GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Fact-Checking & Analize

Investitori strategjik, “Shijaku” shpk, një “yzmeqar” i Klodi Zotos

në Fact-Checking & Analize, Kryesore2
Kohë leximi: 5 min
A A
Investitori strategjik, “Shijaku” shpk, një “yzmeqar” i Klodi Zotos
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Dokumentat e SPAK-ut për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj janë si një lloj “thesi me miell”, në të cilën sa më shumë të shkundësh, aq më shumë problematika, korrupsion dhe skandale zbulohen në të.

Hetimet nuk përfshijnë vetëm raportet e “bosëve” të inceneratorëve, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri me zyrtarë të lartë, por edhe të kompanive të tyre me shoqëri të tjera private.

SPAK ka zbuluar se si kompani të ndryshme janë vendosur nën shërbimin e Zoto-Mërtirit, për të fshehur gjurmët e këtyre të fundit në përfitimin e miliona eurove publike në tendera të ndryshëm.

Një rast tipi është kompania “Shijaku”.

Prokuroria Speciale ka siguruar të dhëna që shoqëria e Shpëtim Shijakut, i cili është shpallur më vonë edhe si “investitor strategjik” për ndërtimin e një resorti gjigand në Plazhin e Gjeneralit”, është përdorur si “presta nome” (vënës në përdorim i emrit për llogari të të tjerëve) ose, më saktë, si një yzmeqar i biznesmenit në kërkim, Klodian Zoto.

Kush është “Shijaku”

Kompania “Shijaku” shpk është krijuar në vitin 2002 nga pronari i vetëm i saj, Shpëtim Shijaku, me aktivitet në fushën ndërtimore.

Ndër vite, Shpëtim Shijaku ka krijuar edhe disa kompani të tjera. Në korrik të vitit 2021, ai regjistron kompaninë “Mediterranan Ëave”, me objekt të veprimtarisë ndërtime hoteliere dhe strukturash turistike.

Diçitura: Kompania “Mediterreanean Wave” është në pronësi të Shpëtim Shijakut

Vetëm 6 muaj më pas, në Dhjetor të vitit 2021, kompania “Mediterranean Wave” e Shijakut fiton statusin e “investitorit strategjik”, me një vendim të miratuar nga Komiteti përkatës, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas këtij vendimi, kompania e Shijakut do të asistohet nga Shteti për ndërtimin e një resorti turistik, me vlerë investimi mbi 50 milionë euro.

Ky investim përfshin ndërtimin e rreth 250 njësive, ndër të cilat vila, apartamente e struktura hoteliere.

Diçitura: Kompania e Shpëtim Shijakut u shpall investitor strategjik në Dhjetor 2021

Në funksion të këtij investimi strategjik, qeveria shqiptare merr përsipër që t’i dorëzojë kompanisë së Shpëtim Shijakut një hapësirë prej rreth 130 mijë metra katrorë truall në perlën bregdetare, të njohur me emrin “Plazhi i Gjeneralit” në Kavajë.

Në Shkurt të vitit 2023, Komiteti për Investimet Strategjike bëri një ndryshim në vendimin për statusin “investitor strategjik”, duke i kërkuar kompanisë investiture “Mediterrenean Ëave” të Shpëtim Shijakut që të rakordojë veprimet me Bashkinë e Kavajës për çështjen e truallit.

Deri në plotësimin e rakordimeve, investimi strategjik do të qëndrojë i pezulluar.

“Yzmeqar” i Klodian Zotos

Kur sheh projektin gjigand të Shpëtim Shijakut për resortin tek Plazhi i Gjeneralit, vetëvetiu mendon se kompania ka një potencial të admirueshëm, me të cilin e meriton statusin e “investitorit strategjik”.

Ndoshta mund të jetë edhe kështu. Megjithatë hetimet e SPAK-ut për Arben Ahmetaj tregojnë më së paku dy episode, në të cilat kompania mëmë e Shpëtim Shijakut, pra “Shijaku” shpk, ka luajtur rolin e yzmeqarit për Klodian Zoton.

Skrapi i TEC Fier

Në shtator të vitit 2013, kur Arben Ahmetaj u emërua Ministër i Zhvillimit dhe Sipërmarrjes, emëroi mikun e tij të ngushtë, Artan Gjokaj, në pozicionin e likuidatorit për kompaninë publike, “Petrol Alba”, e cila prej vitesh nuk prodhonte.

Në Prill të vitit 2014, likujidatori Gjokaj kërkon nga Ministria e Ahmetaj lejimin për zhvillimin e ankandit për shitjen e skrapit dhe çelikut, që gjendej në pjesën e pashfrytëzuar të TEC-it Fier.

Pak ditë më pas, Ahmetaj miraton procedurën e ankandit për shitjen e mbi 4.8 milionë kilogramë skrap, për një vlerë prej 115.8 milionë lekë të reja.

Drejtoria e Privatizimit në Ministrinë e Zhvillimit ngarkon shtetasin Klodian Mene (vëllai i kunatit të Arben Ahmetaj, Leonard Mene), që të përfaqësojë institucionin në procedurën e ankandit.

Në 18 Qershor 2014 zhvillohet ankandi, i cili fitohet nga kompania “Shijaku”, me ofertë saktësisht deri në qindarka me shumën e vendosur nga Ministria e Zhvillimit dhe Sipërmarrjes.

SPAK thotë se “pavarësisht se palë kontraktore në këtë marrëdhënie shfaqet kompania ‘Shijaku’, në fakt pas kësaj shoqërie qëndrojnë miqtë e Arben Ahmetaj (Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto)”.

Ky konkluzion “lexohet nga provat e administruara”-thotë më tej SPAK.

Diçitura: Dokumentat e SPAK për ankandin e skrapit të fituar nga “Shijaku” shpk

Në kompjuterin e Klodian Zotos, hetuesit kanë zbuluar një e-mail nga shtetasja Lele Filaj, punonjëse e “Shijaku” shpk. Në këtë e-mail, dërguesja i dërgon Zotos një dokument me titull: “draft kontratën për shitjen e skrapit TEC-Fier. Nëse keni ndonjë sugjerim, na komunikoni”.

Bazuar në këtë komunikim, prokurorët specialë dyshojnë se “pavarësisht se shoqëria ‘Shijaku’ rezulton fituese e ankandit, procedura kontrollohet nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”.

Po ashtu, SPAK-u ka gjetur edhe komunikime të tjera mes “Shijaku” shpk e Zotos, të lidhura me këtë procedurë ankandi.

Pastrimi i grykëderdhjes Shkumbin

SPAK thotë që ka identifikuar edhe një tjetër punë të përbashkët mes Shpëtim Shijakut dhe dyshes Zoto-Mërtiri.

Në Dhjetor të vitit 2015, Bashkia e Rrogozhinës i prezanton Ministrisë së Mjedisit me projektin për “ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimi i vijës bregdetare Vilë Bashtovë-Rrogozhinë”.

Projekti ishte punuar nga studio “Ave Consulting” e Arben Dervishaj, një tjetër i pandehur tashmë për aferën e inceneratorit të Fierit.

Diçitura: Dokumentet e SPAK për impiantin e grykëderdhjes së Shkumbinit

Dokumentat e siguruar nga SPAK në kompjuterin e Klodian Zotos tregojnë se ai ka pasur dijeni paraprakisht për këtë procedurë, të paktën prej janarit 2016, i informuar nga ish-drejtoresha e përgjithshme e koncesioneve në Ministrinë e Mjedisit, Etleva Kondi, edhe kjo e pandehur për rastin e inceneratorit të Fierit.

Në mesin e shkurtit 2016, Ministria e Mjedisit shpall procedurën për impiantin e grykëderdhjes së Shkumbinit deri në Vilë Bashtovë.

Fondi limit për këtë tender është 136.321.418 lekë të reja. Në Prill të vitit 2016, Ministria e Mjedisit shpall fitues të tenderit bashkimin e operatorëve, të përbërë nga “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, “Shijaku” shpk e Shpëtim Shijakut dhe “Zenit Ambiente”, të cilat paraqitën ofertë ekonomike me vlerë 101.240.160 lekë të reja.

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

 

 

 

Etiketa: Shijak

Lajme të lidhura

Bllokimi i pagave nga qeveria/ Magjistratët: Pagesat të ekzekutohen menjëherë, po sfidohet vendimi i Kushtetueses
Breaking Views

Bllokimi i pagave nga qeveria/ Magjistratët: Pagesat të ekzekutohen menjëherë, po sfidohet vendimi i Kushtetueses

20:53 - 05/09/26
Pasi anuloi resortin në Divjakë, Agolli i shlyen vëllezërit Bitri me tender 3.4 miliardë lekë/ FSHZH shtron përsëdyti Tushemisht-Doganë, asfalton Drilonin dhe Konispolin!
Breaking Views

Pasi anuloi resortin në Divjakë, Agolli i shlyen vëllezërit Bitri me tender 3.4 miliardë lekë/ FSHZH shtron përsëdyti Tushemisht-Doganë, asfalton Drilonin dhe Konispolin!

15:00 - 15/08/26
Tenderi 4.5 MLD lekë, Anuela do asfaltojë nga e para “Ali Demin”/ Agim Kola dhe Anduena Bajrami, ftohen të ndajnë paratë e Bashkisë Tiranë
Breaking Views

Tenderi 4.5 MLD lekë, Anuela do asfaltojë nga e para “Ali Demin”/ Agim Kola dhe Anduena Bajrami, ftohen të ndajnë paratë e Bashkisë Tiranë

13:32 - 15/08/26
Para
Aksident i trefishtë në aksin Sarandë-Delvinë, lëndohet 30-vjeçarja

Aksident i trefishtë në aksin Sarandë-Delvinë, lëndohet 30-vjeçarja

Discussion about this post

TË FUNDIT

Inagurohet fusha e re sportive në Durrës, Presidenti Duka: Ta mbushni me energji, buzëqeshje dhe ëndrra
Sport

Inagurohet fusha e re sportive në Durrës, Presidenti Duka: Ta mbushni me energji, buzëqeshje dhe ëndrra

11:03 - 10/09/26

Qytetit të Durrësit i është shtuar një tjetër hapësirë moderne për zhvillimin e futbollit. Pranë stadiumit “Niko Dovana” është inauguruar...

Lexo më shumë
Qeveria gjen zgjidhjen për të shpëtuar nga afera e Tigrave, llamarinat e ndryshkura do të konvertohen me gaz

Bozdo: 100 milionë euro për “Tigrat“ që nuk punuan, SPAK të sekuestrojë dosjet e këtij korrupsioni

10:59 - 10/09/26
Gjyqi në GJKKO/ “Hiqjani kafazin prej xhami!”, shpërthen avokati i Metës: Vetëm ISIS i poshtëronte kështu njerëzit

Metës i kufizohen takimet/ Komiteti i Helsinkit i drejtohet burgut ‘Jordian Misja’: Kjo është shqetësuese, cënon të drejtat e njeriut

10:29 - 10/09/26
EMRAT/ Plotësohen vakancat, zgjidhen tre anëtarët e rinj të KLGJ-së

Ngërçi me pagat në drejtësi/ Gjyqtarët mbledhje të jashtëzakonshme në KLGJ, pezullohet puna në disa gjykata

10:19 - 10/09/26
“Bllokim rruge dhe prishje të qetësisë publike”, arrestohet një protestues dhe procedohen 14 të tjerë

“Bllokim rruge dhe prishje të qetësisë publike”, arrestohet një protestues dhe procedohen 14 të tjerë

10:08 - 10/09/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com