Shqipëria ishte në fokus të një seance në Kongresin amerikan, ku u diskutuan lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, integriteti i zgjedhjeve, korrupsioni dhe zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor. Çështja e Shqipërisë u ngrit nga kongresmeni republikan Joe Wilson, i cili shprehu shqetësim për ndikimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe problematikave të integritetit zgjedhor.
Wilson e pyeti administratën amerikane se cilat janë hapat që po ndërmerren për të luftuar trafikun e narkotikëve dhe rrjetet kriminale që veprojnë në Shqipëri. Në përgjigje, Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton, deklaroi se Shtetet e Bashkuara vijojnë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për goditjen e organizatave kriminale transnacionale.
Sipas tij, këto organizata kanë shtrirje dhe lidhje ndërkombëtare, përfshirë lidhje me kartele kriminale në Hemisferën Perëndimore. Një pjesë e rëndësishme e përgjigjes së zyrtarit amerikan iu kushtua SPAK.
Lawton tha se Shtetet e Bashkuara e kanë konstatuar strukturën e posaçme si “relativisht efektive” në trajtimin e disa prej çështjeve të ngritura gjatë seancës. Lawton e vendosi gjithashtu zhvillimin e Shqipërisë në një kontekst historik, duke vlerësuar ndryshimin e vendit pas rënies së komunizmit.
“Shtetet e Bashkuara po vijojnë që të punojnë me qeverinë shqiptare për të luftuar organizatat kriminale transnacionale që veprojnë atje. Kemi konstatuar se struktura e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK ka qenë relativisht efektive në trajtimin e disa prej çështjeve që ju ngritët. Për mua është frymëzuese të shohim që shteti më komunist gjatë Luftës së Ftohtë tani është i lirë, ndaj ne duam që Shqipëria të ketë sukses”, u shpreh Lawton.
Kongresmeni republikan Joe Wilson: Ne mund të luajmë një rol në monitorimin dhe promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për më tepër, është raportuar se korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti zgjedhor në Shqipëri po ndikohen nga qeveria e Edi Ramës, e cila, në fakt, po nxit krijimin e një rrjeti të trafikut të narkotikëve. Ndër vite, Shtetet e Bashkuara kanë qenë vërtet të suksesshme në bashkëpunimin me autoritetet kundër krimit dhe trafikut të organizuar të drogës për ta trajtuar këtë çështje. Çfarë po bën administrata në përgjigje të trafikut të narkotikëve në Shqipëri?
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton: Kongresmen Wilson, ju falënderoj gjithashtu për këtë pyetje të rëndësishme. Mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara po vijojnë që të punojnë me qeverinë shqiptare për të luftuar organizatat kriminale transnacionale që veprojnë atje. Këto organizata kanë lidhje ndërkombëtare me kartelet këtu në Hemisferën Perëndimore. Në veçanti, kemi konstatuar se struktura e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK ka qenë relativisht efektive në trajtimin e disa prej çështjeve që ju ngritët. Për mua është frymëzuese të shohim që shteti më komunist gjatë Luftës së Ftohtë tani është i lirë, ndaj ne duam që Shqipëria të ketë sukses.
Diskutimi në Kongres zhvillohet në një kohë kur lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i institucioneve të drejtësisë dhe integriteti i zgjedhjeve mbeten çështje të rëndësishme për Shqipërinë, edhe në kuadër të procesit të Integrimit Europian.










Discussion about this post