Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me marrëveshjen e firmosur mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni, për kampet e refugjatëve në Lezhë, duke i hapur kështu rrugën ratifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë të marrëveshjes.
Ashtu sikundër paralajmëroi Bledi Çuçi, kreu i Grupit Parlamentar socialist, se vendimi do të zbardhej dhe nuk do të humbej më kohën me miratimin nga Kuvendi të marrëveshjes, Kushtetuesja ka publikuar vendimin e zbardhur, duke lënë në fuqi marrëveshjen dhe duke rrëzuar pretendimet e 30 deputetëve opozitarë, që e konsideronin atë si anti-Kushtetuese.
“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
2. Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave
dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.”.
Pjesë nga vendimi:
Në përmbledhje të argumenteve të mësipërme, Gjykata vëren se megjithëse de facto zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali, kjo nuk shmang përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare nga detyrimi pozitiv vis-à-vis migrantëve.
Kjo përgjegjësi është e sanksionuar në Kushtetutë, si dhe në të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, ku përfshihen, por pa u kufizuar në to, KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës. Në këtë kuptim, Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor.
Nga ana tjetër, për sa u përket kërkesave për azil, në aspektin e detyrimeve ndërkombëtare, për shtetin shqiptar nuk ka lindur ndonjë detyrim i tillë për sa kohë ky juridiksion ushtrohet mbi personat nga shteti italian, si shteti ku mbërrijnë migrantët e paligjshëm. Detyra për shqyrtimin e kërkesave për azil të migrantëve që kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Italisë u përket autoriteteve të atij shteti, që do të thotë se kur ai zgjedh të procedojë jashtë territorit të tij, detyrimisht duhet të ushtrojë juridiksion për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, juridiksioni i shtetit italian është i lidhur dhe vjen për shkak të zbatimit të konventave ndërkombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve të shteteve anëtare në drejtim të çështjeve të azilit.
Në këtë aspekt, për shkak të veçantisë së migrantëve që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, juridiksionet e dy vendeve palë të tij janë plotësuese të njëra-tjetrës, në shërbim të të drejtave themelore të migrantëve. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin është një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e detyrave midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për çështjet e migrantëve dhe nëngrupit të azilkërkuesve, që synon Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: një grup prej 30 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Faqe 23 të shmangë një vakuum juridiksional dhe përgjegjësish për të drejtat dhe liritë themelore të tyre, ndaj kalimi i juridiksionit autoriteteve italiane për çështjet e migrantëve dhe azilkërkuesve
ka qenë i nevojshëm.
Në përfundim, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm. Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë veçantinë e përmbajtjes së Protokollit për Migracionin, që lejon që në një pjesë të territorit shqiptar, krahas juridiksionit shqiptar, të ushtrohet edhe juridiksioni i autoriteteve italiane ekskluzivisht për çështjet e azilit, Gjykata vlerëson se është e nevojshme të analizohet më poshtë edhe vlefshmëria e plotfuqive për lidhjen e tij.
Vendimi prej 43 faqesh i publikuar përfshin edhe mendimin e pakicës, pra 4 anëtarëve të Kushtetueses.
“Nga analiza e përmbajtjes së Protokollit për Migracionin, vërejmë se nuk qëndron prapësimi i subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, se, në thelb, me anë të Protokollit për Migracionin, ai ka kaluar në përdorim dy pasuri të paluajtshme shtetërore në favor të autoriteteve italiane, pasuri të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Këshillit të Ministrave.
Ky prapësim, ndonëse nuk është pranuar shprehimisht, duket që ka shërbyer si bazë për shumicën në vlerësimin e natyrës së Protokollit për Migracionin (shih paragrafët 36 dhe 48 të vendimit) dhe në nxjerrjen e përfundimit se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar, ky i fundit vazhdon ta ushtrojë atë edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm (shih paragrafin 49 të vendimit).
Në vlerësimin tonë, thjeshtimi i objektit të Protokollit për Migracionin si kalim në përdorim i dy pasurive të paluajtshme nuk duket i saktë, për sa kohë e paraqet marrëveshjen si një veprim juridik që rregullohet nga e drejta private (civile), në të cilin Këshilli i Ministrave shfaqet si subjekt i së drejtës private.
Në fakt, nga analiza e parashikimeve të Protokollit për Migracionin, situata rezulton ndryshe. Këshilli i Ministrave, me anë të tij, ka hyrë në një
marrëdhënie të së drejtës publike dhe ka vepruar si subjekt i së drejtës publike. Këshilli i Ministrave u kalon autoriteteve shtetërore italiane edhe të drejtën që këto zona të shërbejnë si hapësira ku zbatohet e drejta italiane, duke kufizuar njëkohësisht hapësirën e zbatimit të së drejtës shqiptare. Kështu, Protokolli për Migracionin parashikon shprehimisht zbatimin ekskluziv të legjislacionit italian për ndërtimin dhe menaxhimin e strukturave nga autoritetet
italiane, si dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis autoriteteve italiane dhe migrantëve (nenet 4, pika 2 dhe 5, pika 1). Është e qartë që zbatimi ekskluziv i legjislacionit italian passjell kufizimin e zbatimit të legjislacionit shqiptar për dy zonat në fjalë. Po kështu, Këshilli i
Ministrave u jep juridiksion ekskluziv autoriteteve italiane, duke kufizuar në këtë mënyrë juridiksionin e autoriteteve shqiptare. Në këtë drejtim, Protokolli për Migracionin parashikon shprehimisht disa ndalime për autoritetet shqiptare, ku përfshihet ndalimi për të hyrë në territorin e dy zonave (neni 6, pika 3), ndalimi për të sekuestruar dhe/ose konfiskuar dokumentacionin që administrohet nga autoritetet italiane në këto zona (neni 6, pika 8), si dhe ndalimi për të ushtruar ndjekje penale ndaj personelit italian, me përjashtim të rastit kur kryen jashtë shërbimit vepra penale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe vetëm kur ato kryhen në dëm të shtetasve shqiptarë ose shtetit shqiptar (neni 7, pika 5).
Në këtë mënyrë, është e paqartë se kujt juridiksioni iu nënshtrohen veprat e tjera penale, duke mbajtur në konsideratë se autoritetet shqiptare janë efektivisht në pamundësi për të ushtruar kompetencat e tyre brenda dy zonave territoriale.
Për shkak të këtyre tri karakteristikave (kalimin në përdorim të pasurive të paluajtshme, kufizimin e hapësirës së zbatimit të sistemit normativ dhe kufizimin e juridiksionit të autoriteteve publike shqiptare), vlerësojmë se marrëdhënia që është krijuar me anë të Protokollit për Migracionin midis Këshillit të Ministrave dhe qeverisë italiane nuk është një marrëdhënie e së drejtës private, por një marrëdhënie e së drejtës publike.
Me fjalë të tjera, qeveria shqiptare i ka kaluar qeverisë italiane të drejtën e përdorimit të dy zonave territoriale, brenda të cilave autoritetet italiane autorizohen të ushtrojnë pushtet publik për çështjet që lidhen me migrantët, duke kufizuar/ndaluar njëkohësisht juridiksionin e autoriteteve shqiptare
në këtë pjesë të territorit të vendit.
Mbi bazën e kësaj analize, nuk pajtohemi me shumicën, e cila nuk duket se i ka dhënë përgjigje të qartë dhe të drejtpërdrejtë kësaj çështjeje. Në
vlerësimin tonë, Protokolli për Migracionin është marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin, sipas parashikimit të nenit 121, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës.
Së dyti, ndajmë mendim të ndryshëm me shumicën e cila ka vlerësuar se Protokolli për Migracionin nuk është marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut sipas nenit 121, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës, pasi nuk krijon të drejta dhe liri themelore të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar (shih
paragrafin 64 të vendimit)”, thuhet në mendimin e pakicës.
Discussion about this post