Njeriu i Belinda Ballukut në krye të OSHEE, Enea Karakaçi harxhon mbi 1.2 milionë euro për mobilje për selinë dhe 400 mijë euro për tabelat e reklamave për filialet e Kujdesit ndaj Klientit.
Tenderi i parë është përfituar nga biznesmeni Artur Bujari. Bëhet fjalë për prokurimin e OSHEE GROUP SH.A me objekt: “Blerje mobilje për OSHEE Group sh.a dhe Bijat për dy vite”. Tenderi është firmosur qysh më 31 dhjetor 2024, por kontrata është bërë publike më 28 prill 2025.
Fondi limit i caktuar nga Karakaçi për mobilimin e zyrave të selisë është 103,785,400 lekë pa TVSH dhe 1,052,483.5 Euro pa TVSH. Megjithatë në lidhjen e kontratës, vlera totale është fiksuar në 114,487,080 lekë (me TVSH).
Shpallja e fituesit është bërë në përfundim të afateve të ankimit më 26 mars 2025, kur bëhet e ditur se bashkimi i operatorëve ekonomikë “BUNA” sh.p.k me pronar Artur Bujarin me 70% të pjesëmarrjes, dhe “ERALD” sh.p.k me pronar Arjan Mujën me 30 % të pjesëmarrjes.
Një muaj pas firmosjes nga Karakaçi të tenderit për mobilim, është anuluar procedura. Më 31 janar 2025, OSHEE njoftoi Agjencinë e Prokurimit Publik për tërheqjen e këtij prokurimi “për shkak se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.
Tenderi është rishpallur më 10 shkurt 2025, me sa duket për t’i dhënë kohë negociatave nën tavolinë për sistemimin e 1.2 milionë eurove.
Luks në zyrat e OSHEE
Për të rehatuar stafin qëndror të OSHEE janë porositur tavolina, karrige, rafte, kolltuqe, sipas rangut të drejtuesit.
Kështu, në listën e dëshirave të Karakaçit janë karrige për rangun drejtues dhe karrige rrotulluese. Poltron rrotullues me bazament alumini në formë ylli me pesë rrota dhe me lëvizje të kontrollueshme. Rregullim pneumatik i lartësisë me mekanizëm rregullues të lartësisë. Krahët prej profili alumini tubolar petashuq.
Në pjesën e sipërme të krahut duhet të jetë e veshur me lekurë në pjesën që mbështetet krahu. I gjithë krahu është prej materiali alumini të kromuar. Shpinorja e gjatë dhe fleksibël në mbështetje. Tapiceria dhe lëkura në te gjithë perimetrin e saj si në shpinë edhe në ndejtëse do të jetë e qepur në formë rrige. Lëkura e karriges është ekologjike. Për ngjyrë është lënë opsioni që të përzgjidhet nga vetë drejtori porositës.
Karrige me rrota per personelin. Baza e karriges duhet të jetë plastik/metalik në formë 5 yje. Në mekanizmin e karriges duhet të jetë vendosur aktivizimi i ngritësit të gazit rregullues sipas lartësisë. Pistoni i gazit për rregullimin e lartësisë së sediljes aktivizohet nga një levë e vendosur nën dhe anash sediljes.
Mbështetësja e karriges duhet të jetë me mekanizëm që lejon lëvizjen dhe pozicionimin e saj në përshtatje me nevojën e përdoruesit. Korniza e mbështetëses të jetë e përbërë nga profile poliamide termoplastik për shpërndarjen e presionit, që të sigurojë rehati dhe ergonomi maksimale. Mbulesa e pasme e mbështetëses, të jetë e përbërë nga një kornizë anatomike nga profilet e poliamidit, mbi të cilat të vendoset mbështetëse rrjetë
Ndenjësja e karriges të jetë e përbërë nga poliamid termoplastik dhe jastëku të jetë I mbushur me shkumë poliuretani, dhe mbulesa e jastëkut të jetë po të njëjtin material si të mbeshtetëses. Pjesa e sipërme e krahëve të ketë përbërje poliuretani i hedhur me fortësi të mesme për rehati maksimale, ergonomi si edhe mundësi të zhvendoset para-mbrapa në të paktën 2 pozicione.
Kolltuk me strukturë druri të veshur me një shtresë poliuretani me densitet të lartë. Krahu dhe shpinorja duhet të jenë në të njëjtën lartësi H 65, krahët duhet të kenë një bazament dhe dimension L 14.5cm duhet të përfundojnë me zvogëlim nga pjesa e brendshme,
Krahët duhet të jenë lehtesisht të harkuar për të realizuar një ulje dhe qëndrim komod, mbushja e brendshme dhe jastëkët e uljes dhe krahët duhet të jenë realizuar në poliuretan ekologjik me densitet te diferencuar, të veshur me një copë pambuk antialergjik, veshja e realizuar në lëkurë ekologjike. Jastëkët e uljes të jenë të lëvizshëm, ndërsa struktura e shpinës dhe krahët të jenë të fiksuar.
Duhet edhe kolltuk dopjo për ndenje. Kolltuk me strukturë druri të veshur me një shtresë poliuretani me densitet të lartë, krahu dhe shpinorja duhet të jenë në të njëjtën lartësi H 65, krahët duhet të përfundojnë me zvogëlim nga pjesa e brendshme. Krahët duhet të jenë lehtësisht të harkuar për të realizur një ulje dhe qëndrim komod, mbushja e brendeshme, jastëket e uljes dhe krahët duhet të jenë realizuar në poliuretan ekologjik me densitet të diferencuar, të veshur me një copë pambuk antialergjik, veshja e realizuar në lëkurë ekologjike, jastëkët e uljes të jene të lëvizshëm, ndërsa struktura e shpinës dhe krahët të jenë të fiksuar.
Dhe në fund, i duhet drejtorit një kasafortë sekrete që të fshehë sende me vlerë apo kontrata me spec. Përmasat e kësaj pajisjeje janë 50x50x110 cm. Karakteristikat kryesore te produkti do te jene: Kasaforta duhet të ketë strukturë llamarinë me trashësi jo më pak se 1.5 mm. Të ketë dy ndarje horizontale nga brenda, ku të krijohen tre hapësira. Dera të jetë e pajisur me dorezë dhe bravë automatike sekrete. Lyerja me mënyrë elektrostatike. Bazamenti të jetë jo më pak se 10 cm. Kasaforta të ketë paraqitje estetike dhe saldimet të mos shikohen në pjesën e jashtme. Të paketohet që të mos dëmtohen gjatë transportit!
Reklama e dyqaneve të OSHEE, kushtojnë si të ishin në Nju Jork
Bëhet fjalë për objektin e kontratës: “Furnizim, vendosje dhe mirëmbajtje e elementëve të brandimit në Qëndrat e Kujdesit ndaj Klientit dhe zyrat Administrative të OSHEE Group sh.a, për dy vjet”.
Fondi Limit për këtë shërbim është 39,848,500 lekë
pa TVSH, Data e publikimit të njoftimit të fituesit në përfundim të afateve të ankimit ishte më 7 mars 2025, ndërsa dokumenti u bë publik më 28 prill 2025. Vlera totale përfundimtare e kontratës rezulton se është 36,600,000 (me TVSH). Këto para xhirohen në llogarinë e operatorit ekonomik “FILARA” sh.p.k me pronar Florjan Xhemalaj. Firma ka si aktivitet botimet, por vitet e fundit u është futur tenderave të shoqërive shtetërore duke përfituar kontrata të mëdha për trajnime, shtypje të dokumenteve dhe prodhimit të reklamave. Kjo është kontrata më e madhe që ka marrë ndonjëherë “FILARA”, duke realizuar një gol me ndihmën e Enea Karakaçit.
Korporata zhytet në borxhe, Karakaçi në luks
Qysh kur e ka marrë kompaninë në dorë Enea Karakaçi borxhet e OSHEE shënojnë vetëm rritje. Situata debitore e OSHEE Group në fund të periudhës 2022 është përkeqësuar në krahasim me vitin 2020, duke u rritur me 13,997,171, 000 lekë dhe që arrin në një total prej 139,653,687, 000 lekë. Në strukturën e detyrimeve që ka shoqëria, një pjesë e madhe përbëhet nga detyrimet ndaj Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a. për blerje energjie, hua dhe interesa dhe për periudhën 2021- 2022, janë rritur në vlerën 4,387,945 mijë lekë, dhe detyrimi total është në vlerën 65,743,270 mijë lekë. Mes shoqërive është rënë dakord për balancën e detyrimeve që OSHEE ka ndaj KESH më datë 31.12.2020, vlera 48,910,915 000 lekë. Kjo vlerë do të paguhet me këste, duke filluar në vitin 2021 deri në vitin 2046.
Për shkak të situatës së rënduar financiare, në vitin 2018, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare u detyrua që të merrte një kredi të madhe prej 220 milionë eurosh nga BERZH. Në atë kohë, OSHEE i detyrohej KESH-it vlerën prej 51,4 miliardë lekësh ose mbi gjysmë miliardë euro. Me kushtin e BERZH, qeveria i detyroi dy kompanitë publike që të lidhnin marrëveshje për shlyerjen e detyrimit.
Marrëveshja përmbante një aneks të veçantë me skedulin e kësteve, sipas të cilit OSHEE do të paguante rreth 17 milionë euro në vit tek KESH për shlyerjen e detyrimeve, veç pagesave korrente për furnizimin me energji.
Për tre vjet së bashku nga 2018-a deri në 2020-ën, OSHEE i pagoi KESH vetëm 22 milionë euro nga 50 milionë euro që duhet të paguante. Përballë dështimit të marrëveshjes për shkak se OSHEE nuk paguante, në gusht të vitit 2021 marrëveshja e borxheve u amendua sërish. “Për periudhën 2021-2024 detyrrimi që OSHEE duhet t’i shlyente KESH-it ishte 90 milionë euro, por u shlyen vetëm 20 milionë euro duke lënë të papaguara 70 milionë euro,” zbulon KLSH në auditimin e kryer së fundmi.
Praktikisht OSHEE ka shpallur pamundësinë për të shlyer borxhin. Aktualisht ky borxh ka arritur në 620 milionë euro sipas KLSH, pasi gjatë periudhës 2018-2024 mes kompanive janë krijuar detyrime të tjera.
Epo Karakaçi e ka bërë punën e tij: kryen porositë e Belinda Ballukut në tenderat e blerjes së energjisë elektrike dhe bën pak luks për vete!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/201
Discussion about this post