Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të premten më 24 maj vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentian Hamiti.
Megjithëse Komisioni ngriti dyshime për një investim të kryer mbi truallin e zotëruar dikur prej subjektit në Delvinë, u bind nga shpjegimet e tij se ndërtimi ishte kryer nga vëllai dhe një kushëri. Po ashtu, nuk u gjetën probleme penalizuese dhe për marrdhënien me kushëririn e dënuar që kishte kyer investimin në tokën e blerë prej tij, si dhe për gjetjet në aspektin profesional.
Komisioneri Ballhysa parashtron fillimisht në ankimin gjetjet e vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, të paraqitura në Komision. Në gjetjen e parë evidentohet se subjekti në vitin 2008 i ka shitur vëllait dhe djalit të xhaxhait truallin me sipërfaqe 300 m2 në Delvinë. Ndërkohë, nga dokumentacioni i dosjes është konstatuar se kushëriri ka qenë i dënuar në Greqi për mbajtje e transportim të narkotikëve, si dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Megjithëse ONM ka paraqitur mendim për kryerjen e një sërë verifikimeve me qëllim qartësimin e marrëdhënies së subjektit me të afërmin e dënuar, mes tyre dhe marrjen e listës së plotë të telefonatave për dy vitet e fundit, Komisioneri evidenton se ato kanë qenë të mangëta.
Ai sjell në vëmendje të Kolegjit dhe faktin se gjykata e Delvinës ka njohur pjesërisht dënimet e të afërmit të subjektit. “…Nga aktet rezulton se ky shtetas, në një periudhë në të cilën duket se duhej të ishte duke vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri, paraqitet si blerës i truallit prej 300 m2 dhe si investitor në kontratën e sipërmarrjes të datës **.5.2004, në një vlerë prej 11.934.70630 lekë”, thekson Ballhysa.
Sipas tij, rrethanat e dala nga aktet e hetimit në dosjen e Komisionit, nuk mbështesin thëniet e subjektit si nuk kishte pasur dijeni për dënimin, apo se marrdhënia e tij me kushëririn ka qenë në nivel takimesh rastësore. “…Nga aktet rezulton një marrëdhënie e ngushtë interesi dhe mirëbesimi, më së paku, deri në momentin kur pasuria prej 300 m2 , është regjistruar në emër të vëllait dhe shtetasit ***. ***.”, vlerëson Komisioneri dhe kërkon që këto rrethana së bashku me gjetjet e tjera të vlerësohen në drejtim të hetikës dhe integritetit të magjistratit.
Në vijim, Komisioneri konstaton se nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka blerë truallin në një ankand të Bashkisë delvinë në vitin 2002, ndërsa në vitin 2004 është nënshkruar kontratë sipërmarrje mes tij dhe sipërmarrësve, vëllait dhe kushëririt, kundrejt shumës 800 mijë lekë. Në këtë kontratë është përcaktuar se shuma i është dorëzuar shitësit jashtë zyrës noteriale.
Në përfundim të hetimit paraprak, KPK ka konstatuar se dukej se subjekti kishte kryer deklarim të pasaktë, por Hamiti ka këmbëngulur se shuma është marrë në vitin 2008, kur dhe është nënshkruar kontrata e shitjes. Në përfundim, KPK ka konkluduar se subjekti ka pasqyruar në deklaratën e vitit 2007 marrëdhënien kontraktore dhe shumën e përfituar duke zbatuar detyrimin për deklarim të kësaj shume.
Ndërsa Komisioneri Publik vëren se e ardhura nga shitja e truallit nuk është deklaruar nga subjekti në deklaratën e vitit 2004 si oficer i Policisë Gjyqësore, ndërkohë që është deklaruar për herë të parë në deklaratën para fillimit të detyrë si gjyqtar në tetor të vitit 2007. “…Duket se subjekti i rivlerësimit e ka disponuar këtë shumë deri në datën **.11.2007, çka bie ndesh me sa deklaron subjekti se kjo shumë është përfituar në datën **.2.2008”, konstaton Ballhysa dhe vlerëson se Hamiti nuk ka dhënë shpjegime bindëse, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë dhe kontradiktor lidhur me përfitimin e shumës 800 mijë lekë nga shitja e truallit.
Komisioneri ka gjetur probleme edhe lidhur me transaksionet e kryera me truallin. Sipas tij, subjekti i ka kryer veprimet juridike për këtë pasuuri në cilësinë e pronarit, ndërkohë që ishte në dijeni të faktit se me vendim gjyqësor përfundimtar, titulli i pretenduar prej tij i pronësisë nuk ishte më i ligjshëm.
Ai vlerëson se përgjigja e Bashkisë Delvinë se një leje ndërtimi e vitit 2004 në emër të subjektit është lëshuar gabimisht, duhet të merret me rezervë në këtë proces, pasi akti nuk është modifikuar në asnjë lloj mënyre as pas 20 vitesh.
Sipas Ballhysës, ekzistenca e dy lejeve të ndërtimit për të njëjtin objekt me përmbajtje të ndryshme, si dhe përdorimi i tyre në zyrat administrative dhe në proceset gjyqësore, nga subjekti sipas rastit, nuk duket aq i paqëllimshëm. “…Për sa kohë këtë akt, subjekti e ka paraqitur në mbështetje të pretendimeve të tij si pronar i truallit dhe investitor i objektit”, nënvizon Ballhysa dhe kërkon që këto rrethana të konsiderohen në vlerësimin tërësor, në drejtim të etikës dhe integritetit të magjistratit.
Nga hetimi administrativ, ka rezultuar se në llogarinë bankare të subjektit është depozituar cash në vitin 2009 një shumë prej 2500 euro, pa përshkrim. Kjo vlerë është tërhequr në të njëjtën datë nga subjekti. Hamiti nuk e ka deklaruar këtë transaksion, as në deklaratat periodike dhe as në atë veting.
Vëzhguesi ndërkombëtar ka konstatuar se subjektit nuk i është kërkuar të sqarojë arsyet e një depozitimi të tillë, natyrën e tij dhe për mosdeklarimin e të ardhurave nga ana e tij. Për rrjedhojë, ka paraqitur mendim se Komisioni duhet të kërkojë të japë informacion në lidhje me këtë transaksion dhe marrëdhëniet me personin që e ka depozituar shumën.
Ndryshe nga KPK që nuk ka konkluduar probleme për këtë gjetje, Komisioneri vlerëson se duket se Hamiti ka bërë deklarime të pasakta dhe të pavërteta mbi burimin, destinacionin dhe marrjen e shumës prej 2.500 euro nga një person tjetër. “Mosdeklarimi i kësaj marrëdhënieje dhe përpjekja për ta shfaqur si huadhënie atë, në vlerësimin e Komisionerit Publik konsiderohet si përpjekje e subjektit për të paraqitur ndryshe këtë situatë, për pasojë klasifikimin e saj, në kuptim të nenit D, pika 5 e aneksit të Kushtetutës dhe tregojnë për një sjellje të subjektit të rivlerësimit, e cila është e papranueshme për të pasur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, vlerëson Ballhysa.
Lidhur me verifikimin nga Komisioni të pasurive të bashkëshortes së subjektit, Komisioneri Publik shprehet se e gjen të drejtë konstatimin e vëzhguesit ndërkombëtar se, informacioni prej dosjes së vetingut të saj, nuk zëvendëson detyrën e trupës për të hetuar plotësisht të gjitha faktet e çështjes dhe për t’i siguruar Hamitit mundësinë për të kontribuar në hetim.
Sipas Komisionerit, edhe nëse proceduralisht Komisioni do të kishte përfshirë provat e çështjes së bashkëshortes së gjyqtarit Gentian Hamitaj në hetimin e këtij të fundit, trupa nuk mund t’u referohej përfundimeve të asaj çështje pasi nuk janë të vërtetuara me vendim të formës së prerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Ballhysa vëren se në ankimin e vendimit për bashkëshorten e subjektit, vlerësohet se ajo nuk arrin nivel të besueshëm në kontrollin e pasurisë dhe ligjshmërinë e burimeve të deklaruara për krijimin e tyre. Në vijim ai konstaton se një pjesë e pasurive janë krijuar gjatë njohjes apo dhe bashkëjetesës me gjyqtarin Hamitaj dhe ndan qëndrim të ndryshëm nga Komisioni, duke vlerësuar se situata financiare e saj afekton subjektin në këtë proces.
Lidhur me aspektin profesional, ONM ka vënë në dijeni Komisionin se nga burime të hapura është konstatuar se, në vitin 2019, vendimmarrja e subjektit është bërë objekt i debatit publik për shkak të marrjes së vendimit për heqjen e masës së pezullimit të aktivitetit të vendosur nga organet tatimore për një kompleks që nuk kishte lëshuar kuponë tatimorë.
“…Duket se vendimi i subjektit të rivlerësimit, mbi caktimin e masës së sigurisë duke urdhëruar gjykata pezullimin e zbatimit të veprimit administrativ për bllokimin e aktivitetit tregtar të shoqërisë “***” sh.p.k., merr tiparet e një padie civile të mirëfilltë, duke urdhëruar të paditurin të kryejë atë që kërkon paditësi të zgjidhet”, vlerëson Ballhysa dhe kërkon që dhe kjo rethanë të knsiderohet në vlerësimin tërësor.
Në analizë të të gjitha gjetjeve, Komisioneri Florian Ballhysa, çmon se gjetjet e konstatuara janë në kontradiktë me sjelljen që pritet nga një gjyqtar dhe, si pasojë, kanë cenuar besimin e publikut. Ai i kërkon Kolegjit ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Gentian Hamiti.
/Reporter.al/
Discussion about this post