Në Gusht të vitit 2023, një italian i prezantuar si “Nick Grimm” i shkruan Rozine B në rrjetin social “Facebook”.
“Jam i sëmurë me kancer në fyt dhe kam pak kohë për të jetuar. Të pak përzgjedhur ty për të dhuruar pasurinë time në vlerë 4 milionë euro, me kusht që 30 përqind të shumës ta japësh tek shoqatat bamërisë”.
63-vjeçarja nga Rrësheni që kryente punë sezonale si emigrante në Janinë të Greqisë, u josh nga ky mesazh.
Për një mirëmbajtëse shtëpish, por jo vetëm për atë, vlera e parave në lojë, ishte e paimagjinueshme.
Ajo i përgjigjet mesazhit të “Nick Grimm” dhe tregohet e interesuar për detajet. Më tej, italiani, i cili i prezantohet me emrin Giusseppe Pitzalis, e fton të komunikojnë në aplikacionin “Whatsapp”, ku i dërgonte foto të tij nga shtrati i spitalit.
Gjithçka dukej e besueshme. Pitzalis e ftoi Rozinen shqiptare që të komunikonte për detajet e transfertës me avokatin e tij, Franck Berton. Më tej, gjithnjë nëpërmjet aplikacionit “Whatsapp”, Rozina komunikoi me drejtoreshën e bankës ku ishte depozituar shuma prej 4 milionë euro, Manuela Kurz, si edhe me djalin e saj, menaxherin e bankës, Gildas Perseverance Agbozo.
Të gjithë këta persona i kërkon pagesa, nën justifikimin e procedurave administrative. Ajo u transferoi atyre mbi 4 mijë euro, nëpërmjet qendrave të transferimit të parave në Janinë.
Po ashtu, nga llogaria e saj bankare në Shqipëri, Rozine B. i transferoi disa mijëra euro edhe “mikut” të drejtoreshës së bankës në Shqipëri, Fatmir Koloshi, mësues i lëndës së Historisë dhe Gjeografisë në një shkollë në Bathore.
Pasi kishte kryer këto transferta parash, 63-vjeçari nisi të dyshonte se e gjitha ishte një skemë mashtruese për t’i marrë paratë. Me këtë bindje, ajo kalon kufirin e Shqipërisë në shtator 2023, ku bën kallëzim për mashtrim.
Aktualisht, i arrestuar është Fatmir Koloshi, ndërkohë që prokuroria e Gjirokastrës deklaron se po punon për identifikimin e personave të tjerë në këtë skemë, kryesisht shtetasit e huaj që kanë komunikuar me Rozinen e mashtruar.
Skema e mashtrimit
“Gijotina” ka siguruar dosjen gjyqësore për të arrestuarin e vetëm, Koloshi, ku jepen detaje mbi mënyrën se si një grup me shqiptarë e të huaj i zhvatën emigrantes mijëa euro, nëpërmjett mashtrimit.
Zonja Rozine B. ka kallëzuar faktin se me datën 29.07.2023, në adresën e faqes se “Facebook”-ut të saj në rrjetin social të komunikimit “Messenger”, i ka shkruar një person i panjohur prej saj, i cili është prezantuar si shtetas italian me emër Nick Grimm.
Ky person i ka shkruar ne gjuhën shqipe dhe i ka thënë se vuante nga një problem shëndetësor i pashërueshëm dhe konkretisht nga kanceri ne fyt. Ky shtetas i ka shkruar me mesazhe se e kishte përzgjedhur kallëzuesen, për t’i dhuruar një donacion me vlerë 4.000.000 (katër milion) Euro, nga të cilat kallëzuesja 30% të shumës duhet ta jepte për bamirësi te fëmijët e varfër dhe jetim.
Rozina shpjegoi para oficerëve të Policisë Gjyqësore se, pasi ka marrë këtë premtim, e ka falënderuar dhe i ka dërguar këtij shtetasi numrin e saj telefonit me prefiks të shtetit Grek +36949042—-, si dhe i ka dhënë një numër telefoni Shqiptar që e përdor nëpërmjet aplikacionit “Whats App”, konkretisht numrin +355695279—.
Shtetasi me profilin “Nick Grimm” i ka thënë se duhet të komunikonin nëpërmjet aplikacionit “Whats App”.
Në datën 29 korrik 2023, ky person i ka shkruar kallëzueses nga aplikacioni “Whats App”, dhe i është prezantuar me gjeneralitetet “Giusseppe Pitzalis”, i cili ishte nga qyteti i Firences në Itali dhe jetonte në Francë. Ky person i ka dërguar edhe një fotografi të pasaportës së tij italiane.
Kallëzuesja shpjegon se gjatë kësaj kohe ka diskutuar me këtë person, i cili shpesh here i ka dërguar dhe disa fotografi të tij personale, ku ndodhej i shtruar në spital dhe po merrte trajtim mjekësor.
Hyn në lojë “avokati Berton”
Rozine B. kallëzon se, pasi kanë shkëmbyer mesazhe me ketë shtetas, ajo ka pranuar të përfitonte pasurinë prej 4 000 000 Eurosh, për të cilën shtetasi Guissepe Pitzalis e ka lidhur gjithashtu edhe me avokatin e tij i cili quhej Franck Berton dhe mbante numrin e telefonit +22957581091.
Kallëzuesja deklaron se si shtetasi i prezantuar me gjeneralitet Guseppe Pitzalis, gjithashtu dhe avokati i tij, i dërgonin mesazhe se po bënin gati procedurat për kalimin e bamirësisë tek kallëzuesja.
Avokati fillimisht i ka kërkuar disa të dhëna te saj, pasi sipas tij ishin të domosdoshme për të kryer procedurat dhe ajo i ka dërguar fotografi të kartës së saj të identitetit, foto të pasaportës, si dhe numrin e llogarisë bankare.
Avokati, pas disa ditësh, i ka thënë se duhet të bënte një pagese prej 150 Eurosh për të bërë një dokument të quajtur “Akti i dhuratës”, i domosdoshëm për të përftuar shumën prej 4 000 000 eurosh.
Rozine B. deklaron se ia ka dërguar ketë shumë nëpërmjet shërbimit të transfertave Ëestern Union, nga qyteti i Janinës, në Greqi, ku punon në mënyre sezonale dhe kujdeset për disa persona të moshuar aty.
Pas disa ditësh, i njëjti person i prezantuar si avokati i Guseppe Pitzalis, i ka kërkuar përsëri edhe disa herë shuma të tjera monetare. Këto shuma, “avokati” ia ka kërkuar t’ja dërgojë nëpërmjet shërbimeve të transfertave te parave “Moneygram”, “Western Union” dhe “Ria” dhe të gjitha këto transferta bankare kallëzuesja i ka bërë ne qytetin e Janinës në shtetin Grek dhe për këtë disponon dhe faturat.
Totali që ka paguar për këta persona ka qenë në shumën 2000 euro.
Kjo shtetase kallëzon gjithashtu se një ditë para se ajo të bënte kallëzimin, avokati i shtetasit Guissepe Pitzalis i ka shkruar përsëri duke i thëne se ajo do të merrte bamirësinë që i ishte premtuar, po për ketë duhet të paguante edhe 3800 euro të tjera.
Lojtari tjetër, Manueal, “drejtoresha e bankës”
Personi i cili do t’i jepte bamirësinë i ka dhëne një numër tjetër të një personi, e cila u prezantua me gjeneralitet “Kurz Manuela”, me detyrë si drejtoresha e bankës së shtetasit Guissepe Pitzalis.
Kjo shtetase i ka kërkuar të bënte një pagese prej 1800 eurosh për procedurat dhe i ka dërguar gjithashtu një foto të pasaportës te saj dhe disa fotografi të saj.
Biseda e fundit që ka bërë me ketë shtetase ka qenë me datë 11 shtator 2023, ku kanë diskutuar për gjëra të ndryshme. Rozina gjithashtu shpjegon se ajo e kishte marrë në telefon me kamerë, por nuk kanë folur dot, pasi nuk kuptoheshin, për shkak të gjuhës.
Drejtoresha e bankës është përpjekur që ta bindë kallëzuesen, që të bënte një pagesë të fundit prej 3800 eurosh, si detyrim për bankën e zotit Pitzalis.
Kallëzuesja shpjegon se ka filluar që të dyshojë se e gjitha kjo situate ishte një skeme mashtrimi pasi mendon se asnjë nga këta persona nuk ishte i vërtetë dhe për këtë arsye është paraqitur për të bëre kallëzim penal.
Mashtrimi vijon
Megjithëse ka dhënë kallëzimin, 63-vjeçarja ka vijuar të kryejë pagesa për grupin e mashtruesve. Këtë e pranon vetë, kur u ripyet pak kohë më vonë në Prokurorinë e Gjirokastrës.
Rozine B. deklaron se pas dhënies së kallëzimit ka dërguar transferta parash edhe nga Shqipëria duke dërguar një shume totale prej 4 444 euro në Llogarinë Bankare të shtetasit shqiptar Fatmir Koloshi, në Bankën “Credins”.
Këtë shumë ajo e ka dërguar në 6 ditë të ndryshme, konkretisht nga datat 14-26 tetor 2023. Të gjitha këto shuma janë dërguar shtetasit Fatmir Koloshi.
E pyetur se për çfarë arsye ja ka dërguar këtij shtetasi këto shuma parash, Rozina u përgjigj se këto shuma parash nëpërmjet Bankës “Credins” i ka dërguar sepse shtetasit të cilët ka përmendur në kallëzim, konkretisht personi që hiqej si Drejtoresha e Bankës “Manuela Kurz”, i ka thënë se në Shqipëri kanë një mikun e tyre, i cili quhet Fatmir Koloshi.
Dhe, për të zhbllokuar bamirësinë prej 4 000 000 eurosh, duhet të paguante shumën prej 3 800 euro. Pasi ka paguar këtë shumë i kanë thënë që ka marrë gjobë nga banka edhe i kanë kërkuar edhe diku tek 600 euro shtesë, të cilat sërish i ka dërguar përsëri shtetasit Fatmir Koloshi.
Edhe pasi ka dërguar këte shumë parash, i kanë kërkuar edhe 1906 euro të tjera, për sigurimin e shumës që do përfitonte, nga të cilat ka paguar vetëm 1000 euro dhe i kanë ngelur pa paguar edhe 906 euro, këta shtetas i kanë thënë të paguaj vetëm 500 euro se të tjerat do t’i paguajnë ata.
E pyetur nëse e njeh personalisht shtetasin Fatmir Koloshi, kjo shtetase u përgjigj se jo unë nuk e njeh këtë shtetas, nuk e ka takuar asnjëherë siç e theksoi edhe më parë paratë ja ka dërguar sepse ashtu e kanë udhëzuar personi, i cili hiqet si drejtoresha e bankës Manuela Kurz dhe djali i saj, i quajtur Gildas Perseverance Agbozo, i cili sipas saj është dhe menaxheri i bankës.
Rozine deklaroi para prokurorëve se, pavarësisht kallëzimit, ajo vijonte të besonte se do të merrte trashëgiminë e premtuar. Për këtë arsye, ajo ka vijuar t’i dërgojë paratë, sipas porosive të personave të huaj, të cilët i kishin thënë se Giussepe Pitzalis kishte vdekur.
Por, kur ky i fundit e kontaktoi sërish, atërherë Rozine B. ishte bindur se gjithçka ishte gënjeshtër.
Arrestimi i “profesor Koloshit”
Në vijim të veprimeve hetimore, me urdhër të Prokurorisë dhe pas vendimit të gjykatës, policia arriti të arrestonte Fatmir Koloshin në dhjetor të vitit 2023, nën dyshimet e kryerjes së veprës penale të “Mashtrimit”.
Koloshi nuk ishte dakord me këtë masë dhe kërkoi në Gjykatën e Apelit zbutjen e saj, të paktën “detyrim për paraqitje”.
Në ankimin e tij, Koloshi pretendon se ai nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe se “është i padënuar më parë në jetën e tij, rreth 35 vite profesor i nderuar i lëndës histori-gjeografi, i respektuar në lagje, komunitet, i dobishëm në familje”.
Ai argumeton në ankimin e tij “se nuk ka kërkuar nga kallëzuesja që kjo e fundit të kryente transferta dhe zonja Rozine asnjëherë nuk ka kontaktuar personin për t’i kërkuar që ky i fundit t’i kthente mbrapsht paratë e transferuar me dëshirë”.
Koloshi ka renditur para gjykatës edhe arsye të tjera familjare, të cilat do të rëndohen shumë nëse ai do të vijojë të qëndrojë në paraburgim.
Gjykata e Apelit, pasi dëgjoi shkaqet e ankimit, dëgjoi edhe prokurorin e çështjes, vendosi së fundmi që Fatmir Koloshi të vijojë të qëndrojë në masën e sigurimit “arrest me burg”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post