Ish-ministri i Mjedisit dhe i Turizmit, Blendi Klosi, i ka konvertuar firmat mbi lejet e (shkatërrimit) të mjedisit me vila dhe apartamente luksoze në favor të tij. Së fundmi, është zbuluar vila luksoze në kompleksin “Green Coast“ në Palasë, ku Klosi dhe familja e tij kalojnë muajt e verës. Bëhet fjalë për vilën me nr 69 në fshatin turistik të ndërtuar nga oligarku Saimir Mane.
Për këtë projekt dhe infrastrukturën e lidhur me të janë hedhur shumë firma, por vendimtare kanë qenë lejet e mjedisit. E pra, ministri është shpërblyer mirë dhe jeton si pasha në një nga pikat me të lakmuara për momentin në Mesdhe. Sigurisht, që nuk është budalla ta mbajë vilën në emrin e tij. Nuk është aq “Don Zhuan” sa ish-kolegu i tij Ahmetaj që përdor emrat e partnereve. Miqtë në biznes i kanë thënë të mos shqetësohet se i mbajnë ata vilat në emrin e tyre. Fjala vjen, ish-gazetari Dritan Shakohoxha, sipas mediave, është pronar i Vilës 69 ku jeton në verë ish-ministri Klosi.
Klosi e ka për zemër këtë resort, e ka ndjekur ndërtimin dhe e ka promovuar në çdo hap. Në tetor 2018, Klosi lavdëroi këtë investim duke e lidhur me betejën e Çezarit me Pompeun, që nisi pas zbarkimit të ushtrisë romake në atë plazh:
“Do të kemi një hotel me 5 yje për të cilat ne po flasim përditë, një nga investimet më të mira të të gjithë zonës së Mesdheut përsa i përket hotelit në cilësinë e tij por po ashtu kemi një bashkërendim ndërmjet këtij investimi dhe sponsorizimit që kompania po bën që së bashku me zonat e mbrojtura të shenjojnë në mënyrë të plotë të gjithë shtegun e Cezarit I cili vjen nga një histori mjëravjecare ku Cezari ka arritur që të kalojë nëpërmjet këtij shtegu për të bërë betejat e tij të famshme me Pompein në Orikum dhe pastaj në zonën e Durrësit. Ne do të vazhdojmë të promovojmë gjithë këto ngjarje historike të cilat dëshmojnë se traditat, vlerat kulturore, vlerat turistike të kësaj zone janë të paimagjinueshme, por janë edhe pashfrytëzuara”, është shprehur Klosi.
Vila në Green Coast resort
Vila e Klosit ka një sipërfaqe parcele 478 m2, në kompleksin “Green Coast” të Samir Manes. Në këtë kompleks, ish ministri gëzon fqinjë pronarë të tjerë vilash si ministra, gazetarë, deputetë, guvernatorë të Bankës së Shtetit, që kanë të përbashkëta lidhjet në korrupsion.
Pra, Blendi Klosi e ka përdorur këtë vilë duke mos e mbajtur në emrin e tij. Fillimisht vila, sipas mediave të ndryshme, ka qenë nën emrin e oligarkut Florenc Gjikuria dhe më pas ka kaluar në emër të gazetarit sportiv Dritan Shakohoxha. Ky i fundit është shfaqur kohë e fundit edhe si sipërmarrës në biznesin e Real Estate. Si pozicion ajo ndodhet prapa vilës së Aleksandër Frangajt, që është edhe spozorizuesi dhe mbështetësi i tij ne politikë për të marrë postet e deputetit dhe të ministrit. Vila Nr.69, sot kushton të paktën 1 milion euro. Duhet theksuar se veç kostos së vilës, ish-ministri ka zgjedhur të vendosë një mermer të shtrenjtë me një kosto prej 700 mijë eurosh, të cilën e ka blerë tek një firmë e një personazhi të njohur në Fier.
Vila në fjalë, ndryshe nga të gjitha ndërtimet e zonës ka shkelur lejen e projektit fillestar! Po të shohësh planimetrinë e vilës, thuhet se ka një kat përdhes dhe katin e parë mbi të. Në fakt, ministri e ka hapur pa leje katin nëntokë dhe vetëm për këtë do të duhej ishte në burg. Kati nëndhe është ndërtuar me një sistem të sofistikuar inxhinierik i quajtur “Gojë Ujku”, në mënyrë që të bëhej i banueshëm, me qarkullim natyral të ajrit.
Ministri nuk ka bërë asgjë më shumë se sa oligarku Samir Mane që e ka ndërtuar resortin mbi truallin e disa pronarëve të tjerë, duke pasur zhvendosje 28 metra më poshtë planit dhe 65 metra më majtas pozicionit aktual.
Në rastin e resortit, lejen për të ndërtuar e ka marrë kompania që zhvillon projektin, pra “ManeTCI”, pjesë e “Balfin Group” i Samir Manes. Çdo ndërhyrje tjetër jashtë këtij plani është ndërtim pa leje.
Shkelësi i ligjit është pikërisht një Ministër Turizmi dhe Mjedisi! Ndërtimi pa leje dhe bashkëpunimi në ndërtim konsiderohet një vepër e rëndë penale dhe dënohet nga 1 vit deri në 8 vite burg. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike, tokën shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet burg. Gjithashtu kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.
Ndryshimet ligjore nuk kanë lënë pa përcaktuar edhe ndryshimet për kompanitë që marrin pjesë. Në nenin 199 pika B thuhet se: Cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të paligjshëm, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Mos u çudisni me bujarinë e oligarkëve me ministrin Klosi. Ministri ka lejuar të shkatërrohet mjedisi në këtë vend të bukur. Nuk mjaftoi ndërtimi i vilave që ngjan si një njollë e shëmtuar në atë bregdet, por ka dëmtuar edhe monumentet natyrore të zonës.
Firma “Gjikuria”, e njëjta që ndërtoi në favor të Samir Manes fshatin turistik, ka hapur më parë rrugën dhe guroren. E njëjta që u mor e pandehur për ndërtim pa leje. Madje, e njëjta që shkatërroi “Deltën e Përroit të Palasës”, një monument natyre, ka bërë biznes pasi është pajisur me lejet e mjedisit të Klosit.
Apartamenti tek Kulla Park Gate
Zyrtarisht Klosi ka deklaruar vetëm një apartament të kohës së komunizmit. Kaq i varfër është ministri i lejeve mjedisore?! Apartamenti ku jeton Blendi Klosi në kryeqytet, nuk është ai në të cilin i referohet në deklaratën e pasurisë, pra: Pronar në masën 20% të pasurisë së paluajtshme, shtëpi banimi (3+1) me sipërfaqe 98 m2 të përfituar nga privatizimi masiv në vitet 1990.
Ish-ministri gëzon një apartament 3+1, apartamenti me Nr. 81, kati i 12, në Kullën Park Gate, që ndodhet në Rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit Ekonomik. Duke iu referuar vlerës së pronës në fjalë, një apartament i tillë me një sipërfaqe rreth 368 m2 kap vlerën e 1 milion euro. Sipas “Ekskluzive.al”, pronësia e apartamentit është në emrin e pronarit të mediave Aleksandër Frangaj, njëkohësisht punëdhënësi i zonjë Nora Klosi, bashkëshorte e ish-ministrit.
Apartamenti në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, pranë Liqenit Artificial, kap një vlerë minimale prej 1 milion euro, të cilën sipas deklaratës së pasurisë ish ministri dhe bashkëshortja e tij nuk e justifikojnë dot. Ky apartament ka një sipërfaqe prej 368 m2, nga të cilat 308 m2 apartament dhe 60 m2 verandë.
Ndërkaq, sipas burimeve të Gijotina.com, ish-ministri ka edhe një vilë në plazhin e Qerretit në Kavajë, ku është fqinj me ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj. Vila sigurisht nuk është në emrin e tij, por me pak investigim SPAK-u dhe BKH mund ta identifikojnë lidhjen e politikanit me pronën.
Përse mund të akuzohet Blendi Klosi?
Blendi Klosi dhe bashkëshortja e tij Nora Klosi do të ndiqeshin penalisht për disa vepra penale si: “Shpërdorim detyre”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ndërtim pa leje”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka për detyrimin ligjor për deklarim”.
Sipas deklaratës së pasurisë së ish ministrit, ajo që të bie në sy është se Blendi Pëllumb Klosi dhe bashkëshortja e tij Nora Ndue Klosi, gëzojnë paga të majme nga profesioni i tyre, por nuk kanë prona.
Ministri sipas deklaratës së pasurisë nuk ka makinë në pronësi as sende me vlerë, madje dhe shtëpi gëzon vetëm 20% të një pasurie të paluajtshme, shtëpi banimi me sipërfaqe 98 m2 të përfituar nga privatizimi masiv në vitet 1990.
Ndërsa apartamenti 370 m2 dhe vila luksoze në një nga bregdetet më të bukura të jugut nuk figurojnë gjëkundi!
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Blendi Klosi nuk deklaron asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare e deklaruar kap vlerën e 8.4 milionë lekëve.
Pasuria familjare e Z. Klosi përbëhet nga dy kategori; pasuri e paluajtshme në vlerën e 5.8 milionë lekëve dhe likuiditete bankare prej 2.5 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 38.4 milionë lekë, nga të cilat 67% kanë si burim pagën e Z. Klosi dhe gati 31% pagën e bashkëshortes.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post