Komisioni konstaton mospërputhje në deklarime për gjyqtaren e Shkodrës, Izabela Radovani në kundërshtim me faktet e konstatuara për disa pasuri, si dhe bilanc negativ për krijimin e tyre, që në vlerësimin tërësor të çështjes u çmuan të mjaftueshme për shkarkimin e saj.
Gjyqtarja e Shkodrës Izabela Radovani u shkarkua nga detyra më 14 prill 2023 prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, pasi u konkludua se në vlerësimin tërësor të rrethanave të çështjes, nuk arriti nivelin kualifikues në kriterin e pasurisë. Problemet e konstatuara në aspektin profesional nuk janë vlerësuar të mjaftueshme për shkarkim, por për shkak të përsëritjes së tyre në disa raste, si dhe pasi parashtrimet e subjektit për këto gjetje kanë qenë të pabazuara në dokumente, janë marrë në konsideratë prej Komisionit në vlerësimin përfundimtar në favor të shkarkimit të saj. Për pastërtinë e figures, Radovani mori vlerësim pozitiv.
Vendimi për shkarkimin e Radovanit u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Xhensila Pine.
Izabela Radovani e nisi karrierën në sistemin gjyqësor si ndihmësgjyqtare në vitin 1996 dhe në 2000-in u emërua gjyqtare në Shkodër, ku dhe punoi prej më shumë se dy dekadash.
Subjekti ka deklaruar përfitimin me akt dhurimi të një apartamenti me sipërfaqe 76 m2 në Shkodër, por ka shtuar se në fakt është paguar vlera 500 mijë lekë dhe se pasuria është e regjistruar në emër të bashkëshortit.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar mospërputhje lidhur me mënyrën e përfitimit të këtij apartamenti në Shkodër në vitin 1998, si dhe vlerën e paguar, pasi në deklaratën fillestare të vitit 2003 është shënuar se është blerë për 1.8 milionë lekë, në deklaratën “veting” shkruhet se është dhuruar e paguar 500 mijë lekë, ndërsa në ZVRPP Shkodër rezulton se se kjo pasuri është përfituar me akt dhurimi.
Pasi subjektit i janë kërkuar shpjegime lidhur me këto mospërputhje, ajo ka deklaruar se nuk ka pasur dhurim, por shitje, pasi në fakt palës shitëse i është dhënë shuma 1.8 milion lekë. Sipas saj, hartimi i kontratës së dhurimit është kryer nga vetë noteri, i cili ka zgjedhur këtë mënyrë.
Në lidhje me burimin e shumës 1.8 milion lekë, ka shpjeguar se në vitin 1997 ka shitur një apartament për çmimin 1 milion e 350 mijë lekë, që e kishte blerë një vit para për 1.3 milion lekë me të ardhurat nga puna e saj prej 11 vitesh, përpara se të ushtronte detyrën e ndihmësgjyqtares.
Radovani ka shpjeguar se pasi ka shitur apatamentin e saj, 1.3 milionë lekë i’ua ka dhënë shitësve dhe kur është hartuar kontrata e dhurimit, bashkëshorti ka shtuar edhe vlerën 500 mijë lekë.
KPK ka vlerëson se megjithëse pasuria de jure është përfituar me akt dhurimi, ka rezultuar se de facto është përfituar me shitje në vitin 1998, kundrejt shumën 1.8 milion lekë. Në përfundim KPK ka çmuar se mospërputhjet nuk kanë sjellë ndonjë pasojë pasi subjekti ka pranuar se e ka blerë kundrejt shumës 1.8 milion lekë
Ndërkohë, nga analiza financiare është konstatuar pamundësi për blerjen e këtij apartamenti në 98-ën. Komisioni konkludon se subjekti nuk arriti të shpjegojë bindshëm burimin e të ardhurave për blerjen e apartamentit në vitin 1996 dhe as që shuma e përfituar nga shitja e asaj pasurie një vit më vonë të ketë shërbyer për blerjen e apartamentit në vitin 1998 apo për shtesat në një depozitë të krijuar në vitin 1995 e të deklaruar në 2003-in.
Megjithëse KPK ka marrë në konsideratë një pjesë të pretendimeve të Radovanit lidhur me burimet e banesës së blerë në 98-ën, sërish nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi në shumën 2 milionë e 174 mijë lekë.
Radovani ka deklaruar blerjen e një automjeti të llojit “Daimler Chrysler” në vitin 2008, kundrejt vlerës 1000 euro dhe shpenzime doganore 3500 euro me të ardhura nga puna.
Nga analiza financiare paraprake është konstatuar bilanc negativ në shumën 1 milion e 739 mijë lekë për blerjen e këtij mjeti në vitin 2008.
Radovani ka pretenduar se balanca negative e fondeve për blerjen e mjetit është e lidhur me mënyrën e pasqyrimit të shlyerjes së çmimit të një njësie tregatare me sipërfaqe 34.5 m2 të blerë në Shkodër po në 2008-ën. Ajo ka pretenduar se në vitin 2008 ka paguar vetëm shumën 1 milionë lekë për njësinë dhe jo 3 milionë lekë si e ka konsideruar KPK.
Por, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar pakësim likujditeti cash në vitet 2007, 2008 dhe 2009 për pagesën e çmimit të njësisë ashtu si ajo ka pretenduar dhe për rrjedhojë është çmuar se shlyerja e këstit të parë prej 3 milionë lekësh është kryer sipas marrëveshjes së vitit 2008.
Po ashtu, subjekti ka kundërshtuar në përgjithësi analizën financiare duke pretenduar ndër të tjera që të ardhurat e realizuara nga bashkëshorti për periudhën janar – tetor të vitit 2008 të ripërllogariten nga ana e Komisionit sipas qarkullimit dhe fitimit të mundshëm të realizuar sipas regjistrave fizikë të akteve dhe veprimeve të aktivitetit noterial të tij dhe jo duke u bazuar në deklarimet e kryera si person fizik në organet tatimore përkatëse, për të njëjtën periudhë kohore.
Por, Komisioni ka vlerësuar që në të ardhurat e krijuara nga bashkëshorti do të reflektohen në analizë vetëm ato të cilat janë konfirmuar nga organet tatimore, nga ku ka qëndruar pamundësia financiare në vitin 2008 për investimin në këto pasuri.
Pas kërkimeve për konflikt të mundshëm interesi, ka rezultuar se subjekti ka shqyrtuar dy çështje me palë të paditur trashëgimtaren e shitësit të njësisë dhe përfaqësuese e shoqërisë ndërtuese, kur ende ishin në marrëdhënien juridiko-civile shitjeje të papërfunduar me njëri-tjetrin. Po ashtu, ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit ka mbajtur për ndër vite praktikën e shoqërisë ndërtuese, situata që janë vlerësuar të mjaftueshme si arsye serioze njëanshmërie dhe shkaqe për të mos marrë pjesë në shqyrtimin e çështjeve në fjalë, duke hequr dorë prej tyre.
Radovani është gjetur me balancë negative edhe për krijimin e një depozite 1 milion e 259 mijë lekë në vitin 2013.
Në vendim thuhet se në parashtrimet e saj, subjekti nuk dha ndonjë sqarim specifik në lidhje me këtë konstatim, por ka pretenduar ndër të tjera që të ardhurat e realizuara nga bashkëshorti për vitet 2008, 2010 dhe 2011 të ripërllogariten nga Komisioni sipas qarkullimit dhe fitimit të mundshëm të realizuar.
Ashtu si në rastin e analizës së burimeve të blerjes së njësisë dhe automjetit në vitin 2008, KPK ka vlerësuar të konsiderojë vetëm të ardhurat e konfirmuara nga organet tatimore.
KPK konstaton ndër të tjera se subjekti nuk ka deklaruar përdorimin e banesës private të nënës së saj, por se e ka deklaruar atë vetëm pasi është njohur me rezultatet e hetimit administrativ.
Nga verifikimi akteve të dosjes së ILDKPKI, ka rezultuar se ZVRPP Shkodër ka konfirmuar një apartament me sipërfaqe 54 m2 në emër të Izabela Radovani, të blerë në vitin 1996. Po ashtu ka rezultuar se në vitin 1997 është nënshkruar kontratë shitje për këtë pasuri, në emrin e saj.
Subjekti ka mohuar të ketë lidhur kontrata me objekt këtë pasuri dhe ka shpjeguar se nuk ka informacion mbi gjendjen aktuale juridike të këtij apartamenti.
Ajo ka kundërshtuar si të pavërtetë aderesën e vendbanimit që sipas certifikatës personale është pikërisht kjo banesë, duke deklaruar se kjo adresë nuk përputhet me vendbanimin e saj të regjistruar zyrtarisht në gjendjen civile dhe ka paraqitur dokument për të vërtetuar pretendimin e saj.
Nga hetimi paraprak, KPK ka konstatuar se subjekti ka kryer deklarime të paqarta dhe të pavërteta në lidhje me këtë pasuri, pasi në aktin e blerjes të vitit 1996, veç datëlindjes, gjeneralitetet e tjera përputhen me ato të subjektit, ndërsa në aktin e shitjes të vitit 1997 ka rezultuar se përputhen plotësisht gjeneralitetet e shënuara.
Komisioni i ka vlerësuar jo bindëse dhe të pabazuara deklarimet e subjektit lidhur me këtë pasuri, mes të tjerash edhe pretendimin se ka vërtetuar shkencërisht përmes një eksperti se nuk ka lidhje me kontratën e blerjes së vitit 1996. KPK çmon se konkluzioni i ekspertit nuk është kategorik dhe shton se nga analizimi i aktekspertimit grafik ka vlerë fakti që eksperti ka konkluduar se akt shitblerja e pasurisë të paluajtshme e vitit 1997, është nënshkruar nga shtetasja Izabela B. (Radovani.
“Për më tepër, vetë subjekti e ka vendosur këtë kontratë si model krahasues në dispozicion të ekspertit duke pranuar kështu në mënyrë indirekte që është nënshkruar nga ana e saj”, vëren KPK dhe çmohet se, përderisa subjekti e ka shitur këtë apartament, atëherë edhe e ka blerë atë.
Pavarësisht se pasuria e blerë në vitin 1996 dhe shitur në vitin 1997 i përket një periudhe të hershme e para se Radovani të bëhej subjekt deklarues dhe moskryerja e deklarimeve në lidhje me këtë pasuri nuk ka ndonjë pasojë direkte në funksion të procesit të rivlerësimit, çmohet se subjekti dështoi të argumentojë bindshëm se nuk ka lidhje me këtë apartament. Ndërkohë, prej marrjes dijeni pas pyetjes në ILDKPKI në vitin 2021 e deri në momentin e njohjes me rezultatet e hetimit, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të vërtetuar këtë fakt.
“[…]Në mënyrë të pakuptueshme, pas njohjes me barrën e provës, subjekti ka kërkuar vetëm ekspertimin e nënshkrimit në kontratën e blerjes së pasurisë të vitit 1996, ku ajo figuron në cilësinë e palës blerëse, dhe jo të kontratës së shitjes së vitit 1997, ku ajo është në cilësinë e palës shitëse, duke thelluar edhe më shumë dyshimet në lidhje me pasurinë objekt verifikimi”, konstaton KPK dhe shton se kjo sjellje e përsëritur e subjektit me deklarime që nuk përkojnë me realitetin, deklarime kontradiktore dhe jokoherente, është marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor dhe përfundimtar të çështjes në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.
Nga analiza financiare e përgjithshme për vitet 1996-2003 dhe 2004 -2016 ka rezultuar një bilanc negativ total në shumën 2.1 milionë lekë. /BIRN/
Discussion about this post