Në veri të vendit, në Fushë-Arrëz, “Piranjat“ udhëtojnë për të parë nga afër shkatërrimin që i është bërë lumit Fan nga shoqëria aksionere Beralb, një kompani që merret me përpunimin e bakrit, e cila operon prej shumë vitesh në territorin tonë. Aty ku bashkohet përroi i Micojit me lumin Fan i Vogël, është grykëderdha e ujit që vjen nga kompania Beralb, e cila me ndotjen që bën ka arritur deri aty sa t’i ndryshojë ngjyrën natyrale ujit, tokës dhe gurëve.
Mirëpo kjo nuk është thjesht një ndotje lokale e cila mund të rehabilitohet, sepse Fani i Vogël derdhet në lumin Fan, ky i fundit bashkohet me lumin Mat duke u derdhur më pas në detin Adriatik. Është një ndotje mbi 80 km në vijë rrjedhëse, e cila shkaktohet nga kompania e përpunimit dhe pasurimit të bakrit, Beralb.
Më datë 16 korrik 2025 gazetari Freard Rista është përpjekur të komunikojë me përfaqësues të kësaj firme të përbërë nga turq, izraelitë dhe kinezë, por askush nuk u paraqit në ambientet e jashtme të kompanisë. Edhe pas një shkrese zyrtare drejtuar firmës, nuk u dha asnjë përgjigje.
Mirëpo shkeljet e kësaj firme kanë qenë të shumta ndër vite. Më datë 21 korrik 2025 Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit bën me dije se një vit më parë, më datë 16 janar 2024, ka kryer inspektime në terren dhe pas konstatimit të shkeljeve nga ana e kompanisë, ka aplikuar një gjobë me vlerë 100 milionë lekë të vjetra si dhe pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit deri në marrjen e masave konkrete për instalimin e infrastrukturës së duhur, e cila do të parandalojë shkarkimet me ndotje në lumin Fan. IKMT konstatoi se subjekti në fjalë nuk dispononte leje të përdorimit të burimeve ujore apo të shkarkimit të ujërave, nuk ka pasur kontratë për menaxhimin e mbetjeve si dhe mbetjet e gjeneruara hidheshin në një ambient të hapur dhe të padiferencuara, në kundërshtim të plotë me ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve“.
Një tjetër institucion që ka konstatuar shkelje të Beralb sh.a është edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila bëri me dije se ka kryer inspektime në terren në datat 8 dhe 9 korrik 2025. Inspektorët kanë konstatuar se firma Beralb shfrytëzon burimin ujor sipërfaqësor në lumin Fan pa lejet përkatëse nga organet kompetente. Gjithashtu kanë konstatuar se shkarkimet e ujërave pasi dalin nga impianti i pasurimit grumbullohen në disa vaska dekantimi, por jo të gjitha rrjedhjet grumbullohen në këto vaska duke u derdhur në dampën në afërsi të aktivitetit, më pas në një ndarje ujore dhe më pas me tubacione derdhen në lumë. Në proces-verbalin e mbajtur, inspektorët bëjnë me dije se subjekti nuk dispononte impiant trajtimi të ujërave teknologjike të dala nga procesi i pasurimit të bakrit, si dhe nuk ka pasur rrethimin perimetrik të disa pjesëve të zonës së ushtrimit të aktivitetit dhe tabelat sinjalizuese dhe orientuese.
Lidhur me dëmin e shkaktuar nga kjo kompani që grumbullon miliona dollarë nga përpunimi i bakrit të nxjerrë nga minierat e Fushë-Arrëzit, “Piranjat“ komunikuan edhe me kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit, i cili sqaroi se Bashkia është në kontakt të vazhdueshëm me CEO-n e kompanisë për vijimin e punës lidhur me minimizimin e ndotjes nga procesi i punës, duke pranuar se kjo gjë ka ndikuar negativisht te banorët e zonës, të cilët e përdorin ujin e lumit për tokat e tyre.
Ai shtoi se ndotja është më e madhe muajt e verës, ndërsa zvogëlohet kur nis sezoni i reshjeve. Ndaj, për të kuptuar më shumë rreth dëmit që kjo veprimtari i shkakton banorëve të zonës, premtimet për investime të kompanisë, si dhe për nivelin e zbutur të ndotjes në periudha të ndryshme vjetore siç pretendoi kryetari, “Piranjat“ udhëtuan sërish në Fushë-Arrëz në muajin tetor, duke kuptuar diçka tepër të rëndësishme. Fatkeqësisht edhe në këtë periudhë kohe, pavarësisht prurjeve të shirave, niveli i ndotjes është mëse i dukshëm, për të mos thënë i pakthyeshëm. Lumi ka humbur krejtësisht ngjyrën natyrale, edhe gurët, edhe toka.
Gjatë bisedave me gazetarin Freard Rista, shumë banorë të Fushë-Arrëzit u shprehën se lumi i ndotur me mbetje nga fabrika nuk u shërben më për tokat e tyre, dhe se këto të fundit kanë dalë jashtë përdorimit nga kontaminimi.
“Te sistemi biologjik ndikon shumë. Ekspertizat biologjike që janë bërë lumit, në raste të veçanta s’ka pasur as njëqelizorë, jo të ketë një peshk apo të aksesohet për sezon turistik lumi”, shprehet kryetari i Bashkisë, Hil Curri.
Nga ana tjetër, gjeologu Sazan Guri bën me dije se, në bazë të një studimi të kryer, është zbuluar se pH-i i ujit të lumit është në nivelin 2.5, tepër i ulët.
“Njeriu e ka pH-in 7.3, edhe gjallesat sa ne e kanë 7.3, mund të pranohet deri në 6. Por e di se çfarë do të thotë pH 2.5? Duken 4.5 njësi, por është logaritmike ajo, 10 në fuqitë 10 në fuqitë 10 në fuqitë 10, shkon 100 mijë. 100 mijë herë më e ndotur se norma. Mirëpo kjo është ndotje në strukturën e ujit, nuk është se ndotet, kalon disa gurë dhe filtrohet. Janë metalet e rënda që e ndosin, që dalin nga përpunimi i mineralit të bakrit, janë sedimente në ngarkesë që mban uji në trup.
Është katastrofë, jo thjesht një ndotje. Është ujë acid, e kthen tokën në tokë acide. E pasuron tokën me një rrjedhje minerare që kushedi sa mijë vjet do t’i duhen tokës të rigjenerohet. Ke të bësh me ndotje mjedisore, ke të bësh me jetë shëndetësore të banorëve. Ti merr një ndotje direkte nga uji nëntokësor, e merr nga bima, e merr nga qumështi i lopës. Është një kancer direkt në trupin dhe mendjen e njeriut“.
/Piranjat/










Discussion about this post