Sipas të dhënave më të fundit të ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’ shqiptarët punojnë rreth 6 orë më shumë në javë se europianët. Pra, në Shqipëri punohet pothuaj një ditë më shumë se në vendet e Bashkimit Europian. Orët mesatare aktuale javore për një të punësuar me pagë në vendin tonë janë 43.7 orë, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian është 37.3 orë. Me këtë tregues Shqipëria kryeson Europën duke u renditur e para me më shumë orë pune në javë.
Burime INSTAT
Ndërkohë në 10 vitet e fundit shumë vende të Europës i bashkohen atij grupi ku tashmë punohet vetëm 4 ditë në javë dhe jo më 5. Ky propozim është bërë edhe në vendin tonë nga ekspertë dhe grupe të ndryshme interesi.
Por, sa e mundur është kjo dhe sa larg jemi ne nga ky realitet, që në fakt po ndodh edhe në shtete shumë afër nesh. Për të folur më shumë rreth kësaj çështje, për të bërë një pasqyrim të qartë se ku ndodhet vendi ynë në raport me këtë propozim dhe sa i mundur është ai, Gijotina.com ka kontaktuar me ekspertin fiskal Eduart Gjokutajn.
Në intervistën e zhvilluar me të, Gjokutaj shprehet se në vendin tonë punonjësit nuk vlerësohen parimisht dhe financiarisht as për 40 orë punë që kryejnë. Madje në një pjesë të konsiderueshme nuk paguhen as për orët shtesë apo punën në ditët e festave zyrtare.
Sipas tij, ky propozim i vënë në realitet do ishte mjaft frytdhënës, por vendi ynë është ende shumë larg për ta vënë atë në zbatim.
Në këtë kuadër ai shpjegoi se bizneset në Shqipëri nuk janë gati për të zbatuar këtë propozim, sepse do të ulej produktiviteti. Këtu ai renditi edhe disa faktorë kryesor që e pengojnë këtë propozim në vendin tonë, duke nisur nga mungesa e mirënjohjes dhe vlerësimit në vendin e punës, konkurrenca jo e drejtë, informaliteti e të tjerë që qartësohen në intervistë. Ndërsa flet edhe për mënyrat se si mund të përmirësohemi.
Sa larg jemi ne në zbatimin e kësaj ideje, për të punuar vetëm 4 ditë në javë?
Lidhur me këtë propozim që është bërë edhe më shpesh pjesë e diskutimeve kohët e fundit, fokusi është zhvendosur më shumë për përfitimet e mundshme të javës katërditore në vend të javës pesëditore. Ideja bazë e këtij propozimi është miratimi në kontratën e punës të 32 orëve punë në javë në vend të 40 mund, duke argumentuar se kjo politikë do të ndikojë në përmirësimin e mirëqenies për punëtorët, si dhe një rritje të kohës për kujdesin ndaj fëmijëve, ndaj shëndetit, për edukim dhe kohë për vetveten etj, pa humbje të produktivitetit për bizneset.
Në fakt, kjo nismë është e bukur për të qenë e vërtet në kushtet e marrëdhënieve të punës dhe zbatimit të legjislacionit për punë të denjë. Në përmbledhje të marrëdhënieve të punës, nëse bazohesh në shumë rrëfime të vetë punonjësve, sindikatave të pakta dhe pa fuqi mbështetje, si dhe nga sondazhe dhe studime të shumta mundesh të konkludosh se tregu i punës vuan nga moszbatimi masivisht i kërkesave elementare të një pune të denjë.
Në realitet, të drejtat e punës janë shumë larg realitetit edhe për javën e punës 5- ditëshe, që në shumicën dërrmuese të bizneseve që kanë punëmarrës nuk zbatohet, madje në mjaft raste nuk paguhet edhe puna jashtë orarit apo orët e punës në ditë pushimi, apo festa zyrtare.
A i ka kapacitetet vendi ynë që të përballojë këtë sistem dhe ku do të bien më shumë kostot?
Nëse i referohemi nivelit të produktivitetit të punës në Shqipëri, i cili ndikohet direkt nga propozimi për 4 ditë pune në javë është e qartë se nuk janë mundësitë për të zbatuar këtë formulë të propozuar. Në kushtet e një tregu pune që përmban punonjës me aftësi të ulëta mesatarisht, e gjithë vëmendja aktualisht duhet të fokusohet së pari në plotësimin e nevojave të biznesit sesa në orët e punës, pasi orë pune më pak do të thotë më pak produktivitet dhe si rrjedhojë me shumë mundësi kjo do të reflektohet në më pak pagesë dhe trajtime të tjera dhe një ndikim direkt për të kaluar në punë informale.
Ndërkohë, mbi 60% e punëmarrësve shqiptarë, kryesisht në tregun privat marrin paga të ulëta edhe në këto marrëdhënie pune dhe një ulje e ditëve të punës nuk ndikon edhe në mënyrën se si do të përfitohet nga të mirat e kësaj marrëdhënie të re, kur mungojnë paratë për të kryer shumë nga ato veprime që do të kryheshin në rast se do të kishin kohë më tepër në dispozicion gjatë javës.
Cilat janë arsyet konkrete që e vështirësojnë zbatimin konkret të këtij sistemi në vendin tonë?
Faktorë të tillë si: mungesa e trajnimit, mungesa e besimit, mungesa e komunikimit dhe udhëzimeve të qarta, asnjë lidhje me punën në ekip, mungesa e falënderimit apo mirënjohjes për punonjësit, mikromenaxhimi dhe keqmenaxhimi, pandershmëria e tregut, janë arsyet që krijojnë një ambient shumë problematik në punën e përditshme në Shqipëri.
Ndër arsyet që mund të renditen si sfida për zbatimin e javës së punës 4-ditëshe kryesisht lidhen me edukatën aktuale të marrëdhënieve të punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, ku prezenca e zgjatur e punonjësit në vendin e punës konsiderohet si diçka tabu dhe e pandryshueshme. Kjo vjen si nga produktiviteti i ulët i punonjësit, por po ashtu edhe nga vlera e ulët e potencialit të tregut shqiptar që është i ndikuar nga konkurrenca e pandershme, informaliteti dhe pamundësia për të rritur dhe zgjeruar aktivitetin jashtë tregut të vogël shqiptar.
Nga ana tjetër, mendësia dhe kultura e dobët e zbatimit të ligjit e shumicës së punëdhënësve që kërkojnë një përfitueshmëri maksimale të lekëve që paguajnë për punonjësit duke kërkuar edhe tejkalim të kontratës së punës është një sfidë e vazhdueshme dhe larg çdo kërkese për më pak punë. Ndërkohë, në sektorin publik kjo sfidë është më e ulët, pasi produktiviteti në këtë sektor nuk është ende i konsideruar si elementi kryesor i marrëdhënieve në punë.
Po në sektorin publik?
Ndërkohë, në sektorin publik mungon kontrolli efektiv dhe konsistent i zbatimit të orarit të punës sipas kontratës, si dhe ka një nivel të ulët të produktivitetit dhe më shumë përfitime se sa detyrime. Kjo është një arsye e fortë, pse ka kërkesa të shumta për punësime në këtë sektor, përtej arsyeve që nuk lidhen me kontratën e punës.
Por, arsyet janë edhe të lidhura me natyrën e aktivitetit. Organizatat që duhet të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me klientët mund të përdorin faqet e internetit dhe ‘chatbot’ të fuqizuar nga AI. Këto mjete u mundësojnë bizneseve t’u përgjigjen nevojave të klientëve pa kufizime kohore, duke siguruar disponueshmëri të pakufizuar.
Por, disa shërbime mund të kërkojnë një prani njerëzore për të adresuar shqetësimet e klientit ose përdoruesit. Pra, zbatimi i një jave pune katërditore mund të mos jetë një zgjidhje e pranueshme në raste të tilla. Kjo vlen si për sektorin publik, por kryesisht për atë privat. Zbatimi i një jave më të shkurtër për punëtorët e prodhimit, për shembull, mund të prishë procesin e prodhimit dhe potencialisht të çojë në nënprodhim.
Nëse reparti prodhimit mbështetet në një numër të caktuar punëtorësh çdo ditë, humbja e punës së një dite mund të rezultojë në një grumbullim të produkteve të papërfunduara dhe vonesa në dërgesat e klientëve.
Ju si ekspert mendoni që jemi gati dhe si mund të funksionojnë sistemi me vetëm 4 ditë punë në javë në vendin tonë?
Më pak orë do të thotë më pak kohë për të kryer punët që duhen mbaruar. Ndërsa në shumë vende të zhvilluara me një ambient dhe treg pune të avancuar nga tregu shqiptar mund të argumentojnë se një javë pune 4-ditore mund të rrisë produktivitetin, ajo që mund të thuhet në rastin e vendit tonë është vetëm një sfidë ndaj realitetit të ashpër dhe aspak mikpritës për favorizime që nuk ju ulin kostot e tyre të biznesit.
Bizneset me pakicë apo ata që konsiderohen si të vetëpunësuar mund ta pranojnë këtë logjikë teorikisht, por në momentin që kjo nuk do të zbatohet nga të gjithë bizneset ata do të ndihet në disavantazh dhe do të detyrohen të punojnë jo 5 ditë sa mund të kërkojë ligji, por madje pa bërë pushim asnjë ditë. Ky fakt është i dukshëm, ku pothuajse as 1% e shërbimeve dhe dyqaneve të tregtisë me pakicë nuk e mbyllin njësinë apo shërbimin asnjë ditë jave.
Ndërkohë, për ndërmarrjet e mëdha dhe ato që punojnë në sektorin publik kjo lëvizje është më pak e sfiduar, por ende e vështirë për tu zbatuar në realitetin që ekziston. Në analizën time punonjësve do t’u kërkohet ende të kryejnë detyrat standarde të punës tetëorëshe brenda orarit të javës 5-ditore, që do të thotë se ata duhet të përshtatin javën për të paktën 40 orë punë.
Nëse arrihet në Shqipëri…
Nëse arrihet ky hap i madh në zbatimin e ligjit, mund të fillohet të diskutohet sipas grupeve të aktiviteteve, tregut në çdo qytete dhe kushteve të tjera të punës që duhen plotësuar për të arritur në atë që po kërkohet në vende që kanë produktivitet deri disa herë më të lartë se në Shqipëri dhe ja u mban xhepi të diskutojnë edhe për këtë temë të bukur kur e thua, por të pamundur ende për kushtet e tregut shqiptar.
Nga arsyet e përmendura më lart, realisht edhe për ato ekonomi mjaft larg realitetit tonë e kanë të pamundur ta zbatojnë në mënyrë uniforme dhe të menjëhershme për të gjitha industritë dhe sektorët. Ndërkohë, për rastin e Shqipërisë ne kemi probleme që këto vende i kanë zgjidhur shumë dekada më parë.
Ju falënderoj!
Intervistoi gazetarja : Esmeralda Hida
Discussion about this post