Behgjet Pacolli ka thënë në një reagim në rrjetet sociale se aeroportin e Vlorës mund ta marrin, pasi nuk ka ndërmend të luftojë me shtetin. Deklarata pason pretendimet e kompanisë “Mabco” se Valon Ademi po mbështetet nga institucionet shtetërore ndaj po bllokon punën në kantier. Sipas biznesmenit Pacolli, mënyra si shteti po përdor fuqinë e tij është jo ligjore dhe e papranueshme.
Vlora International Airport pretendon ndryshe pasi përmes një deklarate zyrtare ka deklaruar se kompania ‘Mabco’ është përjashtuar nga projekti i ndërtimit të aeroportit për shkak se nuk ka mbyllur në kohë punimet e terminalit.
Më tej në reagimin e tij, biznesmeni thotë se aeroporti është ndërtuar me një investim të tij prej 310 milionë eurosh. Sipas Pacollit, Valon Ademi ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i “Mabco”-s.
“Një gazetar autoritativ nga Shqipëria më telefonoi sot, këtu në Astana, dhe më pyeti:
“Zoti Pacolli, çfarë do të bëni tani, pasi aeroportin jua morën me Policinë e Shtetit?”
Përgjigjja ime ishte e qartë:
Objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, ne kemi pastruar objektet, kemi kryer punimet përfundimtare dhe kemi rregulluar edhe gjelbërimin përreth.
Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.
Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak.
Pyetja e dytë ishte:
“Çfarë do të ndodhë me njerëzit që tani kanë mbetur pa punë dhe a do të paguhen nënkontraktorët?”
Iu përgjigja se ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore.
Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër.
Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre.
Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.
Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë”, shkruan Pacolli.
Prej tri ditësh, në aeroportin e Vlorës vijon perplasja mes dy kompanive “Mabco” të Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit. Punonjësit e Pacollit kërkojnë të rikthehen në punë, ndërsa kompania “2A Group” s’i lejon, kurse vetë vijon normalisht aktivitetin brenda kantierit.
Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.
Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.
Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A., për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Paralelisht SPAK po heton anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për procedurat e dhënies me koncesion të aeroportit të Vlorës.
gijotina.com/










Discussion about this post