Një klishe e njohur e vitit 2020 ishte se Covid-19 do të përshpejtonte trendet para-ekzistuese. Megjithatë, ky është një përshkrim i dobët i shkëputjes masive që po ndodh nga puna në zyrë, në atë në shtëpi, shkruan The Economist. Para pandemisë, amerikanët kalonin 5% të kohës së tyre të punës në shtëpi.
Deri në pranverën e vitit 2020, kjo shifër shkoi në 60%. Ky ndryshim ka shkuar më mirë sesa pritej. Njerëzit janë duke punuar me orë më të gjata, por ata raportojnë nivele më të larta lumturie dhe produktiviteti. Ndërkohë që karantinat hiqen, puna nga shtëpia ka të ngjarë të vazhdojë.
Një numër i madh kërkimesh po përpiqen të deshifrojnë se si mund të jenë modelet e punës pas pandemisë. Në një studim, tre ekonomistë, José Maria Barrero, Nick Bloom dhe Steven Davis, kanë studiuar disa mijëra amerikanë dhe kanë dalë në përfundimin se pas pandemisë, një punonjës i zakonshëm do të donte të punonte nga shtëpia pothuajse gjysmën e kohës.
Punëdhënësit nuk e preferojnë aq shumë këtë metodë pune, megjithatë, ata presin që punonjësit e tyre në të ardhmen të kalojnë një të pestën e kohës së punës duke punuar nga shtëpia (një ditë në javë) dhe ky është një ndryshim i madh në krahasim me normën e mëparshme. Ai gjithashtu paraqet një mundësi të madhe për punonjësit që punojnë në zyra.
Në vendet që e kanë mbajtur nën kontroll Covid-19, puna nga shtëpia ka mbetur si alternativë, por jo aq sa kishin shpresuar disa njerëz. Të dhënat për Zelandën e Re tregojnë se, në tre muajt deri në dhjetor 2020, 27% e njerëzve në punë kanë punuar në shtëpi për njëfarë kohe gjatë javës. Nuk mund të bëhen krahasime të drejtpërdrejta me periudhën para-pandemike, por pa dyshim që kjo shifër përbën një rritje të madhe. Të dhënat gjurmuese nga Google tregojnë se pjesëmarrja e punonjësve në zyra në Korenë e Jugut është në një nivel pak më të ulët se sa ishte para Covid-19.
Kalimi në një botë hibride të punës do të thotë se disa parashikime të tepruara që u bënë në fillim të pandemisë, nuk do të bëhen realitet. Kompanitë që funksionojnë “vetëm në distancë” do të mbeten një pakicë e vogël. Firmat do të vazhdojnë të “mbledhin në bord” stafin e ri sipas modës së vjetër. Qytetet nuk do të zbrazen. Firmat nuk do të shkëmbejnë stafin me kohë të plotë për profesionistë të pavarur, gjë që mund të ishte joshëse nëse fuqia punëtore do të punonte plotësisht në distancë.
Ndërthurja
Megjithatë, ndërthurja e punës në shtëpi dhe zyrë do të ketë pasoja të mëdha. Ajo do t’i detyrojë menaxherët të jenë më aktivë, duke u përpjekur të rrisin kënaqësinë e punonjësve me punën në zyrë. Kjo, nga ana tjetër, do të çojë në ndryshime në ligjin e punësimit për të ofruar mbrojtje më të mirë për punonjësit që kalojnë më pak kohë në zyrë. Dhe do të thellojë ndarjet politike dhe kulturore midis punonjësve me pagë të lartë dhe të tjerëve me paga më të ulëta.
Marrim si shembull korporatat. Pretendimet se bizneset janë të përkushtuara për transparencë, integritet dhe komunikim, janë bërë tashmë banalitet. Studimet nuk gjejnë ndonjë korrelacion midis vlerave thelbësore të supozuara të kompanive dhe vlerësimit të punonjësve se si kompanitë i pasqyrojnë këto vlera. Por ndryshimi po afron. Në një raport për MIT Sloan Management Review, Don Sull nga Universiteti MIT dhe Charles Sull nga CultureX, analizuan vlerësimet e punonjësve për kulturën dhe vlerat e punëdhënësve të tyre. Kur shpërtheu pandemia, niveli i pëlqimit u rrit jashtëzakonisht, veçanërisht në pretendimet për transparencë dhe komunikim.
Studime të tjera kanë gjetur rezultate të ngjashme. Një sondazh nga Gallup që mbulon pjesën e hershme të pandemisë, ka zbuluar se pjesa e punonjësve amerikanë “të përkushtuar” në punë, arriti nivelin më të lartë që në vitin 2000. Një tjetër sondazh nga Quantum Workplace, një firmë softuerësh, ka marrë në pyetje me mijëra njerëz dhe ka zbuluar se pjesa e punonjësve “shumë të përkushtuar” u rrit gjatë pandemisë. “Covid-19 mund të jetë gjëja më e mirë që ka ndodhur ndonjëherë për përkushtimin e punonjësve në punë”, argumenton analisti Josh Bersin.
Një arsye është se paqartësia e kufirit midis punës dhe shtëpisë e bën më të vështirë që firmat ta trajtojnë stafin e zyrës si makineri. “Para pandemisë, – thotë Monica Kang, themeluese e InnovatorsBox, -shpesh harronim se njerëzit para së gjithash janë qenie njerëzore”. Gjatë karantinës, pamjet e fëmijëve që ndërpresin takimet me Zoom ose rrobat e sapolara të njerëzve në sfond do të kenë zbutur edhe menaxherët më të ashpër, duke i nxitur ata që t’i kushtojnë më shumë vëmendje stafit të tyre.
Puna në distancë gjithashtu i ka detyruar njerëzit të komunikojnë më mirë. Menaxherët nuk mund të shpresojnë më që vartësit të marrin informacion sikur të punonin në një zyrë. Tashmë ata duhet të përpiqen që të përhapin mesazhin, argumenton Tomas Chamorro-Premuzic në Universitetin e Kolumbias. Kjo mund të bëhet sipas mënyrës së vjetër: duke komunikuar me telefon. Por kjo po bëhet një metodë gjithnjë e më e ngathët. Pandemia i ka inkurajuar menaxherët që të varen më tepër te teknologjia që i lejon punonjësit të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë në mënyrë efektive, edhe kur janë jashtë zyrës. Kërkimet nga zoti Bloom, zoti Davis dhe Yulia Zhestkova kanë zbuluar një rritje të madhe në regjistrimet e patentave të reja për teknologjitë e punës nga shtëpia.
Ideja që menaxherët mund të përdorin mjete për të biseduar dhe për të monitoruar punonjësit në shtëpitë e tyre mund të tingëllojë shqetësuese, por zakonisht është e ligjshme. Megjithatë, rritja e punës hibride ka efekte të tjera ligjore. Ashtu si rritja e ekonomisë gig e bën më të vështirë të dallohet se kush është i punësuar dhe kush është i vetëpunësuar, edhe rritja e punës nga shtëpia errëson kufijtë se ku fillojnë dhe ku mbarojnë përgjegjësitë e punonjësve dhe ato të punëdhënësve. Ligji i punësimit, në fund të fundit, bazohet kryesisht në hamendësimin se puna kryhet në një zyrë ose një fabrikë.
Është e vështirë të vlerësohet ndikimi ligjor i kalimit në punën hibride. Analiza e regjistrimeve ligjore amerikane në gjykatat shtetërore dhe federale ka zbuluar se numri i çështjeve që përmendin “punën nga shtëpia” është rritur dy herë në krahasim me nivelet e para pandemisë. Avokatët në shtetin e Nju Jorkut paralajmërojnë se punëdhënësit kanë bërë një punë të dobët në ruajtjen e të dhënave për punonjësit që punojnë nga shtëpia, kështu që “një punonjës do të ketë vështirësi të mbrojë pretendimin se meriton pagë shtesë sepse ka punuar më shumë se 40 orë në javë”. Disa shtete amerikane verilindore janë në një betejë ligjore për çështjen se cila qeveri duhet të përfitojë taksën mbi të ardhurat e një punonjësi, i cili punon nga shtëpia në një shtet, por zyra e të cilit ndodhet në një shtet tjetër.
Disa vende të tjera po kuptojnë gjithashtu të metat e ligjeve ekzistuese. Vitin e kaluar, disa biznese ruse shfrytëzuan një boshllëk në ligj që i lejonte ato të ulnin pagën për njerëzit që nuk punonin më në zyrë. Dhe megjithëse viti i kaluar ka treguar përfitimet e shumta të punës nga shtëpia, si për produktivitetin ashtu edhe për ekuilibrin punë-jetë, në shumë vende, punonjësit nuk kanë të drejtë ta kërkojnë atë.
Për këtë arsye, në shumë vende po përditësohen ligjet. “Në muajt e fundit, kemi vënë re një rritje të ligjeve të reja që rregullojnë punën në distancë – një prirje që pritet të vazhdojë”, thotë DLA Piper, kompani ligjore. Rusia ka eliminuar hendekun e pagave për punonjësit në distancë. Gjermania ka eksploruar idenë për t’u dhënë punonjësve të drejtën për të punuar në distancë për një numër të caktuar ditësh në vit.
Irlanda ka të ngjarë të ndjekë shembullin e Britanisë, në krijimin e një të drejte ligjore për të kërkuar punë nga shtëpia (megjithëse punëdhënësit nuk do të jenë të detyruar të bien dakord). Franca ka shfuqizuar përkohësisht një ligj që nuk lejonte që punonjësit të hanin në tryezat e punës në zyrë. Ky ligj ishte krijuar për të mos lejuar që punonjësit të mbingarkoheshin me punë, por dukej çuditërisht anakronik kur sfera personale dhe profesionale u bënë një e vetme.
Pasoja tjetër lidhet me kulturën dhe politikën. Para pandemisë, po rritej ndarja midis më pak të arsimuarve dhe personave të arsimuar, jo vetëm në sasinë e fitimeve, por edhe në domethënien e punës për ta. Në vitet e fundit, orari i punës i personave më pak të arsimuar ka rënë, mbase ngaqë rritja e pagave e ka bërë më të lehtë arritjen e një standardi të kënaqshëm jetese. Por, për më të arsimuarit, orari i punës është rritur. Kërkimet tregojnë se kjo ka ndodhur ngaqë këta persona po e shijojnë gjithnjë e më tepër punën e tyre. Kryerja e mirë e punës është një pjesë e madhe e identitetit dhe ndjenjës së vetëvlerësimit.
Edhe para pandemisë, këto dy kategori punonjësish po ndaheshin jo vetëm ekonomikisht, por edhe nga ana kulturore. Tani po zhduket edhe një nga gjërat e pakta që i lidhte më parë – përvoja e përbashkët e ngritjes çdo ditë në mëngjes dhe udhëtimi i gjatë e i lodhshëm në punë.
Zakonisht, punët e mira cilësohen ato që mund të kryhen nga shtëpia. Personat më të arsimuar gjithashtu kanë më shumë gjasa që të lejohen të vazhdojnë të punojnë për një pjesë të javës jashtë zyrës. Pra, njerëzit me punë të mira dhe paga të larta, ka të ngjarë të kenë fleksibilitetin për të marrë fëmijët nga shkolla, ose për të kryer punë të tjera. Ndërveprimet e tyre me personat me punë më “të këqija” (si të ashtuquajturit punëtorët thelbësorë, të cilët lëvizin në hapësira publike dhe mbajnë ekonominë në këmbë), mund të bëhen shumë të rralla, thjesht hapja e derës për dorëzimin e një dërgese. Nuk është e lehtë të parashikohen pasojat politike të kësaj dukurie të re, por ato duket se nuk ka gjasa të jenë të izoluara./Monitor