupsion.
Në gusht, policia – institucioni mbi të cilin Veliu ka ende ndikim – hyri në ambientet e News24, televizion i opozitës, për t’i pastruar dhe kthyer në selinë e re të Kayo. Qeveria e justifikoi këtë duke thënë se kontrata kishte skaduar, por mungesa e një dekreti formal për shpalljen e ekskluzionit ngriti dyshime për një veprim të drejtpërdrejtë të Veliut.
Kush paguan?
Administratori i diskutueshëm, kapitali i dobët i kompanisë dhe blerjet e dyshimta lënë shumë dyshime mbi marrëveshjen Itali–Shqipëri.
Termat e marrëveshjes nuk janë bërë publikë.
Pyetjet mbeten: Sa do të kontribuojnë Leonardo dhe Fincantieri, kompani me pjesëmarrje të fortë publike, në modernizimin e kantierit të Pashaliman?
Dhe çfarë ndodh nëse Kayo përballet me vështirësi financiare?
Ministri Vengu flet për të ardhura prej 8 milionë euro, shifër që mbetet e pamjaftueshme për të garantuar një investim të sigurt. Domani










Discussion about this post