Nga Ferdinand Dervishi
Filmi “Kumbari” i regjisorit Francis Ford Coppola, pjesa e dytë, viti 1974, bazuar në historinë e MAFIA-s amerikane, ka një hyrje mbresëlënëse, që të sjell në mend fenomenin “Ergys Agasi” në Shqipërinë e 2025.
Hallexhiu i radhës i troket në derë Kumbarit – Don Vito Corleone, dhe nis t’i rrëfejë dramën e së bijës, një vajze të re, me origjinë italiane, e cila ishte dhunuar, deri në shpërfytyrim të përjetshëm, nga dy djem amerikanë.
Hallexhiu i lutet Don Korleones që të hakmarret në emër të tij, duke i shpjeguar se nuk kishte gjetur mbështetje te shteti, pasi gjykata, qysh në seancën e parë, i kishte lënë të lirë dy agresorët.
Gjatë bisedës, Doni mafioz i tërheq vëmendjen të njohurit të vjetër, se nuk e kishte respektuar, e të tjera, por, në fund, pranon ta ndihmojë. Pasi përcjell mikun, ai thërret këshillëtarin dhe i komunikon vetëm një fjali të shkurtër: – Kaloja Klemencës!
Si të ishte dhënë nga vetë Zoti, që është në qiell, urdhëri nuk diskutohet. Ai zbatohet në mënyrë të verbër. Një nga vrasësit e betuar të Don Korleonës, i quajtur Klemenca, urdhërohet të masakrojë dy të rinjtë në shenjë hakmarrjeje për vajzën e shpërfytyruar.
Rezultati lihet të merret me mend.
Në Shqipërinë e 2025, e njëjta skenë të ndërtohet në mendje teksa lexon fletët e dosjes së SPAK për AKSHI-in.
Ergys Agasi, një njeri që gëzon pushtet të pakufishëm, pret e përcjell në zyrën e tij ministra, deputetë, gazetarë, kryepolicë, kryespiunë, kriminelë, drejtorë e drejtoresha të shtetit, bashkëpunëtorë, e të tjerë, të cilët, pasi i dëgjon, u zgjidh hallet si të kishte në duar atë shkopin magjik të Zotit.
“Do ja q., robt. Do fusim çunat pastaj” – dëgjohet të thotë Ergys Agasi, kur bashkë me një mikun e vet konstatojnë se, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, po i pengon të marrin një koncesion.
Dosja e AKSHI-t vërteton se si “çunat” e Don Agasit janë vënë në lëvizje, sidomos për porositë që vinin nga lart, se si “çunat”, të maskuar si agjentë të BKH-së, marrin peng, në mes të Tiranës, biznesmenë e funksionarë shtetërorë, të cilët kthehen mbrapsht gojëkyçur dhe të urtësuar.
Në këtë pikë, Don Vito Korleone – personazhi fiction i MAFIA-s amerikane, të viteve 1940-1950, dhe Don Agasi, i Shqipërisë së vitit 2025, janë krejtësisht të ngjashëm.
I pari përdorte si kasapë, për të qëruar kundërshtarët, Klemencën, apo Luka Brazin, ndërsa i dyti, Don Agasi, përdor “çunat” e Çopjave apo të Bandës së Re të Durrësit – dy grupeve më të fuqishme kriminale shqiptare.
Përputhja ka vetëm një ndryshim.
Don Vito Korleone e kishte ngritur perandorinë e krimit me shpatullat e veta, ndërsa Don Agasi me shpatullat e KM shqiptar.










Discussion about this post