Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka reaguar lidhur me situatën në Shqipëri dhe protestat kundër çështjeve mjedisore, duke theksuar se Komisioni Evropian është i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në vend dhe se procesi i Integrimit Evropian garanton përmbushjen e standardeve të BE-së. Kos theksoi se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë përballë situatës në Shqipëri, pasi procesi i zgjerimit është transparent dhe përfshin një numër të madh aktorësh dhe palësh të interesuara.
Duke iu referuar protestave, komisionerja sqaroi se kërkesat e protestuesve lidhen me zbatimin e legjislacionit evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit, konkretisht me Kapitullin 27, që mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Sipas saj, Shqipëria ndodhet në fazën kur Komisioni Evropian po kërkon përmbushjen e kushteve për përafrimin e legjislacionit vendas me standardet evropiane.
Sa u përket protestave, komisionerja nënvizoi se ato përfaqësojnë shprehjen e një grupi qytetarësh dhe se zhvillime të tilla nuk janë të kufizuara vetëm në Shqipëri. Megjithatë, Kos bëri thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe pa dhunë. Gjithashtu Komisionerja i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të gjejë një mënyrë për të dialoguar me qytetarët që kanë qëndrime të ndryshme nga ato të saj.
Reagimi i Marta Kos:
Ne nuk po i mbyllim sytë rreth situatës në Shqipëri, sepse procesi i zgjerimit është kaq transparent dhe ka kaq shumë palë të interesuara që janë të përfshira në të saqë thjesht nuk do të mund ta bënim këtë. Unë mund ta shpjegoj saktësisht edhe rastin e Shqipërisë një shtet kandidat që është pjesë e procesit të zgjerimit.
Protestuesit në Shqipëri po kërkojnë zbatimin e një legjislacioni evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Ky është Kapitulli 27.Tani jemi në fazën ku Komisioni Evropian po kërkon nga Shqipëria të plotësojë kushtet që duhen për të harmonizuar legjislacionin e saj në këtë fushë. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian është garantuesi që Shqipëria do të arrijë standardet evropiane.
Protestat janë shprehja e një grupi të caktuar njerëzish. Dhe siç e dini, protesta nuk po ndodhin vetëm në Shqipëri. Është e rëndësishme që ato të zhvillohen në një frymë paqësore, pa dhunë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, që të gjejë një mënyrë, të ulet dhe të flasë me njerëzit që kanë një mendim të ndryshëm prej saj.
gijotina.com/









Discussion about this post