Rreth dy javë më parë, Policia e Durrësit njoftoi zbulimin e një ngarkese prej rreth 22 mijë ton naftë kontrabandë në një anije të huaj, e cila ishte furnizuar nga një anije ruse. Pas zbulimit të ngarkesës, autoritetet policore arrestuan kapitenin e anijes “Grace Felix”, Aleksey Smaznov. Ai po mbahet në paraburgim, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të “Kontrabandës”.
Sasia e naftës ishte porositur nga kompania “Av International Group”, në pronësi të biznesmenit të madh, Piro Bare. Sipërmarrësi ka deklaruar para hetuesve se ka refuzuar ta marrë ngarkesën e naftës, pasi ishte vënë në dijeni të mungesës së dokumentacionit. Piro Bare thotë gjithashtu që është ai që ka vënë në dijeni autoritetet shqiptare për ngarkesën e dyshimtë me naftë.
Ndërkohë, në vendimin e gjykatës së Durrësit për arrestimin e kapitenit Smaznov, lexohet se Prokuroria, për këtë rast të dyshimtë kontrabande, ka marrë informacion nga institucionet ligjzbatuese, një term që përdoret kryesisht kur të dhënat i përcillen organit hetimor nga Shërbimi Informativ Shtetëror ose partnerët e huaj.
Rasti i anijes “Grace Felix” ka një specifikë të veçantë, krahas një situate kontrabande. Nafta dyshohet se është me prejardhje nga Rusia, një vend i vendosur nën embargo nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë, pas sulmit të armatosur mbi Ukrainë. “Gijotina” ka siguruar vendimin e plotë të gjykatës së Durrësit, në të cilin jepen me detaje mënyra e zbulimit të naftës së dyshuar kontrabandë, si edhe deklarimet e biznesmenit porositës, Piro Bare
Historia e ngarkesës ruse
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës është vënë në dijeni për mbërritjen në territorin shqiptar të anijes “Grace Felix”, anije e cila, nuk ka ankoruar por ka qëndruar në Radën e Portit të Porto Romanos.
Sipas informacioneve anija “FIDAN” (anija mëmë e anijes Grace Felix) është furnizuar në Portin Novorossiysk RU, në Detin e Zi dhe kjo anije me pas në detin e lirë “Kalamata” Greqi ka furnizuar me naftë anijen “Grace Felix”. Më datë 19.02.2023 është ngritur një grup pune me specialist të Hetimit te Krimeve Ekonomike Financiare doganier të kontrollit fizik, punonjës të antikontrabandës detare, agjentë detar, punonjës të Policisë Kufitare të cilët kanë shkuar në ketë anije për të kryer verifikimet e nevojshme.
Kapiteni i parë i anijes fillimisht ka refuzuar komunikimin me punonjësit e institucioneve të sipërcituara e më pas ka paraqitur dokumentacionin shoqërues të anijes. Po ashtu, kapiteni i anijes ka refuzuar të firmosë procesverbalin e këqyrje-marrjes së dokumenteve dhe në këtë proçesverbal kanë firmosur punonjësit e institucioneve të pranishëm në këtë veprim.
Dokumentet e mësipërme kanë qenë në gjuhën angleze. Kapiteni anijes Alexy Smaznov ka refuzuar të japë shpjegime për ngarkesën e anijes dhe të paraqitet në Drejtorinë e Policisë Durrës për të dhënë deklarimin e tij.
Deklarimi i Piro Bares
I pyetur me cilësinë e administratorit të shoqërisë AV Internatinal Group (shoqëria porositëse e anijes dhe naftës së ngarkuar në të) shtetasi Piro Bare ka deklaruar se:
Shoqëria “Av International Group”, me seli Porto Ramano, zonë e lirë doganore, ku merret me këtë aktivitet që nga viti 2009, ka qenë në negociata me kompaninë SES DMCC, në Dubai, kompani e cila merret me tregtinë e karburanteve dhe selinë e ka në Dubai.
Këto negociata janë bërë në fund të muajit Janar, me një përfaqësues të kompanisë me emrin Artiom nga Dubai, ku komunikimi ka qenë në gjuhën angleze, dhe pas bisedës telefonike i ka ofruar Pirros një sasi fillimisht prej 10 mijë tonë naftë, ku në vazhdim të negociatave ranë dakord për rreth 22 mijë tonë, me çmim në varësi te bursës ndërkombëtare që varionte nga 80-100 lekë për litër.
Në parim pasi ranë dakord, anija është nisur më datë 12 ose 13 Shkurt, me destinacion Durrës dhe Piro ka kërkuar nëpërmjet stafit të tij juristit dhe agjencia doganore të kompanisë, të kërkojë dokumentacionin shoqërues nëpërmjet e-mailit, si dhe të bëjë njoftimin në kapiteneri duke përllogaritur 72 orë para mbërritjes së anijes në Durrës.
Gjatë kësaj periudhe është vëne në dijeni nga stafi i kompanisë se dokumentacioni nuk ka ardhur i plotë, si dhe ka ardhur në kohë të ndryshme. Anija ndërkohë ishte nisur, në vijim Piro është vënë në dijeni nëpërmjet juristit, që gjatë shkëmbimevetë e-maileve lidhur me procedurat e ngarkesës kishte problem dhe për këtë fakt është vënë në dijeni edhe Dogana, e cila përfundimisht nuk pranoi futjen në sistem për të hyrë në Port dhe për këtë arsye anija ka pritur disa ditë në radë. Bare gjithashtu është shprehur se ka njoftuar per refuzimin e anijes në organet kompetente.
Doganierët
Në deklarimin e shtetasit Elvi Burimi, me detyrë doganier fizik, prezent në kontrollin e datës 19.02.2023 në anijen “Grace Felix” ka shpjeguar proçedurën standarte të konstatimin e proçedimit të anijeve me ngarkesë nafte, si dhe është shprehur se: Dokumentat e origjines së naftës të dorëzuara nga kapiteni i anijes “GraceFelix” konkretisht (çertifikata e origjinës së mallit) nuk ishte bindës dhe kapiteni u shpreh se nuk dispononte dokument tjetër origjine.
Është marrë deklarimi i shtetasit Fatmir Hoxha, doganier fizik prezent në kontrollin e datës 19.02.2023 në anijen “Grace Felix”, i cili është shprehur se : Nuk kanë marrë asnjë urdhër pune për marrje praktike në Radë, të anijes“Grace Felix” pasi anija nuk është ankoruar në Porto Romano. Kur është pyetur për dokumentacionin e anijes “Grace Felix” është shprehur se: Në dijeninë e tij dokumentat që vërtetojnë origjinën e mallit janë në tre forma: të lëshuara nga dogana e shtetit ku kanë ngarkuar, nga Dhoma e Tregtisë dhe nga Rafineria e Portit.
Në rastin konkret (anija “GraceFelix”) dhe kapiteni i anijes ka paraqitur një çertifikate origjine të firmosur vetëm nga agjenti doganor nëGreqi, ku anija ka bërë operacionin “ship to ship”. Kjo deklaratë e lëshuar nga agjenti nuk është e mjaftueshme për të vërtetuar origjinën e mallit. Në rastin konkret, kapitenit të anijes iu kërkua me insistim një dokument tjetër për vërtetimin e origjinës, pasi ky dokument nuk ishte i mjaftueshëm dhe nuk ofroi asnjë dokument tjetër.
Është marrë deklarimi i shtetasit Altin Jaçe, me detyrë inspektor i Antikontrabandës Detare prezent në kontrollin e datës 19.02.2023 nëanijen “Grace Felix”.
I cili ndër të tjera është shprehur se: Çertifikata e origjinës dorëzuar nga Kapiteni i anijes “Grace Felix” ishte e firmosur nga agjensia greke, e cila ka plotësuar dokumentacionin e ngarkesës në Portin ku është bërë ngarkimi.
Në këtë rast marrja e ngarkesës është bërë në det të hapur, në gjirin e Kalamatës, e cila është një zonë që lejon tranzbordimin e ngarkesës nga një anije në një anije tjetër. I vetmi person që hipën në anije pasi bëhet tranzbordimi është agjenti, i cili plotëson dokumentacionin e ngarkesës pasi bëhet matjet nga survejori, i cili bën matjet e sasisë së ngarkesës.
Pas këtyre deklarimeve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës “arrest me burg” për kapitenin e anijes, Aleksey Smaznov. Ky i fundit, nëpërmjet avokatit, ka kërkuar një masë sigurimi më të butë. Sipas tij, anija është pa kapiten dhe rrezikohet në mungesë të tij. Por, Gjykata e Durrësit caktoi masën ‘arrest me burg” ndaj kapitenit rus, i dyshuar se ka kryer veprave penale të “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Lexo edhe: Nafta kontrabandë, Konfindustria: Të merren masa të jashtëzakonshme
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post