Prokuroria e Elbasanit ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet që prej ditës së djeshme kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec.
Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor.
Aktualisht, në zonën ku kanë ndodhur dëmtimet më të rënda, e cila i përkët Lotit 7 të rrugës Librazhd-Pogradec, ndodhen mjetet e kompanisë “A. N. K.” në pronësi të Agim Kolës, të cilat po punojnë për pastrimin e aksit dhe rikthimin në normalitet, ndërsa në një intervistë gjatë paradites së sotme kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se synohet që aksi të bëhet i aksesueshëm nesër.
Situata në aksin kombëtar pranë zonës “Arrat e Gurrës”, në fshatin Dragostunjë të Librazhd, është përkeqësuar, pasi ura në këtë segment ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe është shpallur zyrtarisht e pakalueshme.
Dëmtimet janë shkaktuar si pasojë e lëvizjeve të tokës dhe problematikave gjeologjike që prej ditësh kanë prekur këtë segment rrugor, duke krijuar një situatë të ndërlikuar për qarkullimin në aksin strategjik që lidh zonën me pjesën tjetër të vendit.
Autoritetet bëjnë me dije se paralelisht me demontimin e urës, po shqyrtohen alternativat për zgjidhje provizore dhe më pas ndërtimin e një strukture të re, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në këtë nyje të rëndësishme rrugore. Deri në një njoftim të dytë, segmenti mbetet i bllokuar dhe përdoruesit e rrugës duhet të ndjekin devijimet e përcaktuara nga strukturat përkatëse.
Po ashtu Loti 7 i rrugës Librazhd-Pogradec u bë i pakalueshëm për 7 orë për shkak të rershqitjes së shkëmbinjve masiv dhe dherave, që dyshohet se ndodhën si pasojë e punimeve që po zhvillohen në pjesën e sipërme të këtij aksi, për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë. Punimet për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë po kryhen nga kompania “A. N. K.” në pronësi të Agim Kolës, i cili ka fituar tenderin me vlerë 20.8 milionë euro.
Për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, pro edhe për këmbësorët.
Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe që shton distancën me një orë.
Prej dy ditësh qarkullimi kryhej me vështirësi në një korsi, ndërsa sot u mbyll plotësisht pasi situata u përkeqësua, me zhvendosje të trupit të rrugës
Për drejtuesit e mjeteve, ARRSH thotë se duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.
gijotina.com/










Discussion about this post