Fiks Fare bëri një vëzhgim në fshatrat e Lushnjës, për të dokumentuar se me sa po shitet 1 kilogramë grurë.
Nëse çmimi i vjetshëm shkoi deri në 54 lekë për 1 kilogramë, këtë vit 1 kilogramë grurë ka shkuar maksimumi 28 lekë për kilogramë. Disa firma, të cilat u gjobitën nga Autoriteti i Konkurrencës se vepronin si kartel, duke fiksuar çmimin e grurit dhe miellit, po mbledhin grurë me të njëjtin çmim; 28 lekë për kilogramë!
Vitin e kaluar, kur lufta në Ukrainë sapo kishte filluar dhe çmimi i shitjes së drithit në tregjet ndërkombëtare kishte kapur majat, Ministria e Bujqësisë ftonte fermerët që të mbillnin grurë. Qeveria akordoi edhe një subvencion prej 30 mijë lekësh për 1 hektarë. Fermerët dëgjuan qeverinë dhe mbollën grurë. Sipas ministrisë së Bujqësisë, në të gjithë Shqipërinë janë mbjellë diku te 55 mijë hektarë.
“Janë mbjellë rreth 55 mijë hektarë në të gjithë Shqipërinë, kemi subvencionuar një pjesë me 30 mijë lekë, kemi dhënë edhe naftë” tha për Fiks Fare Irfan Tarelli, drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë.
Por, a dhanë rezultat këto nisma të qeverisë?! Situata e fermerëve në Lushnje, Divjakë, etj, hambarin e Shqipërisë të prodhimeve bujqësore, është alarmante. Ata kanë ngritur alarmin se çmimi i grurit ka rënë ndjeshëm dhe se ata po falimentojnë. Gazetarët e Fiks Fare shkuan në disa fshatra për të parë nga afër këtë situatë.
Fillimisht, grupi i Fiksit shkoi në fshatin Tërbuf, ku biseduan me disa fermerë. Të parin e gjejnë në mes të fshatit, teksa grurin e kishte shtruar në trotuare për t’u tharë. Fermeri thotë se me çmimin aktual të shitjes, 1 kg me 28 lekë, ai del me humbje. Llogarit kostot e mbjelljes, që nga plugimi, frezimi, fara, imputet bujqësore, korrja apo spërkatja. Ai thotë se nga llogaritë që ka bërë, nëse e çon te pika e grumbullimit në Lushnje, del me humbje. “I gjithë mundi i vitit. I të gjithë familjes dhe dalim me humbje” thotë fermeri.
Fiksi udhëton disa kilometra, në fushat e mëdha të Tërbufit. Gazetarët bisedojnë me një tjetër fermer, i cili grurin e kishte pa korrur. Fermeri thotë se ka mbjellë rreth 8 hektarë grurë. Sërish ai llogarit koston e mbjelljes, të përpunimit, spërkatjes, qirasë etj. “Dalim me humbje. Këta e kanë vendosur vetë çmimin që e marrin. Është një pikë grumbullimi në Lushnje që e merr me sa të dojë. Me 28 lekë për kilogramë. Me atë çmim, në falimentoj. I bie që unë vitin tjetër të mos mbjell” thotë ai, teksa në bllok ka të gjitha llogaritë.
Pas këtyre deklaratave, Fiksi shkon edhe në fshatin Grabian të Lushnjes, ku bisedon me një 30 vjeçar, i cili ka si profesion autokombanjer. “Unë jam autokombanjeri më i ri në zonë. Ma ka lënë trashëgimi im atë i ndjerë. Këtu të rinjtë kanë ikur. Unë zgjodha të vijoj profesionin e babait. Rendiment ka, por s’ka çmim. Ja shikoni këto që po korren, ia kërkojnë pikat e grumbullimit me 28 lekë. Por ata llogarisin edhe proteinat, llogarisin tiron që shkon te 15 deri në 20 %, llogarisin edhe lagështirën. Kështu që del me humbje 1 fermer se ai është mundi i gjithë vitit” pohon autokombanjeri. Ndërkohë, kamera e Fiks Fare filmon edhe “pirgjet” me grurë në mes të fshatit Grabian, në vendin e quajtur “lëmi”.
Po kush e ka vendosur këtë çmim prej 28 lekë kilogrami?! Në foltoren e Parlamentit, deputeti i PS-së dhe zonës e Lushnjes dhe Divjakës, Erion Braçe, tha se janë të njëjtët tregtarë që abuzojnë vazhdimit. Fiksi shkoi vetë në ambientet e Parlamentit për të folur me deputetin Braçe dhe për ta pyetur se kush janë këta tregtarë.
Braçe thotë se fermerët po falimentojnë.
“Çmimi i grurit deri në 28 lekë për 1 kilogramë i falimenton. Janë të njëjta firma që janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës në fund të vitit 2022. Ato kanë fiksuar çmimet” thotë Braçe, teksa pyetjes se kush janë këto firma ai tha se ato gjenden te vendimi i Autoritetit të Konkurrencës si Agro Blend, Bloja, Miell Tirana, Atlas.
“Po, ato janë” thotë Braçe.
Në vitet 2021 dhe 2022, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim për fiksim çmimi nga disa firma në tregun e importit të grurit prodhimit dhe tregtimit të miellit. Ky Autoritet doli me dy njoftime për këtë problematikë. Në të parin, e datës 9 shtator 2021, Autoriteti thotë se
“Komisioni i Konkurrencës, mbylli hetimet e thelluara për tregun e importit të grurit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills. Konstatoi sjelljen e bashkërenduar midis këtyre ndërmarrjeve, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal” thuhet në njoftimin zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës.
Në të njëjtin vendim, shkruhet mjaft qartë se “detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills të mos caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit”.
Në atë kohë, ky autoritet vendosi vetëm ti mbajë nën monitorim. Ndërkohë, nga monitorimi rezultoi se sërish këto firma e kanë shkelur konkurrencën. Në datën 22 dhjetor 2022, Autoriteti doli me një vendimmarrje, duke i gjobitur këto ndërmarrje me një total rreth 10 milionë lekë.
“Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja dhe Atlas Mills, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktikat të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës” thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës./SHQIP
Discussion about this post