Teksa vendi ka hyrë në fazën e prodhimit të bollshëm për frutat dhe perimet, konsumatori shqiptar përsëri ndodhet përballë babëzisë së tregtarëve që duan të maksimizojnë fitimet e tyre.
Nga një vëzhgim i tregjeve të kryeqytetit dëshmohet mjaft mirë abuzimi që ndodh me çmimet që nuk justifikohen.
Ndërkohë që prodhimi i qershisë për këtë vit po mbaron qytetarë janë menduar dy-tre herë për të blerë një kilogramë, pasi çmimi i tyre mbeti i lartë.
Në muajin maj kur nisi të shitej fillimisht ky produkt çmimi arrinte deri në 3 mijë lekë të reja, një vlerë absurde sado që tregtarët fshiheshin pas justifikimit “është mall importi”.
Ndërkohë në muajin qershor ku në tregje mbërriti produkti vendas përsëri abuzimi qe i pashmangshëm. Çmimi fillimisht ishte 600 lekë të reja një kilogram qershi, ndërsa prodhimi po mbaron çmimi i tyre nuk ka rënë poshtë 350-400 lekë/kg.
Ky është një shembull sesi këta biznesmenë të ushqimit përfitojnë në kurriz të qytetarëve, pasi 90 minuta larg nga Tirana, në qytetin e Gramshit çmimi është 200 lekë me pakicë dhe shumë më lirë kur flitet për shumicën.
Çmimet e çmendura, dhe grumbulluesit fatlumë
Nëpër sera dhe jo vetëm tanimë ka nisur kultivimi i patates, specit, apo kastravecit, bostanit e shalqirit. Një gjë e tillë duhet të përkthehet në çmim më të ulët për konsumatorët. Por çfarë ndodh në tregjet në Tiranë?
Një kilogram patate arrin deri në 150 lekë, ndërsa në myzeqe dhe jo vetëm tregtohet me 30-50 lekë/kg. Një abuzim i tillë në këto përmasa kërkon masa të menjëhershme por që fatkeqësisht shteti hesht përballë oligarkëve.
Llumi më i madh gatuhet në tregun AGRO-USHQIMOR në autostrdë, ku tregtarët gati i dyfishojnë çmimet e mallrave që blejnë dhe më pas kosto rritet deri tek tezgat nëpër lagje, pasi në supermarket çmimi është edhe më i lartë.
Ndërsa bostani dhe shalqiri përveç faktit që kanë cilësi të ulët, janë tepër të shtrenjta, mbi 150 lekë/kg.
E njëjta situatë është edhe për produktin e specit. Ai vazhdon të tregtohet mbi 200 lekë/kg, dhe krejt i shkëputur nga realiteti i bujqëve që sfiliten për të fituar bukën e gojës, ndërkohë që fitimet i marrin grumbulluesit.
Po kështu edhe çmimi i qepës dhe i karrotës varion mbi 140 lekë/kg, duke e bërë praktikisht edhe më të vështirë përballimin e shpenzimeve për qytetarët.
Po kështu edhe çmimi i kumbullave mbeti përgjatë kësaj periudhe 200 lekë, ndërsa kajsitë dhe nektarinat aktualisht janë 150-200 lekë/kg.
Në këtë shkrim po përmendim vetëm disa nga prodhimet e tanishme, por shtrenjtimit nuk i shpëton asnjë frut e perim, sado lirë që ta tregtojnë bujqit që shpesh janë ankuar se shesin nën kosto, e madje kanë hedhur prodhimet e tyre të kalbura. Një rast për të treguar se sa të pangopur janë bizneset në vend është prodhimi i vajit të ullirit. Edhe pse sezoni i vjeshtes së 2022 kulmoi në prodhim, çmimi i vajit të ullirit mbetet në vlerën deri 1000 lekë/litri, ndërkohë që qytetarët e kanë shitur në muajin nëntor-dhjetor 2022 më çmim 300-500 lekë litri.
Kjo situatë e pa-justifikueshme ka bërë që qytetarët të ulin konsumin, dhe të kursejnë sa të munden për të përballuar shpenzimet e tyre.
Konkurrenca mbron oligarkët!
Në shkurt të vitit të kaluar Autoriteti i Konkurrencës nisi një monitorim të tregjeve të frutave dhe perimeve për shtrenjtimin e produkteve të shportës. Shkak për këtë u bë luhatja e madhe në çmime për produktet bujqësore që tregtoheshin shumë shtrenjtë. Po ashtu nën monitorimin e Autoritetit të Konkurrencës do të ishte edhe tregu AGRO-ushqimor i Tiranës, me qëllim verifikimin e pretendimeve të tregtarëve të vegjël të cilët thonin se çmimet i rrit tregu i shumicës. Nëse do të verifikoheshin shkelje do të niste një hetim. Por teksa ka kaluar më shumë se 1 vit nga ky “monitorim”, ende nuk ka asnjë reagim për situatën në tregje, ende nuk dihet nëse u hap ndonjë hetim apo nuk u bë as verifikim.
Emigrantët shpëtojnë familjet nga çmimet
Pyetja që lind në këtë vorbull çmimesh dhe heshtje nga institucionet është- “A mjaftojnë shtesat nëpër pensione për të përballuar krizën e inflacionit?
Pergjigjen e din më se miri shtresat më në nevojë dhe pensionistët që janë përditë përballë këtij realiteti të hidhur. Teksa inflacioni mbetet i lartë familjeve në vend ju duhet të përballojnë çmimet, ndërkohë pensioni mesatar llogaritet në 17 mijë lekë.
Siaps të dhënave të INSTAT, në muajin e kaluar ushqimet u rritën edhe më shumë se vjet kur kriza ishte në kulmin e vet.
“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 18,3 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 14,3 %, “mish” me 12,1 %, “fruta” me 12,0 %,“peshk” me 9,2 %, “bukë dhe drithra” me 4,5 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,1 %”, thuhet në raporti e INSTAT për muajin maj.
E teksa shteti flen, disa familje shpëtimin e kanë tek të afërmit e tyre emigrantë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë remitancat në tre muajit e parë të këtij viti kapën shifrën më të lartë në 15 vite për të njëjtën periudhë. Nga janari deri në mars emigrantët kanë sjellë nëpërmjet kanaleve formale 214 milionë euro.
Në fakt fluksi më i madh i dërgesave valutore regjistrohet në verë dhe në dhjetor për festat e fundvitit, po mesa duket çmimet e larta kanë bërë që të ndryshojë edhe kjo traditë dhe dërgesat e emigrantëve të rriten edhe në periudha të tjera.
Ndërkohë përgjatë vitit të kaluar dërgesat e emigrantëve arritën në vlerën 834 milionë euro, përsëri shifër rekord. Kjo rritje e remitancave nga ekspertët lidhet direkt me faktin që ka pasur një rritje të fortë të numrit të emigrantëve, dhe të largimeve nga Shqipëria.
Por teksa shteti shqiptar nuk merr asnje masë, pak ditë më parë Franca, lidhi marrëveshje me kompanitë e ushqimit që të ulin çmimet për konsumatorët.
Lexo edhe: Çmimet e ushqimeve shqetësojnë qytetarët
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post