Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj paralajmërimit të kompanive të karburanteve për rritjen e çmimeve në Shqipëri si pasojë e tensioneve ndërkombëtare.
Ajo ka vënë në dukje se ky veprim është një spekulim tregtar, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye të justifikueshme për këtë rritje të menjëhershme të çmimeve, pasi tregjet ndërkombëtare nuk kanë reflektuar ende ndryshime të tilla.
“Një gjë është e sigurt në Shqipëri: rritja e çmimeve. Pa u ditur ende çmimet në bursat ndërkombëtare, ato reflektohen menjëherë në rritjen e çmimeve këtu në Shqipëri,” tha Tabaku, duke shtuar se paralajmërimi për rritje të çmimit me 20 lekë për litër, dhe më pas me 20 lekë të tjera, është i pajustifikuar.
Ajo theksoi gjithashtu se argumenti lidhur me tensionet në Gjirin Persik është i pabazuar, pasi ngushtica e Hormuzit nuk është e bllokuar dhe tregtia botërore e naftës që kalon përmes saj është shumë e vogël.
Çfarë bën Autoriteti i Konkurrencës? Çfarë bën qeveria shqiptare për të kontrolluar këtë treg që sot i ka çmimet shumë më të larta se rajoni?
Ajo gjithashtu theksoi se çmimet e karburanteve në Shqipëri janë 20-30% më të larta se në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në fund, ajo e cilësoi këtë situatë si një formë abuzimi ndaj qytetarëve dhe bizneseve, duke e quajtur rritjen e çmimeve një formë të korrupsionit të hapur dhe grabitje të drejtpërdrejtë.
“Nëse do të kishte një shtet që funksionon dhe mekanizma që kontrollojnë organizimin e këtij tregu, kjo nuk do të ndodhte,” përfundoi Tabaku.










Discussion about this post