Këshilltarja demokrate e Elbasanit flet për lëvizjen e Salianjit, të cilën e cilëson si të nxituar, por pa pranuar akuzat që lidershipi ka artikuluar ndaj tij. “Nuk mund ta pranoj që brenda një kohe kaq të shkurtër të më kërkohet ta shpall hero një individ dhe më pas të më kërkohet ta trajtoj si tradhtar”, shprehet ajo.
Sipas saj, akuzat e drejtuesve të PD-së për lidhje të Salianjit me botën e krimit janë të pabazuara dhe i konsideron si mashtrime.
“Salianji ndenji vetëm 1 muaj dhe nuk arriti as të njihte kryesinë e degës, e jo më që të shkonte e të falej tek bandat në ato 3 javë që ndenji në Elbasan. E përjashtoj totalisht faktin që Salianji ka krijuar lëvizjen e vet me përfshirjen e bandave” tha ajo.
Ndërkohë, ajo hedh dyshime dhe artikulon akuza për lidhje të mundshme në biznes të Himçit dhe Nokës me persona të botës së krimit.
“Në Elbasan akuzohet Noka dhe Himci për këtë duke filluar që nga viti 2021” tha ajo
Doris Madhi, aktiviste e Partisë Demokratike prej 10 vitesh, e diplomuar në La Sapienza, me përvojë akademike dhe aktivitet politik intensiv prej dhjetë vitesh, është përjashtuar nga Partia Demokratike. Vendimi i marrë në mënyrë tinëzare nuk i ishte komunikuar, por ajo e mori vesh vendimin vetëm kur do të zhvilloheshin zgjedhjet për drejtuesit e Elbasanit dhe ku do të votonte. Është përjashtuar si nënkryetare e këshillit bashkiak dhe këshilltare demokrate e këtij këshilli me vendim të një kryesie që nuk pati kuorumin e nevojshëm.
“Unë erdha në dijeni të këtij fakti kur u zhvilluan zgjedhjet për kryetar dhe shkova të ushtroj të drejtën time për të votuar për kryetarin e ardhshëm. Përpara komisionit u vura në dijeni që nuk e kam emrin në listë dhe më referuan tek kryetari i degës dhe drejtuesi politik Arben Ibroja për të më dhënë sqarime të mëtejshme. Ibroja më informoi që me një vendim kryesie të marrë 2 ditë më parë unë isha propozuar për të mos qenë pjesë e anëtarësisë së PD-së për shkak se kisha shkelur vijën e përgjithshme e partisë duke u bërë pjesë aktive e një fushate të PS. Kjo është absurde. Nga burime informale mësova që në këtë mbledhje nuk qëndronte kuorumi dhe as shumica e cilësuar” tha ajo
Ajo beson se është larguar nga këshilli, por edhe nga strukturat e PD-së për shkak të problematikës që ajo ka sjellë duke denoncuar afera që kanë lidhje me drejtues dhe deputetë të PD-së Elbasan me strukturat e mazhorancës në këtë qytet. Për shkak të investigimit me komisione zyrtare në këshillin bashkiak, ajo ka zbuluar afera të dyshimta të deputetit Himçi dhe të tjera afera me segmente në Elbasan që shkojnë në favor të përfitimeve të biznesit të tij. Madhi beson se ky aktivizim i saj intensiv ka sjellë edhe përjashtimin e saj.
Rrëfen se nuk ka marrë asnjë përgjigje për të gjitha përpjekjet e saj për të vënë në dijeni kryetarin e PD-së Sali Berisha. Doris Madhi flet për lëvizjen Salianji dhe gjithçka e pasoi atë brenda PD-së. Kujton kohën kur ishte me foltoren e Berishës dhe Salianji përballë. E konsideron të nxituar lëvizjen e tij, por nuk pranon akuzat që lidershipi i PD-së i kanë adresuar Salianjit për lidhje me botën e krimit në Elbasan.
Ajo kujton se kur Salianji u caktua drejtues politik i PD-së në Elbasan qëndroi vetëm tri javë dhe për aq kohë ai nuk mundi as të takojë të gjitha strukturat e PD-së dhe më pas shkoi në burg. Lidershipi i PD-së, thotë Doris Madhi, e konsideroi Salianjin të burgosur politik. Ajo rrëfen se ishte kërkuar nga qendra që atë ditë kur Salianji do të shkonte në burg, të vinte në Tiranë bashkë me demokratë të tjerë për ta përcjellë Ervin Salianjin si hero.
“Unë nuk mund të pranoj që brenda një kohe të shkurtër të më urdhërojnë të thërras hero për një individ dhe më pas të më urdhërojnë sërish që ta pështyj si tradhtar” thotë ndër të tjera Madhi.
Në intervistë për gazetën Tema, Madhi thotë se ka refuzuar çdo ofertë nga parti të tjera duke theksuar:
“Jam demokrate në origjinë dhe s’mund të jem ndryshe. Midis karrierës politike dhe qetësisë unë zgjedh këtë të fundit. Kam hyrë në PD sepse i besoja vlerave dhe kam hyrë për të dhënë kontribut. Mua më është thyer besimi në PD për shkak të standardit të dyfishtë që është përdorur për vlerësimin brenda PD”, thotë ndër të tjera Madhi. / Tema










Discussion about this post