Nga Nikola Kedhi
Nëpërmjet karizmës së tij të pakrahasueshme, sensit të lakmueshëm të humorit, aftësive të rralla të sipërmarrjes dhe lidershipit të padiskutueshëm politik, Silvio Berlusconi shënoi jetën e italianëve dhe më gjerë. Ai ishte padyshim një burrë shteti i madh, një figurë unike në skenën botërore, një krijues dhe ndërtues, një vizionar, një lider i fortë, një novator në media, politikë dhe sport, dhe sigurisht një individ me një ndikim komandues për shumë njerëz që rrethojnë biznesin dhe politikën.
Kujtimet e mia më të hershme të Cavalieritjanë në një moshë shumë të re, si shumë të brezit tim, përmes ndikimit që perandoria e tij mediatike patinë Shqipëri. Ndërsa përfshihesha më shumë në botën e financës dhe politikës, idetë dhe politikat e Berlusconit u bënë një pikë referimi e konsiderueshme. Qëndrimi i tij i palëkundur antikomunist, kërkimi këmbëngulës i lirisë dhe ndjenja e thellë e patriotizmit më tërhoqi fort vëmendjen. Pozicionet më të hershme politike që mbaj mend ishin të informuara nga idetë liberale që mbronte Il Cavaliere: mbrojtja e lirive individuale me të cilat çdo njeri lind, qeveria e kufizuar, taksat e ulëta, tregjet e lira, shpenzimet e ulëta publike dhe mbrojtja e fortë e interesit kombëtar.
Fuzionizmi në të cilin besoj sot është në thelb ruajtja e këtyre elementeve që mbrojnë individin, forcojnë familjen, konsolidojnë një shoqëri pluraliste, forcojnë institucionet dhe e bëjnë një vend të madh. Siç tha edhe ai vetë, Thatcher ishte një nga modelet që ai ka ndjekur në politikë. Megjithëse nuk kam qenë përherë dakord me mënyrën se si Berlusconi i trajtonte gjërat burimi i ideve të tij ishte ai i duhuri. Bota është një vend më i zbrazët pa njerëz si Berlusconi, Reagan dhe Thatcher. Megjithatë, unë besoj se kjo trashëgimi liberal konservatore që Berlusconi lë pas është, në themelet e saj, në duar të sigurta me qeverinë e re Meloni.
Për shumë prej nesh në Shqipëri, Silvio Berlusconi ka qenë sinonim i lirisë dhe sipërmarrjes së lirë që vendi ynë ka dëshiruar dëshpërimisht për dekada. Ai ishte një nga ata njerëz të mëdhenj që edhe pse mund të mos e kemi njohur personalisht, u bë një pikë referimi për lirinë dhe këmbënguljen në politikë dhe në biznes.
Një njeri i vetë-krijuar dhe një shembull për sipërmarrësit e rinj në mbarë botën, ai filloi me Edilnord në moshën 27-vjeçare. Në vitin 1977 ai themeloi Fininvest, kompaninë që zotëron perandorinë e Berlusconit. Para se të hynte në politikë, ai la gjurmë me ndërtesat e tij dhe veçanërisht me median. Në një peizazh ku e majta zakonisht ka ndikim të konsiderueshëm mbi median publike, Mediaset u bë një komponent jetik në balancimin e fushës politike dhe mediatike. Për më tepër, ajo shënoi një ndryshim kulturor në mënyrën se si funksionon media, me ndikime përtej kufijve të Italisë. Sa prej personazheve të sotëm të medias ia detyrojnë karrierën e tyre mundësive që ai u dha, pyes veten.
Njerëzit në moshën time shikonin Italia 1 pas shkollës – dhe ne e dinim se kjo ishte falë një njeriu të madh. Shumë tifozë të Milanit kanë brohoritur dhe qarë, kanë përjetuar emocione të mëdha dhe kanë kujtime të jashtëzakonshme falë një vizionari. Cavalieri ndoshta e dinte se ai kishte ndikuar në jetën e miliona njerëzve në të gjithë Evropën, duke hyrë në shtëpitë dhe shpirtrat e tyre. Kjo, mendoj, ishte një nga arritjet e tij më të mëdha.
I dashur në mënyrë pasionante nga shumë njerëz, ashpërsisht i urryer nga të tjerëqë nuk u përpoqën kurrë ta kuptonin, ai i ndau njerëzit në dy grupe të kundërta, siç bëjnë shpesh njerëz të mëdhenj. Megjithatë, ajo që kam dëgjuar këto ditë nga shumë që e njihnin, përfshirë miq të mi në botën e medias e politikës italiane, është se ai nuk i urrente njerëzit, madje edhe ata që e përbuznin. Ai përpiqej të kishte empati, të kuptonte dhe madje t’i vinte keq për ata që dinte se nuk ishin të aftë për të dashuruar. E gjithë kjo është shenja e një njeriu të madh. Ai vërtetoi se njeriu mund të luftojë për idetë në të cilat beson pa urryer dhe përhapur toksicitet dhe ndonjëherë edhe duke zgjatur dorën e tolerancës dhe bashkëpunimit.
Në një video që tashmë është bërë virale, ai në një tubim, ku ndërhyjnë për të prishur eventin disa nga ata që nuk e donin, thotë: “Ja pra ku e kemi dhe kundërshtinë”. “Kështu të paktën të gjithë ju mund të kuptoni ndryshimin thelbësor midis nesh dhe atyre.” “Ata shfrytëzojnë frikën, shpresën, dhimbjen, të vdekurit. Turp”. “Ju nuk keni dinjitet, nuk dini çfarë është fisnikëria, nuk dini çfarë është demokracia, nuk dini çfarë është liria”. Ky ishte ndryshimi midis tij dhe urrejtësve të tij. Berluskoni ishte i aftë të shfaqte dinjitet të madh, kalorësi, dhembshuri, dashuri, pasion, ndjeshmëri dhe një fisnikëri shpirti. Ai shpesh shfaqte një dashuri të vërtetë, të admirueshme për familjen e tij, e cila rrallë shihet tek politikanët. Shpresoj që historia ta kujtojë kështu.
Politikisht ai i ka dhënë të djathtës europiane një projekt të jashtëzakonshëm, në të cilin besoj plotësisht. Kur zbriti në fushë në vitin 1994, rreziku i komunistëve ishte i madh. Italia rrezikonte të binte në autoritarizëm të majtë dhe diktaturë magjistratësh. Ishte falë vendosmërisë së tij, karizmës dhe vullnetit të tij politik për të bashkuar qendrën e djathtë që rreziku i një Italie komuniste u ndal.
Ai i mësoi Evropës dhe botës se kur e djathta është e bashkuar rreth vlerave dhe parimeve të përbashkëta, ajo mund të fitojë dhe të çojë një vend drejt prosperitetit. Kështu arriti të qeverisë më gjatë se çdo kryeministër tjetër, i udhëhequr nga vlerat e lirisë, demokracisë, patriotizmit dhe euroatlantizmit. Evropa dhe bota kanë qenë më të forta me secilën qeveri të Berlusconit. Shqipëria, me demokracinë e saj të brishtë, e cila kërkoi të zhvillohej dhe të bëhej pjesë e familjes evropiane pas dekadash komunizmi, pati një aleat të pazëvendësueshëm te Berluskoni dhe e djathta shqiptare gjeti tek ai një mik dhe një model për t’u ndjekur. Miqësia e tij me liderin historik të së djathtës shqiptare, Sali Berisha, ishte një element kyç i kësaj marrëdhënieje.
Një Itali më e fortë, me vëmendje më të madhe ndaj Mesdheut ishte një prioritet për të djathtën italiane nën qeverisjen e Berlusconit dhe duket se e tillë do të jetë edhe nën kryeministren Meloni, pas një dekade neglizhence nga e majta. Për Shqipërinë, kjo është jetike, pasi më shumë vëmendje nga aleatët tanë historikë do të thotë më pak hapësirë për ndikimet e padëshiruara të kundërshtarëve gjeopolitikë të Perëndimit.
Italia, nën drejtimin e Berlusconit, u rikthyenë qendër të ngjarjeve botërore. Cavalieri ishte i rëndësishëm në përfundimin efektiv të mbetjeve të fundit të Luftës së Ftohtë, duke udhëhequr më shumë takime të G8 se çdo kryetar tjetër qeverie dhe duke siguruar përmes politikave liberal konservatore një prosperitet më të madh për vendin e tij. Berlusconi kishte largpamësinë për të ndërtuar dhe çuar drejt fitoreve të mëdha një koalicion të madh të qendrës së djathtë, duke çliruar të djathtën italiane që sot qeveris nga izolimi. Kur erdhi koha, aime kalorësinë që e karakterizonte kaloi stafetën e drejtimit të qendrës së djathtë dhe të vendit te një pasardhëse e denjë, që e meritonte dhe e kishte fituar këtë përgjegjësi me aksionin e saj politik, koherencën dhe idete qe mbronte.
Ky projekt fuzionist, i ndjekur tani me sukses nga kryeministrja Meloni, mund të jetë rruga përpara për zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm, duke çuar në një shumicë të re të popullorëve, konservatorëve dhe liberalëve klasikë – një aspiratë e vjetër e Berlusconit, duke demonstruar edhe një herë vizionin e tij dekada përpara të tjerëve. Ky është çelësi i suksesit të qeverive të qendrës së djathtë në të gjithë Evropën dhe madje edhe përtej Atlantikut, në partinë e madhe të krahut të djathtë, Republikanët, që bashkojnë nga libertarianët deri te konservatorët socialë.
Për dekada ai u persekutua nga një gjyqësor i politizuar dhe media aktiviste më shumë se çdo individ tjetër i kohës së tij dhe u hoq nga drejtimi i Qeverisë jo me zgjedhje, por me një grusht shteti ndërkombëtar, duke u bërë për shumëkënd një simbol i rezistencës. Lufta, vendosmëria dhe këmbëngulja e tij frymëzuan të gjithë ata që ndoqën veprimtarinë e tij politike. Më në fund, ai u shpall i pafajshëm dhe u rehabilitua.
Në fund, ai fitoi! E gjithë balta që ju hodh, sulmet, sharjet, gënjeshtrat, proceset gjyqësore dështuan ta vënë poshtë. Berlusconi u largua nga jeta një njeri i lirë. Ai bëri një kthim triumfues në Senat pasi partia e tij u bë një komponent i rëndësishëm i qeverisë. Projekti i tij politik, i cili filloi në 1994, është i gjallë dhe madje në lulëzim, nën një kryeministre jashtëzakonisht të aftë në drejtim të një qendre të djathtë kompakte dhe që frymëzon. Italia është në një rrugë që do të përfitojë vetë, dhe me potencial për të ndikuar për mirë në Mesdhedhe Europë. Idetë e Cavalierit do të qëndrojnë dhe do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata të tjera që besojnë te parimet e vlerat që bashkojnë të djathtën.
Me të shkon një pjesë e historisë, ndoshta e fundit e shekullit të njëzetë;i fundit e atyre njerëzve të mëdhenj që tani i përkasin një epoke të shkuar në Itali. Megjithatë, trashëgimia e tij do të jetë ajo e një burri të madh shteti, i cili e donte pa turp jetën, lirinë dhe vendin e tij. Një luftëtar deri në fund! Një energji rinore e pashuar! Dhe nuk mund të mendoj për një mënyrë më të mirë për t’u mbajtur mend. As ai nuk do donte te mbahej mend ndryshe mendoj! Faleminderit Cavaliere!
*Nikola Kedhi është një ekspert ekonomik, bashkëautor i Kushtetutës së vlerave të qendrës së djathtë dhe kontribuues në media të ndryshme në SHBA, MB dhe Evropë, si Fox News, il Giornale/InsideOver , Atlantico Quotidiano, CapX, Newsweek, Daily Wire, European Conservative, The American Conservative, The Federalist, Newsmax, Mises Institute dhe të tjerë. Artikulli është botuar fillimisht në revistën italiane Atlantico Quotidiano.
Artikujt e Kedhit pasqyrojnë vetëm pikëpamjet e tij.
Discussion about this post